Të premten dihet data e zgjedhjeve

Prishtinë, 14 tetor 2010 (MIA) - Përfaqësues të partive parlamentare dhe joparlamentare edhe njëherë pritet të ulen përballë presidentit në detyrë, Jakup Krasniqi, për të diskutuar shpalljen e datës së zgjedhjeve në Rahovec dhe atyre të përgjithshme, për të cilat si datë më e përshtatshme është përmendur 13 shkurti i vitit të ardhshëm.

Takimi i Krasniqit me liderë të partive politike është paraparë të realizohet të premten, ditë kjo për të cilën Krasniqi e ka paralajmëruar Kryesinë e Kuvendit se do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, shkruan Koha.

“Në mbledhjen e Kryesisë Krasniqi krejt në fund na ka thënë, mos u brengosni se Kuvendi nuk do të shpërbëhet, siç po shkruajnë gazetat, pa u shpallur zgjedhjet. Kështu që dua t’ju njoftoj që zgjedhjet e përgjithshme do t’i shpallë këtë të premte”, ka treguar njëri nga anëtarët e Kryesisë duke dashur të mbetet anonim.

I njëjti ka bërë me dije se para shpalljes së datës së zgjedhjeve të përgjithshme Krasniqi do t’i mbledhë edhe njëherë liderët e të gjitha partive për të diskutuar për zgjedhjet në Rahovec, në të cilin takim do të flitet edhe për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Për t’i shpallur zgjedhjet e përgjithshme fillimisht duhet të caktohet data e zgjedhjeve në Rahovec, në mënyrë që mos të na dalin probleme dhe të ngatërrohemi edhe me zgjedhjet e përgjithshme, sepse duhet llogaritur në balotazh. Kështu që të premten pritet të precizohen të gjitha këto çështje për t’i pasur datat për zgjedhjet në Rahovec dhe për zgjedhjet e përkohshme”, ka treguar burimi i gazetës.

Por takimi i paralajmëruar, po sipas të njëjtit burim, do të varet nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, kur do të diskutohet për strategjinë e privatizimit të PTK-së, e cila mund të ndikojë në shtyrjen e takimit për javën e ardhshme.

“Nëse strategjia për privatizimin kalon me pajtimin e të gjitha partive parlamentare dhe nuk nxjerr telashe, kryetari Krasniqi menjëherë do t’i ftojë liderët e partive politike për t’i konsultuar për shpalljen e zgjedhjeve në Komunën e Rahovecit e gjithashtu për zgjedhjet e parakohshme. Në të kundërtën takimi konsultativ i Krasniqit me liderët partiakë mund të shtyhet për të hënën ose të martën”, ka thënë burimi i gazetës.

Mirëpo, përfaqësues të partive politike, të cilët në fillim të javës i kishin paraqitur qëndrimet e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, kanë vlerësuar se për mungesë të konsensusit për datën e zgjedhjeve të parakohshme është më se e nevojshme që takimi me Krasniqin të ndodhë sa më shpejt. hr/14:14



###

Akropol i bllokuar nga protesta e të punësuarve, policia me dhunë ka hyrë në përmendoren

Athinë, 14 tetor 2010 (MIA) - Akropoli lashtë, destinacioni turistik më i popullarizuar në Athinë, edhe sot, tashmë dita e dytë me radhë, është i mbyllur për vizita turistike për shkak të grevës të  punësuarve, të cilët protestojnë për atë se me Ministrinë e Kulturës ende nuk është arritur marrëveshje  për vazhdimin e kontratave të punës, ndërsa numrit më të madh të  të punësuarve përkohësisht tashmë 22 muaj nuk ua kanë paguar rrogat, transmetojnë mediat greke.

Protestuesit u mbyllën pas dyerve të objektit të lashtë dhe refuzuan t'i hapin për vizitorët. Policia për luftë me trazirat arritën të hynë në objekt përmes hyrjes anësore.

Qindra turistë, të cilët shpresonin se do ta vizitojnë kalanë e lashtë, u kthyen nga dyert e Akropolit.

Gjatë protestës së sotme pati incidente mes policisë dhe të punësuarve, me çfarë forcat e policisë përdorën edhe gaz lotsjellës. Është arrestuar një nga protestuesit.

Anëtarët e sindikatës deklaruan se bllokimi i kalasë mund të përsëritet në ditët e ardhshme, përderisa Qeveria nuk e përforcon angazhimin e tij ta zgjedh kontestin për pagat e të punësuarve në Akropol.

Në Greqi kohëve të fundit u shpeshtuan grevat e të punësuarve, ndërsa arsyeja për të janë masat e rrepta për kursim, që Qeveria i vendosi që ta mposhtë krizën e madhe ekonomike në vend, më e madhja në disa dekadat e fundit. sn/hr/14:05

 



###

Holanda mbështet integrimin evroatlantik të Kosovës

Pristinë, 14 tetor 2010 (MIA) - Holanda mbështet integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi priti sot në takim ambasadorin e Holandës, Robert Eduard Bosch, i cili i dorëzoi letrat kredenciale. Biseda u përqëndrua në zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës.

Krasniqi falënderoi me këtë rast shtetin e Holandës për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po vazhdon t'i japë Kosovës. "Synimi i përhershëm i popullit dhe institucioneve tona është integrimi euroatlantik, synim drejt të cilit shteti i Kosovës punon në vazhdimësi dhe pret që të ndodhë sa më shpejt", u shpreh Krasniqi.

Ambasadori Bosch tha se, "Holanda mbështet integrimin sa më të shpejtë të Kosoves në këto struktura", ndërsa theksoi interesin për vazhdimin e bashkëpunimit shumë të mirë që kanë Kosova dhe Holanda. hr/13:45

 



###

Shqipëria pa viza nga 15 dhjetori

Tiranë, 14 tetor 2010 (MIA) - Shqiptarët e pajisur me pasaporta biometrike pritet të lëvizin lirshëm, pa viza, nga data 15 dhjetor e këtij viti, bëjnë të ditur mediat shqiptare.

Burime të mediave treguan se, në rast të një vendimi pozitiv nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm në 8 nëntor, botimi në fletoren zyrtare europiane është përcaktuar, paraprakisht, të bëhet në datën 14 dhjetor dhe hyrja në fuqi e tij që në sekondat e para pas mesnate, në 15 dhjetor.

Kjo gjë u vendos në mbledhjen e sotme të sekretariatit që mbulon publikimin e vendimeve të BE-së në fletoren zyrtare.

Ky përcaktim rrëzon atë që thuhej deri më sot, se hyrja në fuqi e vendimit për heqjen e vizave afatshkurtra realizohet 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, duke ndjekur shembullin e 3 vendeve të tjera të Ballkanit një vit më parë, të cilat përfituan nga regjimi pa viza në 19 dhjetor, një dite pas botimit në atë kohë të vendimit në fletoren zyrtare.

Një lajm tjetër pozitiv është ai që ndikon në përshpejtimin e procesit dhe që ka të bëjë me fillimin e punës së përkthimit në 22 gjuhët zyrtare të Unionit të propozimit legjislativ të Komisionit, menjëherë pas votës në seancë plenare të Parlamentit Europian, të enjten e kaluar, më 7 tetor.

Tashmë, fjala e fundit për finalizimin e këtij procesi i mbetet ministrave të Brendshëm të BE-së, të cilët e kanë përfshirë këtë cështje në takimin e datës 8 nëntor, nën emertimin "falls B", që nga fjalori teknik i BE-së në shqip përkthehet si, temë e hapur për vërejtje apo deklarata politike nga ato vende anëtare që do ta dëshironin një gjë të tillë. ab/hr/12:23



###

Një viktimë në përmbytjet në pjesën veriperëndimore të Turqisë

Ankara, 14 tetor 2010 (MIA) - Një burrë i moshuar e humbi jetën në përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që e kapluan pjesën veriperëndimore të Turqisë, lajmëruan sot mediumet turke.

Viktima është një burrë 84-vjeçar i cili ndodhej në krevat në shtëpinë e tij në Bursë, kur uji e ka përmbytur shtëpinë.

Shirat e rrëmbyeshëm mbrëmë shkaktuan rritjen e nivelit të ujit në lumenjtë në Bursë dhe derdhjen e tyre. Uji i ardhur i përmbyti  shtëpitë, ndërsa mori edhe një numër të madh të automobilave.

Bursa është një qendër kryesore industriale e Turqisë. ms/hr/12:15



###

Në Greqi grevë e të punësuarve në hekurudhë, në OTE dhe në posta

Athinë, 14 tetor 2010 (MIA) - Të punësuarit në hekurudhat greke hynë në grevë 24 orëshe për shkak të propozimit të qeverisë për ristrukturimin e kompanisë shtetërore të hekurudhave (OSE).

Për shkak të grevës trenat dhe metrotë do të qarkullojnë deri te aeroporti ndërkombëtar në Athinë.

Sot janë në grevë edhe të punësuarit në kompaninë për telekomunikim OTE, si dhe të punësuarit në postat greke  (ELTA) për shkak të politikës ekonomike të Qeverisë.

Parlamenti grek sot do të debatojë për propozim-ligjin për OSE-n, me të cilën parashikohet pakësimin e 2.300 vende të punës për shkak të borxhit të madh të kompanisë. ms/hr/10:36



###

Protesta para Ambasadës serbe në Tiranë

Tiranë, 14 tetor 2010 (MIA) - Disa dhjetëra të rinj shqiptarë janë mbledhur mbrëmë për të protestuar para Ambasadës së Serbisë në Tiranë, pas incidentit të ndodhur mbrëmë në stadiumin e Xhenovas në Itali, ku ultrasit serbë shfaqën hapur, para gjithë botës urrejtjen për shqiptarët, duke djegur flamurin kuq e zi.

Mësohet se të rinjtë mbajnë nëpër duar sllogane me mbishkrimin "Kosova është Shqipëri", për t'ju kundërpërgjigjur sloganit të ultrasve serbë "Kosova është Serbi", një slogan tjetër që mbajnë në duar është "Shqipëri etnike". Mësohet se forca të shumta policie kanë mbajtur nën vëzhgim protestuesit, të cilët kanë djegur para ambasadës edhe një flamur serb, transmetojnë mediat shqiptare.

Ndërkohë që tifozët shqiptarë reagojnë para këtij veprimi të mbushur me urrejtje, fotot e të cilit kanë bërë tashmë xhiron e botës.

Më herët ministri i Jashtëm serb, i kërkoi ndjesë Italisë, për trazirat e shkaktuara në Xhenova, ndërsa drejt Shqipërisë nuk ka asnjë reagim.

Reagimi i shqiptarëve vjen vetëm një ditë pas ndeshjes Itali-Serbi ku njerëz me precedentë penalë, ultranacionalistë serbë dhe tifozë fanatikë kanë çuar në ndërprerjen e ndeshjes dhe në akte të shumta dhune në të gjithë qytetin e Xhenovas.

Ngjarja ka lënë një shije të hidhur te të gjithë shqiptarët, duke qenë se bëhej fjalë thjesht për një ndeshje futbolli. ab/hr/9:11



###

Vizita e Klintonit në Ballkan është shenjë për lidhshmërinë amerikane ndaj rajonit

Uashington, 14 tetor 2010 (MIA) - Vizita e sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klonton në Ballkan është shenjë e lidhshmërisë së SHBA-së ndaj rajonit dhe integrimit të tij në Evropë, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krauli.

"Vizitën e Klintonit në Ballkan e nënvizon lidhshmëria jonë në rajon dhe integrimi i tij në Evropë. Porosia e saj në Sarajevë, Beograd, Prishtinë ishte e njëjta - duhet t'i tejkaloni tensionet ekzistuese dhe ndarjet historike", theksoi Krauli në konferencën për shtyp në Uashington.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se para vendeve të Ballkanit qëndrojnë mundësi të mëdha në kuptim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por shtoi se ekzistojnë edhe përgjegjësi, të cilat ato vende duhet t'i ndërmarrin.

"Hapat e ardhshëm janë të niset përpara drejt përfundimit të ndarjeve ekzistuese në ato shoqëri përmes dialogut, i cili në rastin e Serbisë dhe Kosovës mundet në fund të sjellë njohje të ndërsjelltë", shtoi Krauli. ab/hr/8:37



###

Klinton: Ballkani t'i japë Evropës një shembull

Prishtinë, 13 tetor 2010 (MIA) - Gjithë rajoni ka një mundësi për t'i dhënë Evropës një shembull, një rajon stabil ku të gjithë do të jetojnë bashkarisht, pavarësisht të kaluarës dhe përkatësisë së tyre, ka deklaruar sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë.

Klinton tha se strukturat paralele serbe në veri duhet të shuhen dhe se integrimi i kësaj pjese duhet të bëhet sa më shpejtë, në mënyrë që edhe qytetarët serbë të kësaj ane ta ndjejnë veten si pjesë e Kosovës. 

Sekretarja amerikane e Shtetit i ka porositur institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë për integrimin e veriut të Kosovës, në mënyrë që qytetarët serbë ta ndiejnë veten si qytetarë të barabart të Kosovës. Ajo tha se strukturat paralele serbe në veri duhet të shuhen.

"Jam e kënaqur që erdha në Prishtinë si sekretare e Shtetit. Shoh që Kosova po përparon. Po punoni për zhvillim ekonomik, duke privatizuar ndërmarrjet shtetërore si energjinë dhe shërbimet telekomunikuese. Duhet përmirësuar shërbimet për qytetarët. Jam shumë e kënaqur që jeni të fokusuar për intergimin evropian.Sapo takova serbët nga komunat e tyre dhe biseduam si të ndryshojmë jetën e tyre. Do të ketë një dialog të rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë", ka potencuar ajo.

Klinton ka shtuar se gjithë rajoni ka një mundësi për t'i dhënë Evropës një shembull, një rajon stabil ku të gjithë do të jetojnë bashkarisht, pavarësisht të kaluarës dhe përkatësisë së tyre. Ne besojmë se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të integrohen në Bashimin Evropian.

"Pa Ballkanin nuk mund të ketë Evropë të kompletuar", ka thënë sekretarja amerikan e e Shtetit, Hilari Klinton, në debatin e hapur me qytetarë që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë. mb/bsh/20:42

###

Tre persona janë vrarë gjatë përleshjes midis ushtarëve turq dhe kryengritësve kurdë

Ankara, 13 tetor 2010 (MIA) - Dy ushtarë dhe një kryengritës kurd janë vrarë gjatë një përleshje të armatosur në Turqinë Juglindore, njoftuan mediat turke.

Këmbim-zjarri ka shpërthyer sot në qarkun Tunxheli, pas së cilës kryengritësit e kanë injoruar urdhërin e ushtarëve të dorëzohen dhe të hapin zjarr mbi ta.

Kryengritësit në Partinë punëtore kurde (PKK) para ca kohësh publikuan armëpushim të njëanshëm me shpresë që të fillojnë dialog, por Turqia nuk i ndërmerr parasysh të gjitha deklaratat e këtilla. shk/bsh/19:56


###

Dellavekuras: Nuk ka përparim drejt NATO-s dhe BE-së pa zgjidhje të çështjes së emrit

Athinë, 13 tetor 2010 (MIA) - Është i pamundur përparimi në kursin euroatlantik të "IRJM"-së pa zgjidhje paraprake të çështjes së emrit, theksoi sot zëdhënësi i Ministrisë greke të Punëve të Jashtme, Grigori Dellavekuras.

"Shkupi duhet të përqëndrohet në procesin për zgjidhje të çështjes së emrit, i cili po udhëhiqet nën mandatin e ndërmjetësuesit të posaçëm të KB-së Methju Nimic, në vend se të tentojë ta ndryshojë procedurën për anëtarsim në NATO dhe BE pa zgjidhje të problemit", theksoi Dellavekuras në brifingun e rregullt për gazetarët në Athinë, transmetoi agjencia ANA-MPA.

Greqia, sipas tij, ka pasur pozitë të qartë, konstruktive dhe pozitive të pranuar nga të gjithë partnerët e saj. gj/bsh/17:13

###

Klinton vizitoi Manastirin e Graçanicës

Prishtinë, 13 tetor 2010 (MIA) - Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton vizitoi edhe Manastirin e Gracanicës, ku ka pasur një takim të veçantë me peshkopin Teodosije.

Takimi u zhvillua në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Graçanicës. Klinton tha se liderët serbë që bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duhet të mbështeten në mënyrë aktive.

"SHBA-ja mbështet liderët në çdo nivel, që punojnë për një Kosovë të bashkuar dhe demokratike", tha Klinton. bsh/16:28

###

Skender Hyseni: Vizita e Klintonit ngjarje historike

Prishtinë, 13 tetor 2010 (MIA) - Vizita e sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton, në Kosovë është ngjarje historike dhe rikonfirmim i Shteteve të Bashkuara për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Kështu vlerësoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, duke shprehur bindjen se Kosova ka përkrahjen e pakontestueshme amerikane edhe në procesin e bisedimeve me Serbinë. bsh/16:24

###

Ministri i mëparshëm shqiptar i Ekonomisë Dritan Prifti e braktisi partinë e Metës

Tiranë, 13 tetor 2010 (MIA) - Partia shqiptare Lëvizja Socialiste për Integrim  mbetet me një deputet më pak, pasi deputeti i deritashëm i saj, Dritan Prifti është larguar dje nga kjo parti, duke deklaruar vetë se shkak për largimin janë bërë mosmarrëveshjet me kryetarin Ilir Meta.

LSI-ja më 14 shtator ka bërë publik shkarkimin e Dritan Priftit nga detyra e ministrit të Energjetikës, duke e lënë kështu pa një post drejtues. Që nga shkarkimi i tij filluan edhe akuzat e ndërsjella mes tij e Metës, i cili aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Energjetikës.

Prifti ka bërë dje publike arsyet e largimit të tij, duke thënë se "familja e tij është kërcënuar nga Ilir Meta" nëpërmjet mesazheve në telefon.

Në një deklaratë të tij më 24 shtator, Meta ka hedhur akuza ndaj ish-ministrit Prifti, se kishte filluar të negocionte me kreun e PS-së, Edi Rama, kurse Prifti ka hedhur akuza për të kundërtën: se pikërisht Ilir Meta ishte takuar fshehurazi me Ramën. gj/bsh/16:08



###

Klinton: Nuk do të ketë bisedime për statusin dhe sovranitetin e Kosovës

Prishtinë, 13 tetor 2010 (MIA) - Sekretarja amrikane e shtetit Hilari Klinton, e cila qëndron sot për vizitë në Prishtinë, deklaroi se disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk do të diskutohen në bisedimet Prishtinë-Beograd.

Klinton, në konferencën me gazetarë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, tha se është e kënaqur që është e pranishme në Kosovë, jo vetëm zyrtarisht, por edhe personalisht, si anëtare e një familjeje, e cila është e përkushtuar ndaj këtij vendi.

"Presidenti Obama dhe unë jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Ballkanin për të arritur tek një prosperitet i qëndrueshëm, por dua të potencoj se edhe bashkëshorti im Bill Klinton është i lidhur me këtë vend", tha ajo.

Ajo tha se janë të impresionuar me të gjitha të arriturat në Kosovë.

"Vizita ime këtu është një votëbesim për përkushtimin e madh për ndërtimin e shtetit tuaj. SHBA-ja e ka mbështetur Kosovën për të vazhduar deri në këtë proces gjithashtu kemi mbështetur vendimin e GJND-së, vazhdojmë ta mbështesim Kosovën deri në realizimin e qëllimeve, tha Klinton.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi, falënderoi zonjën Klinton në emër të institucioneve të vendit dhe tha se suksesi i Kosovës është i lidhur me SHBA-të dhe zonjën Klinton personalisht.

Ai tha se e njoftoi atë për të arriturat e vendit.

"Ne jemi duke ndërtuar Kosovën si shtet demokratik dhe shumëtnik, po ashtu Kosova është duke bërë reforma të thella, si në politikë, legjislacion, ekonomi etj. Ne kemi bërë hapa shumë në fushën e integrimeve etj, pra jemi shumë të bindur se SHBA-në do t'i kemi përkrahës", tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës shtoi se Kosova ka hyrë në fazë të rëndësishme të konsolidimit dhe formimit të shtetit.

"Ju falënderojë për mbështetjen tuaj në të gjitha hapat e zhvillimit. Kosova gjithmonë ka pasur vullnet në ndërtimin e raporteve të mira me të gjithë fqinjtë, si me Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë dhe kemi vullnetin që raporte të tilla të ndërtojmë edhe me Serbinë, si dy shtete të barabarta për integrime në BE", tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës theksoi se vendimi i GJND-së, dhe mirëpritja e këtij vendimi nga Asambleja e Përgjithshme, ka hapur një kapitull për të përmbyllur një konflikt shumëshekullor me Serbinë.

"Dialogu është në shërbim të paqes dhe stabilitetit për Kosovën dhe Serbinë, por edhe rajonin. Besoj se dialogu do të përmbyllet me një sukses për të dyja vendet për integrime në BE", shtoi kreu i Qeverisë kosovare.

Sekretarja amerikane e Shtetit Klinton vlerëson se dialogu duhet të jetë një përvojë pozitive për Kosovën.

"Sonte në Bruksel dhe gjatë ditëve tjera do të strukturojmë me kolegët e mi të BE-së këtë dialog. Mendojmë që dialogu duhet të fillojë sapo të jetë i gatshëm, sepse edhe pse do të ketë zgjedhje këtu dhe vitin e ardhshëm në Serbi, dialogu duhet të fillojë në mënyrën më efektive që tëjetë e mundur. Sapo të përfundojnë konsultimet me BE. SHBA do të luaj një rol mbështetës, duhet të ketë një rrugë shumë të qartë për këtë dialog që nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Çështja e personave të zhdukur, për shembull, do të mund të fillonte që nesër”, tha Klinton.

Ajo shtoi se personalisht ka punuar me vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

"Kam një listë të vendeve, me të cilat SHBA-ja do të kontaktojë, sidomos pas mendimit të GJND-së, që zgjidhë çështjen e pavarësisë njëherë e përgjithmonë. Dialogu me Serbinë është një rast tjetër që do të mundësojë njohje të reja. Është një çështje që do të ketë mbështetje gjithnjë e më tepër gjatë muajve në vijim", shtoi ajo.

Sekretarja e shtetit Hilari Klinton do të vizitojë Manastirin e Graçanicës dhe më pas kryetarët e komunave me shumicë serbe që po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Ajo do t'u shprehë gatishmërinë amerikane për t’i mbështetur në mënyrë aktive.

"SHBA mbështesin liderët në çdo nivel, që punojnë për një Kosovë të bashkuar dhe demokratike", tha sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail