Shqipëria dhe Gjermania mbrojnë pavarësinë e Kosovës

Prishtinë, 2 dhjetor (MIA) - Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka vazhduar seanca dëgjimore për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, transmetojnë mediat kosovare.

Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Gazmend Barbullushi, në paraqitjen e argumenteve në Gjykatën Ndërkommbëtare të Drejtësisë, tha se vendi i tij e cilëson shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Barbullushi tha se Shqipëria do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për popullin e Kosovës në përpjekjet e tij për paqen dhe përparimin për të gjithë qytetarët e saj. Ai në fjalën e tij ka përmendur dhunën sistematike të Serbisë mbi popullin e Kosovës, që nga heqja me dhunë e autonomisë se Kosovës në vitin 1989.

Përfaqësuesi i Shqipërisë tha se Kosova dhe populli i saj gjatë viteve të 90-ta, e posaçërisht dhjetë vjet më parë, iu nënshtrua një spastrimi më të madh etnik që pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendi i tij, tha ai, ka pranuar atëherë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës.

Barbullushi gjithashtu tha se Kosova sot është një shtet i pavarur dhe shumëkombësh i përcaktuar për demokracinë dhe rendin dhe ligjin, me mbrojtjen e plotë për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. "Përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut, dhe të pakicave në veçanti, është një shembull për të gjitha vendet e tjera në botë.  Me qëndrimin dhe sjelljen e saj të matur, Kosova kontribuon për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan. Ky është një fakt i pranuar përgjithësisht", tha ambasadori i Shqipërisë në Holandë.

Ndërkaq përfaqësuesit e Gjermanisë thanë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ajo ka forcuar paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Këshilltarja ligjore e Ministrisë së Jashtme gjermane, Sussane Wasum Rainer, tha se statusi i Kosovës është rrjedhojë e të drejtës së popullit të Kosovës në vetëvendosje dhe se "ata që punuan për shpalljen e pavarësisë dhe e nënshkruan atë, kanë punuar në emër të popullit të Kosovës dhe jo në emër të institucioneve që janë krijuar nga autoritetet ndërkombëtare".

Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u soll përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një Rezolutë të Serbisë me të cilën kërkohej mendimi këshilldhënës i Gjykatës për këtë çështje.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail