Shqipëria përfshihet nga moti i keq

Tiranë, 4 dhjetor 2010 (MIA) - Mbarë territori i Shqipërisë është përfshirë nga moti i keq me shira të rrëmbyeshëm.  Përgjatë 24 orëve të fundit është zgjeruar harta e përmbytjeve. Tashmë situata nuk paraqitet kritike vetëm në veriperendim te vendit, por edhe në pjesën qëndrore të saj, bën të ditur ATSH.

Qarku i Shkodrës vazhdon të përjetojë prej ditësh një situatë të rënduar. Reshjet e shiut në këtë rajon vazhdojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, ndërkohë që niveli i ujit në rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës është rritur dhe po përparon drejt qendrës së qytetit.

Transporti i banorëve në disa prej lagjeve të përmbytura bëhet vetëm me mjete lundruese. Sipas informacioneve nga Shtabi i Emergjencës Civile në këtë prefekturë, reshjet e dendura të shiut vazhdojnë edhe në komunat e tjera të Nënshkodrës, ku situata vazhdon të jetë shumë problematike, veçanërisht në komunat Dajç dhe Ana e Malit.

Numri i personave të evakuuar nga zonat e përmbytura në Shkodër i ka kaluar mbi 10 mijë vetë. Brenda në Shkodër janë vënë në dispozicion konviktet për strehimin e të evakuuarve. Autoritetet mjekësore raportojnë se në përgjithësi gjendja shëndetësore e të evakuuarve nuk është shqetësuese.

Ndërkohë presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha kanë inspektuar sot paradite Shkodrën, ku dhe janë takuar me banorë të kësaj zone.

Situatë kritike paraqitet edhe në Lezhë dhe Durrës nga reshjet dhe prurjet e shumta të lumenjve e përrenjve. Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës civile dhe ka ngritur Komitetin Ndërministror të Emergjencave, që kryesohet nga numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta.

Përgjatë gjithë ditës së premte e në vazhdim, forca të shumta janë përqendruar për forcimin e argjinaturës së Torrovicës, që ndan Qarkun e Lezhës me atë të Shkodrës, disa zona të të cilit janë përfshirë nga përmbytja.

Përsa i përket evakuuimit të banorëve, në Lezhë, prej dy ditësh atyre u është bërë e qartë situata e krijuar dhe u është kërkuar të evakuohen, ndërkohë që një pjesë e tyre, përgjatë gjithë natës, janë të pranishëm në punimet që po kryhen për riparimin e argjinaturës. Mësohet se niveli i ujit në argjinaturë me drejtim nga Shkodra ka arritur në 4-5 m lartësi.

"Komiteti Ndërministror, në bazë të qarqeve po e ndjek këtë situatë më shumë seriozitet në mënyrë të vazhdueshme", u shpreh sot zëvendëskryeministri Meta, pas një takimi gati dy orësh në Komisionin e Emergjencave Civile në Shkodër. "Qeveria është plotësisht e angazhuar për të përballuar këtë situatë vërtet tepër shqetësuese", tha ai.

Ndërkohë, situata në Fushë Krujë pas përmbytjeve të ditës së premte është nën kontroll. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i ngarkuar nga qeveria për të ndjekur situatën në qarkun e Durrësit, tha se "pikat e nxehta të hartës së përmbytjeve po normalizohen".

Lumi Zezë dhe Përroi i Bradhares, në zonën e Fushë Krujës, nga fryrja e të cilëve dje u përmbytën dhjetra shtëpi, sot janë në situatë të normalizuar.

Reshje të shumta janë shënuar edhe në Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Përmet. Reshjet e shiut, që kanë rënë gjatë orëve të natës dhe vazhdojnë ende, kanë shkaktuar përmbytjen e disa segmenteve kryesore rrugore dhe të hapësirave mes blloqeve të banimit.

Për rrjedhojë janë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe të kalimtarëve, të cilët janë të detyruar që në mjaft raste të mos dalin nga banesat e tyre, apo të përdorin mjete rrethanore për të hyrë në to.

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka njoftuar mbi situatën e rrugëve në vend, të cilat janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shumta të shiut në ditët e fundit në zonën Veriore, Qendrore dhe Lindore të vendit, reshje të cilat kanë fryrë tej normave lumenjtë dhe liqenet, ndërsa siguroi se Drejtoria e Përgjithëshme e Rrugëve, në bashkëpunim me drejtoritë Rajonale Rrugore dhe me firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve, janë ne gatishmëri të plotë, me mjete dhe personel teknik, për të kthyer rrugët në gjëndje normale për trafikun megjithëse reshjet vazhdojnë.

Qarku i Shkodrës paraqet vështirësitë më të mëdha. Në hyrje të qytetit të Shkodrës, para urës së Bunës dhe në Harkun e Bërdicës rruga është e pakalueshme pasi ka përmbytje të rrugës me rreth 1m ujë lartësi. Qarkullimi i mjeteve për në Shkodër bëhet vetëm nga Mjeda. Ndërsa qarkullimi për në Muriqan dhe Shirokë është i mundur vetëm për mjetet e larta.

Segmenti rrugor Shkodër - Harku i Bërdicës-Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit dhe mjetet qarkullojnë vetëm nga rrugë dytësore. Në segmentin rrugor Koplik - Dedaj - Bogë si rezultat i bllokimit te zona e Përroit të Thatë qarkullimi i mjeteve kryhet nëpërmjet një rruge dytësore provizore.

Në segmentin rrugor Shkodër - Hani i Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5 km deri te dogana, rruga është e pakalueshme pasi uji mbi rrugë është mbi 1 m.

Reshjet e dendura të shiut kanë prekur pjesën më të madhe të rajonit të Balkanit, duke detyruar mijëra persona të evakuohen nga zonat e rrezikuara. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia kanë pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e përmbytjeve. mb/14:24 



###

Zanier përfaqëson OKB-në në bisedimet Prishtinë - Beograd

Beograd, 4 dhjetor 2010 (MIA) - Shefi i UNMIKU-ut, Lamberto Zanieri ka deklaruar për numrin e sotëm të gazetës beogradase Politika se do t'i përfaqësojë Kombet e Bashkuara në bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Zanieri ka cekur se formalisht Sekretari i përgjithshëm i KB-së në një letërkëmbim me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kethrin Eshton, e ka emëruar atë si person kontakti i KB për dialog, bashkë me shefin e Zyrës së KB në Beograd, Endrju Gilmor.

Zanieri ka bërë të ditur se për këtë është njoftuar edhe BE-ja, si dhe për problemet të cilat konsiderohet se duhet të tejkalohen me anë të dialogut.

Kombet e Bashkuara besojnë se dialogu do të ndihmojë zgjidhjen e shumë çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë jetën e përditshme të atyre që jetojnë në Kosovë, ka përfunduar shefi i UNMIK-ut në intervistën për të përditshmen beogradase Politika. mb/12:55



###

Shqipëria kërkoi ndihmë nga NATO për ballafaqimin me vërshimet

Tiranë, 4 dhjetor 2010 (MIA) – Qeveria e Shqipërisë, përkatësisht Ministria e Brendshme ka kërkuar mbrëmë nga Aleanca Veri-atlantike NATO që të dërgojë helikopterë dhe mjete të rënda për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve dhe parandalimin e sanimin e pasojave të rënda nga përmbytjet që kanë përfshirë ditëve të fundit sidomos veriun e Shqipërisë, por edhe më gjerë.

"Kërkuam ndihmë nga NATO-ja. Presim ndihmë për transport. Furnizimi është bërë në të gjitha pjesët përveç se në territorin e Velipojës. Objektet tona lundruese dhanë përpjekje maksimale që të arrijnë edhe atje, por ishte e pamundur", deklaroi ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami.

Sipas raporteve të fundit, janë vërshuar mbi 13 mijë hektarë tokë, janë evakuuar mbi 10 mijë banorë, ndërsa janë përmbytur edhe shumë objekte banimi dhe ndihmëse.

Pos reshjeve të shumta, që kanë fryer të gjithë lumenjtë në Shqipëri, dje janë hapur edhe të gjitha portat e liqeneve artificiale, për arsye të rrezikut nga shpërthimi i digave në to. Shkarkimet e tilla me siguri do të rëndojnë edhe më shumë situatën, prandaj edhe është kërkuar ndihma nga NATO-ja. shk/mb/11:03


###

Jeremiq me kritikë për përfaqësuesin evropian në Kosovë, Piter Fejth

Beograd, 2 dhjetor 2010 (MIA) - Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq sot i vlerësoi deklaratat e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Fejth, si "shqetësuese", me mundësi të interpretimit si thirrje për dhunë.

"Kjo është edhe një nga seria e deklaratave brengosëse të Fejthit, të cilat mund të interpretohen si thirrje për dhunë. Përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë, posaçërisht në momente të tilla, duhet të mbajnë llogari për deklaratat e veta, sepse me to munden seriozisht ta destabilizojnë situatën edhe ashtu të brishtë në Kosovë", theksoi Jeremiq.

Fejth dje në Bruksel deklaroi se është mjaft i befasuar nga deklarata e presidentit serb, Boris Tadiq në forumin e OSBE-së në Astanë, se çdo ndryyshim i gjendjes në terren do të çojë në ndërprerjen e dialogut të ardhshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Deklarata e Presidentit Tadiç në samitin e OSBE-së se ‘çdo ndryshim i realiteteve në terren do të nënkuptonte fundin e dialogut me Prishtinën’ është befasuese, sepse mendoj se realitetet udhëhiqen në terren nga qytetarët e jo nga qeveritë", tha më tej Feith.

I dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë përmendi dhe  krimin e organizuar, korrupsionin në nivele të larta, privatizimet, gjyqësorin, e shumë çështje të tjera problematike për vendin, por këto fenomene, sipas Feith ekzistojnë në Kosovë ashtu sikundër dhe në vendet e tjera të rajonit. ab/mp/19:05



###

Përmbytjet në Shqipëri, 13 mijë hektarë tokë nën ujë

Tiranë, 3 dhjetor 2010 (MIA) - Emergjencat Civile në një njoftim të fundit për mediat shqiptare kanë publikuar bilancin e përmbytjeve që kanë përfshirë Shkodrën dhe zonat përreth.

Sipas këtij institucioni, liqeni i Shkodrës është rritur me 11 cm nga rreshjet e fundit.

Gjithsej janë përmbytur rreth 13 mijë hektarë tokë, 2100 shtëpi dhe mbi 2470 banesa janë të rrethuara nga uji.

Nga zonat në rrezik janë evakuuar mbi 3940 familje, ku janë përfshirë në operacione mbi 1500 policë dhe ushtarë.

Të bllokuara janë rrugët për në Muriqan, Velipojë, Shirokë dhe Zogaj, ndërkohë që është e pakalueshme rruga për në fshatin Obot i Vjetër, ku niveli i ujit në rrugë është një metër.

Në Malësinë e Madhe, aksi Tamarë-Vermoshë kalohet me vështirësi, ndërsa ai Tamarë–Vukël është i pakalueshëm.

Probleme qarkullimi edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ndërkohë që është dëmtuar traseja hekurudhore pranë fshatit Muçaj. mp/18:49




###

Martonji: Zgjërimi i BE-së është kyçe për stabilizimin e rajonit

Budapest, 3 dhjetor 2010 (MIA) - Zgjërimi i Bashkimit Evropian është kryesor për vazhdimin e stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perendimor, që është interes i përbashkët për Hungarinë dhe Bullgarinë, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Janosh Martonji gjatë mbledhjes me kolegun e tij bullgar Mlladenov në Budapest.

Sipas Mlladenovit, në pikëpamje të vendeve nga Ballkani Perëndimor, kryesimi paraprirës i Hungarisë me Unionin do të llogaritet si i suksesshëm gjatë periudhës gjashtëmujore nëse Kroacia i përfundon negociatat, Bashkimi Evropian e përfundon shqyrtimin e aplikimit të Serbisë për anëtarësim, Malit të Zi të fitojë statusin e kandidatit, ndërsa Beogradi dhe Prishtina të fillojnë dialog.

Martonji theksoi se një nga prioritetet e Hungarisë gjatë kohës me kryesimin me BE-në në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të jetë inkuadrimi i Bullgarisë dhe Rumunisë në shengen zonën çka mundë të pritet në pjesën e dytë të mandatit.

Shefi i diplomacisë hungareze theksoi se politika energjetike është me rëndësi të madhe për të dy vendet. veçanërisht ndërtimi i gazëpërçuesit "Nabuko". gj/mp/17:19



###

Llajçaku është kandidati më serioz për ndihmës të Eshtonit në Ballkan

Bruksel, 3 dhjetor 2010 (MIA) - Ministri i mëparshëm i Punëve të  Jashtme të Sllovakisë dhe përfaqësues i lartë i mëparshëm ndërkombëtar për BeH Mirosllav Lajçak, është kandidati më serioz për ndihmës të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Ketrin Eshton, i cili sipas analistëve duhet të jetë i angazhuar për Ballkanin.

Lajçak, sipas diplomatëve evropianë është më përshtatshëm për funksionin e ndihmësit të Eshtonit, i cili duhet të merret me çështjet e Ballkanit, Rusisë, Turqisë, Azisë së Mesme dhe pjesës jugore të Kaukazit, publikoi gazeta sllovake "SME".

"Gjatë pesë deri dhjetë vitet e kaluara, për politikën evropiane Ballkani paraqet prioritet numër një. Në atë rajon egziston rrezik nga destabilizimi politik, si dhe ballafaqimi me emigrimin dhe krimin e organizuar", deklaroi për gazetën sllovake analisti politik nga Qendra për reforma evropiane Hugo Bradi.

Nëse zgjidhet për këtë funksion, funksioni diplomatik i Lajçakut do të filloj më 1 janar të vitit 2011.

Internet faqja "European voice", publikoi se Lajçak është në mëdyshje mes funksionit shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë dhe pozitës në shërbimin  e ri të  politikës së jashtme të BE-së e vendosur me Marrveshjen e Lisbonës, e cila zyrtarisht filloi  punën nga 2 dhjetori, por në praktikë pritet të bëhet funksionale prej 1 janarit.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail