PE miraton heqjen e vizave per Shqiperinë dhe Bosnjë e Hercegovinën

Tiranë, 7 tetor 2010 (MIA) - Parlamenti Europian miratoi sot me shumicë votash rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Pas votimit të sotëm në PE, rezoluta pritet të miratohet në 8 nëntor nga ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian, që është dhe hapi i fundit i këtij procesi të shumëpritur nga qytetarët shqiptarë. Per miratimin e saj kerkohen votat e dy të tretat të ministrave të Brendshëm të BE-së.

Raporti final i ekspertëve të Komisionit Evropian për Shqipërinë, vlerësoi se ky vend ka shënuar hapa para në procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme në Parlamentin Europian miratoi në 28 shtator 2010, rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën dhe sot ajo mori votat e shumicës së eurodeputetëve në Parlamentin Evropian.

Seanca e sotme e votimit të PE u ndoq nga kryetarja e Kuvendit shqiptar Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Bruksel nga dita e djeshme, ku dhe loboi me eurodeputetët për miratimin e rezolutës për heqjen e vizave.
          
    - Më poshtë vijojnë disa data kryesore në ecurinë e procesit të lehtësimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së:

    13 Nëntor 2006- Këshilli i Bashkimit Evropian i dha mandatin Komisionit Evropian që të fillojë negociatat me 9 vendet e Ballkanit Perëndimor (përfshi Shqipërinë), për marrëveshjen e lehtësimit të vizave dhe atë të ripranimit.     
    30 Nëntor 2006- Komisioni Evropian fillon negociatat për 9 marrëveshjet e Komunitetit me këto vende.
    10 Prill 2007- Mbyllen në Bruksel negociatat Shqipëri-BE për marrëveshjen e lehtësimit të vizave, që sjell përparësi për të gjithë udhëtarët shqiptarë në formën e tarifave të ulta të vizave dhe procedurave më të shpejta të aplikimit për vizë.
    18 Shtator 2007- Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini dhe ministri i Brendshëm i Portugalisë, Ruiz Karlos Pereira, nënshkruajnë në Bruksel  9 marrëveshje për lehtësimin e vizave dhe për ripranimin mes Komunitetit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshjet e ripranimit dhe të lehtësimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, u nënshkruan në prani të Ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
     1 Janar 2008- Hynë në fuqi rregullat e reja mbi lehtësimin e lëshimit të vizave. Qëllimi i Marrëveshjes është të lehtësojë mbi bazën e reciprocitetit lëshimin e vizave për qytetarët e Republikës së Shqipërisë për një qëndrim të synuar për jo më shumë se 90 ditë brenda periudhës së 180 ditëve. Kjo marrëveshje nuk zbatohet për Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Irlandën, Mbretërinë e Danimarkës, Republikën e Islandës dhe Mbretërinë e Norvegjisë.      
     7 Mars 2008- Gjatë një vizite në Shqipëri, Zëvendëpresidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini, lançoi nisjen e dialogut politik Shqipëri-BE për regjimin e udhëtimit pa viza.
     3 Qershor 2008- Komisioni Europian i dorëzon Shqipërisë Udhërrëfyesin (Roadmap) për liberalizimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Ky dokument, në emër të Komisionit Europian, iu dorëzua ministrit Basha nga  Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian për Zgjerimin, Majkëll Li. Udhëzuesi jep indikacione të qarta për autoritetet shqiptare për masat që duhen marrë në mënyrë që të mund t'u sigurohet lëvizje e lirë pa viza  të gjithë qytetarëve shqiptarë.
     1 shtator 2008- Shqipëria dorëzon dokumentin e parë, ku u përfshinë të gjitha përgjigjet për reformat e kryera dhe ato të parashikuara në katër blloqet e udhërrëfyesit dhe konkretisht në sigurinë e dokumentave, migrimin ilegal, rendin dhe sigurinë publike, si dhe çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore.
     28 nëntor 2008- Komisioni dorëzoi raportin e parë të vlerësimit për këtë dokument.
     14 janar 2009- Pala shqiptare paraqiti raportin për plotësimin e angazhimeve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Komunikimi midis palëve për heqjen e regjimit të vizave, vijon në mënyrë konstante.
     15 Korrik 2009- Komisioni Evropian i propozon Këshillit të BE heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në një regjim me viza. 

     1 Tetor 2009- Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dorëzoi në Bruksel raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
     6 Tetor 2009- Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian miraton me shumicë votash propozimin e europarlamentares sllovene Tanja Fajon për shqyrtimin e rastit të Shqipërisë dhe Bosnjes, bashkë me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
     20 Tetor 2009- Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punë të Brendshme miraton raportin e prezantuar nga eurodeputetja sllovene Tanja Fajon.
     12 Nëntor 2009 - Parlamenti Europian miraton raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, që propozon përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve, të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo vendi të përmbushë detyrimet e mbetura.
     27 Maj 2010 - Hyn në fuqi vendimi i Kolegjit të Komisionerëve, që i rekomandoi Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. 
     10 Qershor 2010- Shqipëria dorëzon përgjigjet e 170 pyetjeve shtesë të Komisionit Europian.
     Korrik 2010 - Misioni monitorues i Komisionit Europian viziton Shqipërinë për të parë nga afër përmbushjen e kritereve shtesë për liberalizimin e vizave.
     2 Shtator 2010-  Pasi njihet me raportin paraprak të misioni monitorues të Komisionit Europian, Komiteti për Çështjet e Brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, konkludon se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
     28 Shtator 2010, Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme në Parlamentin Europian miraton rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. mb/hr/12:35




###

Mirush Kabashi me monodramën e dytë për bashkëatdhetarët në Toronto

Tiranë, 7 tetor 2010 (MIA) - Aktori i njohur Mirush Kabashi ka interpretuar për bashkëatdhetarët në Toronto të Kanadasë monodramën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", e autorit E. E. Schmitt.

Në skenën e Cityplay House Theatre, Mirush Kabashi është pritur me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm për mesazhin aktual të paqes, mirëkuptimit dhe tolerancës që përcjell kjo vepër, por sidomos për lojën mbresëlenëse.

I ftuar nga ish- regjisori i Televizionit Shqiptar, me banim në Toronto, Gjergj Rita, Mirush Kabashi interpretoi për herë të dytë për bashkëatdhetarët tanë në Toronto, brenda një harku kohor prej 7 vjetësh. Në vitin 2003 ai u shfaq me "Apologjinë e vërtetë të Sokratit" dhe në të dyja rastet ka pasur një komunikim të shkëlqyer me publikun, falë dhe nivelit të lartë intelektual të auditorit që kishte mbushur sallën.

Në fund të shfaqjes "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", për minuta të tëra publiku ka duartrokitur lojën e Mirush Kabashit, ndërsa shumë prej tyre bënë fotografi apo i morën një autograf artistit.
Ruki Kondaj, kryetare e bashkësisë shqiptaro-kanadeze tha pas shfaqjes se "përmbajtja e pjesës dhe loja e mrekullueshme e Mirush Kabashit frymëzojnë për forcimin e frymës së respektit dhe mirëkuptimit në komunitetin tonë dhe më gjerë në atdheun tonë të dashur".
Për ing. Mërgim Korça, i cili kishte udhëtuar nga Detroiti (SHBA) për të ndjekur shfaqjen, "mjeshtri i madh i skenës dhe ekranit, Mirush Kabashi, është në të vërtetë një ambasador plot autoritet i kulturës shqiptare në botë".

Vlerësime për aktorin Kabashi ka dhënë dhe Entela Naqo, një shqiptare që punon si specialiste e shkencave kompjuterike në Toronte. "Mirush Kabashi shkëlqeu me lojën dhe mjeshtrinë e tij. Veç të tjerash, ai demonstroi nivelin e lartë të artit tonë skenik", tha Naqo.


Ndërsa dr. Arben Harito do të shprehej se "ashtu si në Paris me 'Sokratin', para disa muajsh, edhe këtu në Toronto me "Zotin Ibrahim", Mirush Kabashi provoi se për momentin është një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës shqiptare të aktrimit".

Florida Demnushaj, 23 vjeç, studente në Toronto, tregon se e përjetoi me emocione të pashlyeshme monodramën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit". "Loja e mrekullueshme e mjeshtrit Kabashi solli midis nesh aromën e bukur të gjuhës dhe atdheut tonë, Shqipërisë".

Vetë aktori Mirush Kabashi, pas shfaqjes, u shpreh: " ... nuk është impenjimi im i veçantë, por niveli i lartë intelektual si dhe predispozocioni i thellë artistik i bashkëatdhetarëve të mi në Toronto që për të dytën herë më dhurojnë netë të paharruara në karierën time artistike".
Një falenderim, aktori i njohur përcolli dhe familjen e Gjergj Ritës, që siç u shpreh ai "përveç organizimit dinjitoz, plotësuan të gjitha kërkesat artistike të shfaqjes". hr/10:26



###

Parlamenti Evropian voton sot raportin e Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe BeH-në

Strasburg, 7 tetor 2010 (MIA) - Parlamenti Evropian voton sot raportin e paraqitur nga europarlamemtarja Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen.

Raporti thekson se Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina i kanë përmbushur tre kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe se ato do të vazhdojnë të monitorohen për pjesën e mbetur të përpjekjeve që duhet të bëjnë. Sipas dokumentit, Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e kushteve kryesore për heqjen e regjimit të vizave, por vendi duhet të vazhdojë përpjekjet në luftën ndaj korrupsionit, integrimin e të riatdhesuarve si dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.

Një shumicë të konsiderueshme e eurdeputetëve priten të jenë në favor të propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Megjithatë në debatin e zhvilluar mbrëmë në PE nuk munguan mendimet kundër të eurodeputetëve. Dy deputetë, një hollandez dhe një tjetër belg, kanë ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që sipas tyre ekziston në të dyja vendet.

Raporti ka marrë tashmë "viston" e Komisionit të Çështjeve të Brendshme dhe Drejtësisë si dhe Komisionit të Jashtëm të PE-së.

Pas votimit në PE Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian duhet të miratojë me dy të tretat e anëtareve liberalizimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Nëse rezoluta e Fajon miratohet edhe nga ministrat e brendshëm të BE-së, në fillim të nëntorit, ajo do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, me gjasë para festave të fundvitit 2010.

Raporti dhe rezoluta e Fajon, nëse miratohen, do të hapin dritën jeshile për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës, në mënyrë që ata të lëvizin lirisht në vendet e Bashkimit Evropian, por jo të qëndrojnë atje në mënyrë të përhershme apo për punësim. mb/hr/9:59



###

Grevë e nëpunësve shtetërorë në Greqi

Athinë, 7 tetor 2010 (MIA) - Nëpunësit shtetërorë grekë sot fillojnë grevën 24-orëshe, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha institucionet shtetërore, duke i përfshirë edhe shkollat dhe spitalet, në shenjë proteste kundër masave ekonomike qeveritare.

Protestat do t'i mbyllin shërbimet tatimore, këshillat komunalë dhe shkollat shtetërore, ndërsa spitalet do të pranojnë vetëm rastet urgjente.

Kontrollorët në komunikacionin ajror do të organizojnë grevë katërorëshe dhe do t'i ndalojnë të gjitha fluturimet nga dhe drejt Greqisë, në periudhën ndërmjet orës 15 dhe 19.

Masat ekonomike qeveritare të cilat kyçin zvogëlimin e rrogave të nëpunësve shtetërorë dhe të pensioneve, si dhe rritjen e tatimeve, çuan në valë të re protestash në vend. ab/mb/7:49



###

Uesli Klark në Tiranë promovon projekt për lojëra të fatit

Tiranë, 6 tetor 2010 (MIA) - Ish-komandanti i forcave të bashkuara të NATO-s, gjenerali Uesli Klark, i cili qëndron për vizitë disaditore në Tiranë, kryeministrit Sali Berisha i ka prezantuar sistem elektronik për kontrollin dhe menaxhimin e lojërave të fatit.

Siç transmeton korrespondenti i MIA-s nga Tirana, Klark ka theksuar se ky sistem garanton transparencë dhe efikasitet në procesin e funksionimit të lojërave të fatit, si dhe shfaqje reale të tatimit të këtij lloji të biznesit.

Berisha i ka premtuar se projekti do të shqyrtohet dhe vlerësohet në kuadër të ligjeve ekzistuese dhe rregullave nga ministritë përkatëse.

Vizita e Klarkut vjen vetëm disa ditë pasi komisioni parlamentar për ekonomi i aprovoi ndryshimet e ligjit për lojërat e fatit të propozuar nga Ministria e Ekonomisë. shk/bsh/20:34

###

Bramerc: Mbetet problemi i arrestimit të Mlladiqit

Hagë, 6 tetor 2010 (MIA) - Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës Serzh Brammerc para deputetëve të Parlamentit holandez deklaroi se pasi e ka marrë funksionin e tanishëm, bashkëpunimi i Serbisë me Gjykatën e Hagës është përmirësuar jashtëzakonisht, por arrestimi i Ratko Mlladiqit mbetet problem.

Bramerc vlerësoi se presioni ndaj Serbisë dhe kushtëzimi mbeten instrumentet kyçe për arrestimin e personave të tjerë të cilët i ndjek Tribunali i Hagës.

"Nuk jam ai që duhet t'i zgjedh mjetet për presion. Ata janë politikanët. Deri tani kjo ishte kushtëzimi i Serbisë dhe kjo reagoi, por nuk është puna ime të këshilloj", tha ai.

Bramerc dhe komisari evropian për zgjerim Shtefan Fyle drejtohen sot deri te Parlamenti i Holandës, i cili duhet ta formulojë qëndrimin përfundimtar ndaj kandidaturës së Serbisë. Ky prononcim i paraprin takimit të Këshillit të BE-së, më 25 tetor në Luksemburg, në të cilin vendet-anëtare do të prononcohen rreth kërkesës serbe për anëtarësim në BE. ff/bsh/19:50

###

Opozita shqiptare më 18 tetor fillon protesta antiqeveritare

Tiranë, 6 tetor 2010 (MIA) - Më 18 tetor opozita shqiptare fillon protesta antiqeveritare, të cilat do të zgjasin deri në rrëzimin e Qeverisë akuale, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Tirana.

"Këtë e vendosën liderët e gjashtë partive opozitare, të udhëhequr nga socialistët", konfirmoi Spartak Ngjela, lider i Partisë për ligj dhe drejtësi.

Sipas tij, të gjitha forcat politike opozitare janë bashkuar në koalicion, i quajtur "Koalicioni i opozitës së bashkuar".

"Vendi po kalon nëpër një gjendje shumë të vështirë, për këtë arsye vendosëm t'i fillojmë protestet nëpër gjithë territorin e Shqipërisë, deri në rrëzimin e qeverisjes së Berishës", deklaroi Ngjela. ff/bsh/19:23

###

Përforcohet prania e forcave policore në veri të Kosovës

Mitrovicë, 6 tetor 2010 (MIA) - Zëvendës-drejtoi rajonal i Shërbimit policor të Kosovës (SHPK) Ergin Mediq deklaroi se në veri të Kosovës në fuqi është përforcuar patrullimi i SHPK-së dhe policisë EULEKS.

Mediq deklaroi se bëhet fjalë për proces të vazhdueshëm, qëllimi i të cilit është shkatërrimi i aktiviteteve kriminele në këtë pjesë të Kosovës.

Në pjesën veriore të Mitrovicës pjesëtarët të KFOR-it, SHPK-së dhe policisë së EULEKS-it sot në mëngjes ishin në zona të përziera qytetare, ku krahas serbëve jetojnë edhe shqiptarët dhe pjesëtarë të bashkësive tjera kombëtare.

Komandanti i KFOR-it Erhard Biler tha dje se edhe KFOR-i do t'i mbështet EULEKS-in dhe SHPK-në në vendosjen e rendit dhe sigurisë në veri të Kosovës dhe se nuk do të tolerojë kurrfarë akte të dhunshme në këtë rajon.

Në veri të Kosovës nga fillimi korrikut ndodhën disa incidente midis të cilave edhe disa vrasje dhe tentim për vrasje. ff/bsh/15:56



###

EULEKS vazhdon me arrestime në veri të Kosovës

Prishtinë, 6 tetor 2010 (MIA) - Policia e EULEKS-it arrestoi sot një person në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës.

Ai përballet me akuza për kërcënimin e zyrtarit publik, për armëmbajtje pa leje dhe për pengim të zyrtarëve në kryerjen e detyrave publike.

Ndaj tij ekziston edhe një fletëarrest ndërkombëtar. Hetimet po zhvillohen nga policia e EULEKS-it nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEKS-it. bsh/15:57 

###

Klinton javën e ardhshme viziton Ballkanin

Uashington, 6 tetor 2010 (MIA) - Departmenti Amerikan i Shtetit e ka konfirmuar zyrtarisht vizitën e shefes së dipomacisë amerikane, Hillari Klinton, javën e ardhshme në Ballkan.

"Sekretarja e Shtetit Klinton do të udhëtojë në Bosnjë e Hercegovinë, në Serbi, në Kosovë dhe në Bruksel prej 11 deri më 14 tetor", thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Qeverisë amerikane, Filip Krouli.

Më tej në njoftim, ai thekson se Sekretarja e Shtetit do të takohet me udhëheqës qeveritarë dhe të organizatave civile, si dhe me qytetarë për të ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme dhe zotimin e Shteteve të Bashkuara për shtetet e Ballkanit drejt arritjes së aspiratave të tyre për intergrim të plotë në komunitetn Evropian dhe Euro-Atlantik.

"Në Bruksel, sekretarja do të marrë pjesë në takimin e ministrave të vendeve të NATO-së dhe do të mbajë takime me presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuj, si dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton", tha Krouli.

Klinton rikthehet pas më shumë se dhjetë vjetësh të vizitës së saj në Ballkan, tani si shefe e politikës së jashtme amerikane. Ajo atëherë në cilësinë e Zonjës së Parë amerikane në vitin 1999 takoi refugjatët shqiptarë të Kosovës në Maqedoni, ndërsa ardhja e saj në Prishtinë shënon vizitën e parë të një sekretari amerikan në Kosovën e pavarur. bsh/15:48

###

Deficiti dhe borxhi i Greqisë për vitin 2009 do të rishqyrtohen nga Eurostati

Bruksel, 6 nëntor 2010 (MIA) - Shërbimi evropian për statistikë (Eurostat) do t'i rishqyrtojë rritjen e konsiderueshme të deficitit buxhetor dhe borxhin shtetëror të Greqisë për tre vitet e fundit, posaçërisht të dhënat për vitin 2009, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Amadeu Alfatazh.

Eurostati do ta kumtojë vlerësimin këtë muaj.

Në prill shërbimi evropian i statistikës shfaqi dyshime për të dhënat e vitit të kaluar, të publikuara nga Greqia dhe ndërmori verifikime.

Dje një përfaqësues i ministrisë greke të Financave pranoi se deficiti buxhetor i vendit për vitin 2009 mund ta kalojë kufirin prej 14 për qind pas vlerësimit të shërbimeve statistikore greke dhe evropiane.

Deri tani deficiti buxhetor i publikuar i Greqisë për vitin 2009 është 13,6 për qind nga BPV-ja.

Rishqyrtimi nuk do t'i rrezikojë qëllimet për ulje të deficitit dhe borxhit, që Athina angazhohet ta realizojë deri në vitin 2013 në ndërrim për shpëtimin e saj financiar në maj nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja, bind përfaqësuesi grek. ff/bsh/15:00

###

Erdogan: Kriza në Greqi ka të bëjë me harxhimet e mëdha për armatimin e vendit

Athinë, 6 tetor 2010 (MIA) - Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan vlerëson se kriza në Greqi ka të bëjë me harxhimet e tepërta për armatimin e vendit, të bëra nga ajo për shkak të armiqve të rremë, shkruan gazeta athinase "To Vima".

"Armatimi e shkatërroi Greqinë", theksoi Erdogan në ceremoninë për fillimin e vitit akademik në Universitetin Piri Reis në Stamboll, duke vendosur theks mbi "armiqtë e rremë" të krijuar nga Greqia në të kaluarën.

Ai vlerëson se "çmimi është i madh i këtyre armiqve të paramenduar", duke shtuar se "Turqia nuk do ta bëjë gabimin e njejtë".

Gazeta e vlerëson si të "pazakontë" deklaratën e Erdoganit lidhur me shkaqet për krizën greke, duke përkujtuar se ajo është dhënë pesë muaj pas vizitës së kryeministrit turk në Athinë, ku ai udhëtoi me gjysmën e ministrave të kabinetit të tij dhe  premtoi se do t'i ndihmojë ekonomisë greke me investime turke, me këtë rast duke nënshkruar 21 marrëveshje.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail