Përbërja e qeverisë së re në Kosovë nën pikëpyetje

Prishtinë, 10 shkurt 2011 (MIA) - Hashim Thaçi nuk ka mundur të martën t’ia premtonte Behgjet Pacollit postin e presidentit të shtetit, pasi për këtë nuk e ka mbështetjen e mjaftueshme në partinë e tij.

Burime të besueshme të "Kohës Ditore" njoftuan dje se janë deri në 10 deputetë të PDK-së që nuk do ta votonin Pacollin për president. Kjo, për shkak se duan që posti i kreut të shtetit t'i takojë PDK-së.

"Thaçi ka marrë sinjale nga disa deputetë se do të dalin me listë alternative kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit. Janë 8 deri në 10 deputetë që nuk do të votojnë për Behgjet Pacollin. Ata janë të vendosur që ky post t’i takojë Jakup Krasniqit", tha burimi i gazetës. 

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe një nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, duke mos dashur t’i përmendej emri në gazetë, për shkak të shmangies së problemeve eventuale në parti. Ky zyrtar ka bërë të ditur se "mbështetësit e Krasniqit" janë takuar ditë më parë në një nga restorantet në periferi të Prishtinës, në shenjë pakënaqësie me liderin e partisë, që nuk po i mbante të informuar me rrjedhat e procesit për ndërtimin e institucioneve të reja.

"Në atë takim është vendosur që t’i dërgohet mesazh Hashim Thaçit, se ai nuk mund t’i lërë anash njerëzit që e kanë ndërtuar partinë dhe që vazhdojnë të jenë ndër më të votuarit në popull. E mesazhi më i mirë ka qenë që t’i tregohet Thaçit se president nuk mund të zgjidhet askush tjetër pos Jakup Krasniqit", ka shtuar ai.

Sipas këtij zyrtari, "të pakënaqurit" janë të sigurt se do t’i bëjnë 25 nënshkrime për ta propozuar Krasniqin për president, në rast se Thaçi përcaktohet që këtë post t’ia lërë AKR-së së Behgjet Pacollit.

"Tashmë është duke u përgatitur lista me emra të mbështetëseve të Krasniqit", ka njoftuar ai. I njëjti ka shprehur besimin se kandidatura e Krasniqit do të merrte mbështetje edhe nga deputetët e LDK-së dhe ata të AAK-së, për faktin se Krasniqi është përpjekur që të jetë parimor gjatë ushtrimit të detyrave të tij zyrtare.

Pavarësisht tensioneve të brendshme në parti, Thaçi është takuar të martën Pacollin dhe janë pajtuar në parim që të bashkëqeverisin në mandatin e ardhshëm. Gazeta ka raportuar për këtë, duke u mbështetur në burime jozyrtare, por të mërkurën zyrtarë partiakë kanë konfirmuar takimin.

"Ka qenë takim joformal, i cili ka ndodhur mbrëmë, në të cilin në parim është treguar vullneti për formimin e qeverisë, ndërsa nuk ka një marrëveshje të përfunduar, apo nuk ka finalizim të asaj që është folur", ka thënë Mimoza Kusari-Lila, zëvendëspresidente në AKR. Në takim është prezantuar vullneti për të bërë bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme.

Edhe në PDK kanë folur për takimin, mirëpo nuk kanë dhënë detaje. Megjithëkëtë, në këtë parti kanë thënë se përgjigje të gjitha çështjeve do t’i jepet pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, që pritet të mbahet të enjten pasdite.

"Pas mbledhjes së nesërme të Kryesisë së partisë ne pastaj do t’i publikojmë të gjitha këto. Së pari ne duhet të bëjmë një ftesë zyrtare. Ne kemi konfirmuar edhe dje se ftesa do t’i bëhet këtij subjekti politik", ka thënë Blerand Stavileci, zëdhënës në PDK, pa qenë në gjendje të thotë nëse Thaçi ka mundur t’ia garantonte postin e presidentit Pacollit.

Të gjitha këto çështje do të jenë të biseduara dhe të negociuara gjatë bisedave dhe negociatave zyrtare. Ne vazhdimisht kemi deklaruar se në këtë moment e vetmja gjë e sigurt është posti i kryeministrit, e të tjerat janë të diskutueshme dhe të negociuara.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve zyrtare, burime të gazetës brenda PDK-së kanë bërë të ditur të mërkurën se kjo parti llogarit në mbështetjen e 65 deputetëve. Kjo ngaqë, sipas këtij burimi, koalicioni qeverisës do të përbëhet nga 34 deputetë të PDK-së, 8 të AKR-së, 1 i listës "Dr. Ibrahim Rugova" dhe 22 të subjekteve të komuniteteve pakicë.

Bazuar në qëndrime të mëhershme publike, AKR-ja ka kushtëzuar pjesëmarrjen në qeveri me garantimin e postit të presidentit të shtetit për Behgjet Pacollin dhe me disa ministri, SLS-ja ka shprehur synime për të pasur më shumë se dy ministri, ndërsa grupi parlamentar 6+ është deklaruar se do më shumë se një ministri.
Por, problemi qëndron tek posti i presidentit. Zgjedhja e tij bëhet në mënyrë të fshehur dhe për t’u votuar një kandidat nevojiten minimum 61 vota, dhe madje në raundin e tretë të votimit.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se AKR-ja po insiston që në marrëveshje të precizohet që së pari të zgjidhet presidenti e pastaj qeveria. Kjo ngaqë, sikur së paku 5 deputetë të PDK-së të mos e votojnë Pacollin për president, apo cilindo kandidat tjetër të AKR-së, atëherë ky subjekt mbetet pa njërën prej pozitave kryesore të udhëheqjes së shtetit.

Po sipas këtyre burimeve, në PDK insistojnë që fillimisht të zgjidhet Qeveria, e zgjedhja e presidentit të lihet deri në mars. E megjithëkëtë, në PDK llogarisin në votat e AKR-së.

Zëdhënësi Blerand Stavileci ka thënë se prej ditës së publikimit të rezultateve e dinë se mund ta bëjnë shumicën në Kuvend.

"Ne i kemi numrat e mjaftueshëm. Ka qenë një orientim tjetër për të pasur një qeveri me përfshirje më të madhe, por sido që të jetë, që nga dita e parë ne i kemi pasur numrat", tha Stavileci.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail