Thaçi: Kosova dhe Serbia mbajnë dialog për herë të parë si dy shtete të pavarura dhe sovrane

Prishtinë, 9 mars 2011 (MIA) - Kosova dhe Serbia mbajnë dialog për herë të parë si dy shtete të pavarura dhe sovrane në nivel të barabartë, tha sot pasdite kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë kosovare.

"Dialogu në mes të Republikës së Kosovës dhe  Serbisë ka filluar në kuptimin e takimeve fillestare, për herë të parë si dy shtete ta pavarura dhe sovrane, në nivel të barabartë, me një lehtësim dhe prezencë të fuqishme edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian", theksoi Thaçi në fillim të mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri Thaçi tha se ky dialog i nisur është "në kuadër të axhendës euroatlantike për Kosovën evropiane,  për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal e perspektivën euroatlantike të dy shteteve tona, për të diskutuar çështjet praktike në interes të gjithë qytetarëve".

E gjithë kjo, shtoi ai, është "në kuadër të kornizave kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës". 

Thaçi vlerësoi diskutimet dhe mendimet e prezantuara në debatin e inicuar nga qeveria e republikës së Kosovës në Parlamentin e Kosovës. "Çdo mendim i ri dhe shtesë që do të vijë nga Parlamenti i Kosovës do të jetë i mirëpritur për qeverinë", theksoi kryeministri Thaçi.

"Ne duam dhe do të punojmë që të kemi punë të përbashkët në ekipe të përbashkëta me gjithë spektrin politik, edhe opozitën, edhe shoqërinë civile", shtoi ai.

"Dëshiroj t'i falënderoj përfaqësuesit e shoqërisë civile për idetë interesante që kanë dhe po prezantojnë në mbështetje të këtij procesi. Kjo çështje e dialogut të fqinjësisë së mirë si shtete të pavarura tejkalon kornizat e ngushta partiake", u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.

Në Bruksel ka vazhduar sot në ditën e dytë raundi i parë i dialogut Kosovë-Serbi për çështje praktike, i filluar mbrëmë  dhe i sponsorizuar nga BE.

Burime mediatike në Prishtinë në raportimet nga Brukseli bëjnë të ditur se mbrëmë "janë trajtuar" çështjet e librave amzë dhe të kadastrit, ndërsa sot, përveç këtyre dy çështjeve, bisedohet edhe për CEFTA-n, vulat e doganave dhe për hapësirën ajrore.

Është bërë e ditur se dialogu mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë filloi mbrëmë në zyrën e kryesuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Robert Kuper, që është i ngarkuar i përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton.

Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila mbrëmë pas takimit u shpreh se procesi i dialogut do ta përforcojë axhendën evropiane, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë. Ajo tha se kreativieti mund t'u ndihmojë të dyja palëve për të përmirësuar jetën e njerëzve, por edhe për çuarjen përpara të axhendës evropiane të të dyja shteteve. 

Ndërkaq, përfaqësuesi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviq, tha se temat e para që po diskutohen janë qarkullimi ajror, problemi i doganave dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me kadastrat.

Sipas zyrtarëve të BE-së, pritet që në përgjithësi në dialog të shtrohen rreth 20 tema që duhet të zgjidhen. Bashkimi Evropian ka thënë se kjo është koha e duhur për Beogradin dhe Prishtinën që të gjejnë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e thjeshtë të të dyja vendeve.

Raundi i parë i dialogut Kosovë-Serbi pritet të përfundojë në pasditën e sotme, ndërsa raundi i dytë sipas burimeve mediale pritet pas rreth dy javësh.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail