Masturbimi: Ja çfarë thonë feja dhe shkenca!

Masturbimi është mirë të studiohet duke u bazuar në dimensionet si ai fetar, mjekësor dhe social. Masturbimi… term që sa herë që përmendet shkakton debate fetare, shoqërore madje edhe mjekësore.

Duke parë përhapjen e gjerë të këtij fenomeni, në të gjithë sferat shoqërore e kulturore, si tek meshkujt ashtu dhe femrat, ai ka nevojë për një studim të përgjithshëm, nga këndvështrime të ndryshme, larg imazhit të krijuar dhe larg përgjigjeve shabllone që dëgjojmë rëndom.

Masturbimi është mirë të studiohet duke u bazuar në dimensionet si ai fetar, mjekësor dhe social. Shpesh herë ndodh që mendimet janë të kundërta dhe të ndryshme edhe brenda njërit dimension. Ne e pamë të domosdoshme që t’i qasemi një teme të tillë, duke u rrekur që të kemi një panoramë më të qartë dhe koncept më të detajuar.

Përqindje dhe paradokse

Nuk ekziston asnjë aktivitet tjetër seksual që shkakton debate, mospajtime dhe sinjale alarmi dhe që në të njëjtën kohë praktikohet në nivelet më të larta, siç është masturbimi. Me gjithë gjykimet fetare, shoqërore, morale dhe mjekësore, është vërtetuar nga sondazhet (sidomos ato të Alfred Kinzi) se pothuaj të gjithë burrat dhe tre të katërtat e grave kanë masturbuar në një periudhë të jetës së tyre. Disa prej tyre kanë vazhduar të masturbojnë gjatë gjithë jetës, ndërkohë që të tjerët janë shkëputur prej tij.

Sipas disa studimeve më të fundit në shoqëritë perëndimore, ku ky fenomen studiohet nën dritën e sondazheve, është gjetur se 88 % e pesëmbëdhjetë vjeçarëve masturbojnë. Kjo përqindje fillon dhe bie me rritjen e moshës. Sipas studimit, gjysma e të martuarve, si nga burrat dhe nga gratë, vazhdojnë të masturbojnë gjer në moshën pesëdhjetë vjeçare, madje edhe më vonë. Ka burra që vazhdojnë të masturbojnë gjer në vitet e vona të jetës.

Sipas informacioneve, në shoqëritë arabe dhe islame nuk ekziston ndonjë studim që të tregojë përqindjen e atyre që masturbojnë, si nga burrat dhe nga gratë.

Në këto vende, studime të kësaj fushe janë të vështira për shkak të opinionit, damkës shoqërore dhe qëndrimit moral e fetar, të cilat i detyrojnë njerëzit ta mbajnë të fshehtë. Për këtë, çdo studim që mund të kryhet është e vështirë të pasqyrojë realitetin. Kjo ka bërë që shumë studiues në fushën e psikologjisë, të mos ndërmarrin studime të këtij lloji.

Megjithatë, përvoja mjekësore dhe jetësore, thekson përhapjen e këtij fenomeni në një shkallë të gjerë të popullsisë, sidomos tek shtresa e të rinjve, të cilët janë nën trysninë e joshjeve seksuale si nga kanalet satelitore, interneti ashtu dhe nga rruga. Sakaq, mundësitë për t’u martuar janë të ulëta, por edhe nëse martesa realizohet, bëhet në një moshë të vonuar. Që këtu, e menduam të udhës ta studiojmë këtë çështje nga këndvështrime të ndryshme dhe asnjanëse.

Përkufizimi

Termi më i përdorur është “masturbimi”, ndërkohë që në gjuhën popullore përdoren terminologji të ndryshme, sipas krahinave. Masturbimi është fërkimi i organeve gjenitale, i shoqëruar me imagjinatë seksuale ose jo, për të arritur në ejakulim të spermës.

Beteja e masturbimit

Për shkak të konfliktualitetit të disa mendimeve mjekësore dhe fetare, shumë të rinj dhe adoleshentë e gjejnë veten të përfshirë në një betejë të hidhur dhe të dhimbshme me masturbimin.

Të gjendur nën presionin e instinktit seksual, dhe pamundësisë për ta përmbushur këtë nevojë në rrugë natyrale, ata masturbojnë derisa varen prej saj.

Mandej, mendimet dhe idetë që ajo që po bëjnë u shteron energjitë, u zverdh ngjyrën e fytyrës, shkakton puçrrat në fytyrë, dobëson shikimin, shkakton dridhje të gjymtyrëve, ul përqendrimin dhe rrit hallakatjen. Kjo gjendje përkeqësohet dhe tensioni shtohet, kur dëgjojnë se masturbimi është haram fetarisht. Këtu, revoltohen ndjenjat e fajit, të cilat mund të vazhdojnë për vite me radhë, të shoqëruara me vlerësim të ulët për veten, ndjenjë inferioriteti,dobësie dhe nënçmimi.

Disa psikologë mendonin se gjendja e lodhjes nervore dhe dobësisë së përgjithshme, shkaktohet pikërisht nga varësia prej masturbimit. Më vonë, studimet shkencore zbuluan se këtë gjendje mund ta shkaktonte ndjenja e frikës, ajo e fajit, konfliktit me veten, dëshirës dhe pamundësisë për t’u shkëputur. Të gjitha këto, shkaktojnë shterim të energjive.

Për shkak të familjarizimit me masturbimin dhe besimit se është diçka e refuzuar si nga feja, shoqëria dhe mjekësia – gjë e cila nuk e pengon të vazhdojë masturbimin – e shtyn drejt një gjendjeje dualizmi.

Në shoqëri, ai shfaqet si një person i edukuar, i bindur dhe pa komplekse, sakaq kur gjendet në vetmi, vepron krejtësisht ndryshe. Kjo, ia rrënjos thellë idenë se është hipokrit, mashtrues, frikacak dhe i dobët, më keq akoma, ndjen dhe kënaqësi duke u ndjerë fajtor dhe gjynahqar.

Qëndrimi mjekësor

Ky qëndrim pasqyrohet qartë në informacionin e lehtë që gjendet në referencat shkencore, qëndrim të cilin do të tentojmë ta përmbledhim në:

Masturbimi konsiderohet si prova dhe eksperimenti i parë i marrëdhënieve seksuale. Ai është një praktikë e fshehtë vetjake, e cila paraprin marrëdhëniet në çift, ku gjendet dhe pala tjetër. Disa kanë mendim të gabuar kur mendojnë se masturbimi fillon vetëm pas pjekurisë seksuale, gjë e cila nuk është e vërtetë. Kjo, sepse tentativat për vetë ngacmim dhe stimulim fillojnë jo në moshën e fëmijërisë, por që foshnje, ku fëmija prek organet e tij gjenitale dhe ndjen njëfarë kënaqësie për shkak të ekzistencës së receptorëve të ndijueshmërisë seksuale që gjenden në këtë zonë. Kënaqësia që ndjen, e shtyn ta përsërisë këtë veprim. Ka fëmijë të cilët zhyten thellë në praktikën e masturbimit, derisa ndihen të rraskapitur dhe të lodhur, gjë e cila i shqetëson familjarët e fëmijës.

Ky masturbim fëmijëror, lind si një lloj pasioni për të zbuluar dhe eksploruar veten. Ashtu siç prezantohet me gishtat dhe gojën e tij, fëmija kërkon të njihet dhe me organet e tij gjenitale dhe prodhuese. Por, prekja dhe stimulimi i këtyre organeve, i fal një lloj kënaqësie dhe gëzimi, gjë e cila e shtyn ta provojë sërish derisa t’i krijohet interesi për këto organe dhe emocionet që i shoqërojnë.

Shpesh herë, nënat përpiqen ta ndalojnë fëmijën e tyre që t’i prekin organet gjenitale, gjë e cila shton kuriozitetin e fëmijës për këto organe që nuk u dashkan prekur. Kjo, e rrënjos dhe përforcon masturbimin. Sipas studimeve, fëmijët fillojnë të tregojnë interes për organet e tyre gjenitale nga mosha 15-19 muajsh. Kurioziteti për organet gjenitale nuk kufizohet vetëm tek të tyre, por shtrihet dhe tek organet gjenitale të personave të tjerë, si një lloj dëshire për të ditur më shumë. Ata tregojnë interes për organet gjenitale të prindërve, fëmijëve të tjerë, madje dhe kafshëve. Që këtu, fillojnë përpjekjet për zbulimin dhe shikimin e organeve të fëmijëve me njëri-tjetrin. Kjo mund të ndalet thjesht tek shikimi, por mund të kalojë dhe në prekje. Këto sjellje, konsiderohen normale nëse nuk janë të zhytur dhe i përsërisin pa pushim. Pra, ato janë sjellje kalimtare në jetën e fëmijës, të cilat i mbeten të kaluarës gjatë zhvillimin psikologjik dhe shoqëror të tij, nëpërmjet të cilit ai mëson vetëkontrollin social, e dallon çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet vepruar sipas moshës dhe zhvillimit.

Me qëllim që kjo të ndodhë, duhet që dëshira për njohjen dhe zbulimin e trupit, të mos rrethohet me ndjenja faji të rëndë, paralajmërime frikësuese dhe ndëshkime të dhimbshme. Diçka e tillë ka efekt të kundërt dhe e përforcon sjelljen negative, e ndez dëshirën më shumë për t’u thelluar në këto organe të cilat edhe pse të falkan kënaqësi, na qenkan të ndaluara për fëmijët.

Me zanafillën e pjekurisë dhe rritjes së aktivitetit të hormoneve seksuale, shpërthen edhe dëshira dhe rriten mundësitë për ushtrimin e masturbimit tek adoleshentët. Sidomos duke ditur faktin se ata nuk kanë mënyrë tjetër për shkarkimin e kësaj energjie dhe nuk i posedojnë aftësitë e duhura për menaxhimin pozitiv të saj. Kjo është më e theksuar tek adoleshentët e qetë dhe të vetëmbyllur, të cilëve u mungojnë lidhjet shoqërore dhe nuk kanë orientime kulturore dhe sportive që i mbushin. Në raste të tillë, energjitë e këtyre të rinjve orientohen drejt masturbimit.

Në këtë periudhë moshe, dëshirat seksuale ushtrojnë presion tepër të madh mbi adoleshentin, i cili është i aftë për aktivitet seksual, por që barrierat dhe normat shoqërore e pengojnë. Kjo gjendje i shkakton tension të madh dhe e shtyn të kërkojë një shteg ku mund ta lehtësojë këtë barrë dhe presion.

Atij i gjendet pranë masturbimi, i cili e bën të ndjejë identitetin e tij seksual por që edhe nuk e ekspozon para problemeve shoqërore.

Është fakt që djemtë masturbojnë në një masë më të madhe se femrat dhe arrijnë më kollaj orgazmën.

Ka dallim të madh mes masturbimit në fëmijëri dhe masturbimit në adoleshencë.

Në adoleshencë, masturbimi shoqërohet me imagjinata seksuale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit seksual më vonë. Nëse imagjinatat seksuale shoqërohen dhe orientohen drejt seksit tjetër, përforcohet identiteti seksual ndaj seksit tjetër. Por nëse fantazitë orientohen drejt të njëjtit seks, orientimi seksual brenda të njëjtit seks përforcohet me shtimin e fantazive të tilla. Këto fantazi, pësojnë shtrirje me masturbimin në moshën e rinisë për t’u zëvendësuar me aktivitetin normal seksual pas martese. Por ka njerëz që vazhdojnë të masturbojnë edhe pas martesës, sidomos kur kontakti seksual është i pamundur me bashkëshorten, për shkak të distancës, shtatzënisë, lindjes, sëmundjes së bashkëshortes etj…

Në një përqindje të ulët burrash, masturbimi vazhdon të jetë alternativa më e preferuar sesa marrëdhëniet seksuale normale edhe në kushtet kur kjo e fundit është e mundur. Kjo ndodh për shkak të rrënjosjes së këtij vetë stimulimi seksual, gjë e cila bëhet shkak për probleme bashkëshortore, pasi burri e përmbush nevojën e tij seksuale me masturbim duke u distancuar nga e shoqja.

Një ndër studiuesit më të njohur të sjelljeve seksuale, Kenzi, pohon se shumica e grave preferojnë stimulimin e klitorit, gjatë masturbimit. Master dhe Xhonson – ndër studiuesit e njohur të sjelljeve seksuale – theksojnë se gratë preferojnë stimulimin e qafës së klitorit dhe jo majës së tij, pasi ky i fundit është shumë i ndjeshëm.

Sakaq, meshkujt masturbojnë duke stimuluar qafën dhe majën e penisit, ndonjëherë edhe në mënyrë të dhunshme. Tek të dy sekset,ekzistojnë mënyra dhe forma të tjera masturbimi, sipas natyrës dhe tipit të çdo njeriu. Disa nga këto forma, janë të rrezikshme për organet seksuale, sidomos tek vajzat, të cilat herë pas here tentojnë të fusin në vagjinë sende të forta dhe të dëmshme, të cilat shkaktojnë çarjen e cipës së virgjërisë, çarje dhe infeksione të organit.

Edhe pse disa mendojnë që masturbimi shkakton sëmundje psikologjike dhe rënie të aftësisë seksuale, në fakt, nuk ekzistojnë argumente shkencore që e vërtetojnë këtë hipotezë. Mesa duket, mendime të tilla kanë të bëjnë më shumë me këndvështrimin moral dhe social të masturbimit.

Nga këndvështrimi mjekësor, masturbimi shndërrohet në sëmundje në tre raste:

1 – Kur bëhet imponues, që do të thotë se personi nuk e kontrollon dot por masturbohet herë pas here edhe pse nuk ndjen kënaqësi.

2 – Kur shpërdorohet në masë të madhe. Çfarëdo shpërdorimi, konsiderohet si çrregullim jashtë kufijve të shëndetit normal ku ruhet vetëkontrolli. Shpërdorimi në këtë rast shkakton këputje, nervozizëm dhe konfuzion, ashtu siç çon dëm energjitë e njeriut të cilat mund të shfrytëzoheshin për aktivitete pozitive alternative.

3 – Kur bëhet alternativë e marrëdhënieve normale seksuale. Në këtë rast, personi mjaftohet me masturbimin dhe distancohet nga burri ose gruaja.

Duke qenë se masturbimi ekziston tek të gjithë kulturat, studiuesit mendojnë se ai është një etapë e zhvillimit psikoseksual dhe se në raste të caktuara është një aktivitet adaptues derisa të sigurohen marrëdhëniet seksuale normale.

Ky ishte shkurtimisht mendimi i mjekësisë, i shkëputur nga disa referenca ku më i rëndësishmi është:

Synopsis of Psychiatry , By Sadock ,B and Sadock , V , vol 2 , 2004

Kjo është një referencë kryesore psikiatrie në shumë shtete të botës. Disa mund të pajtohen ose jo me ato që u cekën më lart, por vizioni mjekësor mbetet për t’u rishikuar nga studimet shkencore dhe statistikat. Si çdo shkencë tjetër, edhe mjekësia ka hapësirat e duhura për korrigjime, studime dhe hulumtime të reja.

Mendimi i fesë në lidhje me masturbimin

Edhe pse i dërguari i Zotit a.s nuk ka lënë gjë pa shtjelluar dhe sqaruar, fenomenin e masturbimit ai e ka lënë nën hije, edhe pse ai ishte i njohur dhe i përhapur sidomos mes të rinjve të asaj kohe dhe të çdo kohe tjetër. Është e paimagjinueshme që i dërguari i Zotit a.s ta harrojë një çështje kaq të përhapur dhe të përfolur. Kjo na bën të mendojmë se masturbimi hyn tek ato çështje për të cilat është heshtur si mëshirë për njerëzit dhe vlerësim për dobësitë e nevojat e tyre.

Në nivel Kuranor, Zoti thotë në suren Mearixh:“e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse ndaj bashkëshorteve dhe skllaveve të veta – në këtë rast nuk meritojnë qortim, por kush kërkon jashtë këtyre caqeve, pikërisht ata janë shkelësit..”(Mearixh, 29-31)

Të njëjtat fjalë janë cekur dhe në suren Muminun:“të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)” (Muminun, 5-7)

Thotë Ibnu Kethiri në interpretimin e ajeteve të sures Muminun:”Të përmendurit në ajet, janë ata që e ruajnë nderin nga harami, nuk i shkelin dispozitat dhe ndalesat e Zotit si marrëdhëniet jashtëmartesore dhe homoseksuale, duke mos kryer marrëdhënie seksuale veçse me gratë e tyre ose skllavet. Ata që veprojnë sipas normave dhe dispozitave të Zotit, nuk janë fajtorë. Çdo marrëdhënie tjetër jashtë kuadrit të martesës apo me skllavet, konsiderohet shkelje e ligjeve të Zotit.”

Këtë ajet e ka përdorur imam Shafiu si argument për ndalimin e masturbimit me dorë. “të cilët e ruajnë nderin e tyre, përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim”.

Masturbimi me dorë është përjashtim nga marrëdhëniet me gratë dhe skllavet dhe ata që përdorin rrugë e metoda të tjera përveç të lartpërmendurave, konsiderohen shkelës, sipas ajetit.

Ekziston dhe një hadith i transmetuar nga Enes ibnu Malik, i cili i ka qetësuar shumë dijetarët që mendojnë se masturbimi është haram.

Sipas këtij hadithit, Profeti a.s thotë:”Shtatë kategori njerëzish nuk do i shohë Zoti Ditën e Kiametit, nuk do i pastrojë, nuk do i bashkojë me njerëzit e tjerë dhe do i fusë në zjarr me njerëzit e parë, përveç nëse pendohen dhe Zoti ua pranon pendimin. Ata janë:”Ai që martohet me dorën e tij, homoseksuali pasiv qoftë apo aktiv, pijaneci, ai që rreh prindërit derisa fillojnë të kërkojnë ndihmë, ai që lëndon komshinjtë derisa fillojnë ta mallkojnë dhe ai që kryen marrëdhënie seksuale me gruan e komshiut.” Ky është një hadith garib dhe në zinxhirin e transmetimit, ekzistojnë persona që nuk njihen. Zoti e di më mirë. (Tefsiri Ibnu Kethirit, volumi III, faqe 249-250)

Dijetarët myslimanë kanë mospajtime lidhur me interpretimin e ajetit “por kush kërkon jashtë këtyre caqeve”.

Mendimet e tyre janë si më poshtë:

(1) Medh-hebi Shafi dhe Maliki mendojnë se masturbimi hyn tek gjithçka jashtë kurorës martesore dhe marrëdhënieve me skllavet. Rrjedhimisht, kushdo që kryen një vepër të tillë konsiderohet shkelës, prandaj dhe kjo vepër është haram. Sipas këtij mendimi dhe gjykimi, masturbimi është ekuivalent i marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, gjë të cilën nuk e ka pohuar askush. Ky gjykim në fakt nuk mbështetet në asnjë argument të qartë.

(2) Medh-hebi Hanefi, mendojnë se jashtë caqeve që përmendet në ajet, hyjnë marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore. Bazuar në këtë, masturbimi është diçka e papëlqyeshme (mekruh) dhe mund të lejohet vetëm në tre raste:

1 – Kur personi ka frikë nga marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore.

2 – Ai që e praktikon duhet të jetë beqar, i pamartuar.

3 – Duhet ta praktikojë me qëllim që të mposhtë epshin që e tundon dhe jo për ta stimuluar atë.

Thotë sheh Sejjid Sabik lidhur me masturbimin në librin e tij Fikhu Sunne, volumi II:”Masturbimi i një burri me dorë, është një vepër e cila bie ndesh me vlerat dhe moralet të cilat duhet të karakterizojnë një njeri. Dijetarët kanë mospajtime lidhur me gjykimin e këtij fenomeni. Disa prej tyre e kanë gjykuar absolutisht haram. Disa të tjerë e kanë gjykuar haram vetëm në disa raste dhe obligim në disa raste të tjera. Sakaq, ka të tjerë që e shohin si një vepër të papëlqyeshme. Ata që e kanë gjykuar si haram, janë dijetarët e medh-hebit Shadi, Maliki dhe Zejditë. Argumenti ku bazohen për këtë gjykim, është se Zoti i lartësuar, në Kuran urdhëron për ruajtjen e nderit në çdo rrethanë, përjashtuar marrëdhëniet brenda kurore dhe ato me skllavet. Nëse dikush vepron diçka jashtë këtyre dy përjashtimeve dhe masturbon me dorë ai konsiderohet shkelës i ndalesave të Zotit. Thotë Zoti në Kuran:“e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse ndaj bashkëshorteve dhe skllaveve të veta – në këtë rast nuk meritojnë qortim, por kush kërkon jashtë këtyre caqeve, pikërisht ata janë shkelësit..” (Mearixh, 29-31)

Sakaq, dijetarët që e kanë gjykuar si haram në disa raste dhe detyrë (vaxhib) në disa raste të tjera, janë dijetarët e medh-hebit hanefi.

Ata mendojnë se masturbimi është detyrë (vaxhib) nëse frikësohet se kryen marrëdhënie jashtëmartesore, sipas parimit “Veprimi i dëmit më të vogël”.

Ata gjykojnë se është haram në rast se bëhet për të stimuluar dhe nxitur epshet dhe për tu eksituar. Veç kësaj, e gjykojnë si diçka jo të keqe nëse njeriu sundohet nga epshi, të cilin e shuan duke masturbuar me dorë, por vetëm nëse nuk është i martuar.

Dijetarët e medh-hebit hanbeli nuk e kanë gjykuar masturbimin si haram, vetëm në rastin kur praktikohet për të shmangur marrëdhëniet jashtëmartesore, nëse nuk ka grua apo nuk mund të martohet, ose kur bëhet për qëllime shëndetësore.

Kurse imam Ibnu Hazmi, mendon se masturbimi është diçka e papëlqyeshme (mekruh) por nuk konsiderohet gjynah. Kjo, sepse prekja e penisit me dorën e majtë lejohet sipas gjykimit dhe konsensusit të gjithë dijetarëve të umetit. Në rastin e masturbimit, nuk kemi diçka më shumë përveç qëllimit për të derdhur spermën. Prandaj, kjo nuk është haram. Vetë Zoti në Kuran thotë:”Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar” (En’am, 119) Sakaq, çështja e masturbimit nuk është diçka e ndaluar në mënyrë të prerë dhe të qartë. Prandaj ky veprim është hallall për vetë faktin se Zoti:” Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.” (Bekare, 29)

Masturbimi shihet si diçka e papëlqyeshme pasi renditet tek gjërat që cenojnë moralin dhe dinjitetin. Neve na është transmetuar se njerëzit e kanë pleqëruar çështjen e masturbimit, ku disa e kanë gjykuar si të papëlqyeshme dhe disa e kanë lejuar. Nga ata që e kanë gjykuar si të papëlqyeshme është Ibnu Umer dhe Ata, kurse ata që e kanë lejuar është Ibnu Abasi, Hasani dhe disa nga elita e brezit të tabi’inëve.

Thotë Hasani:”E praktikonin gjatë betejave.” (Fundi i mendimit të Sejjid Sabik)

Në Enciklopedinë e Fikuht Bashkëkohor Islam, në kapitullin “Problemet e komuniteteve myslimanë nën dritën e fikhut islam” thuhet si vijon:

“Asnjë njeri me logjikë nuk e mohon dot se ky (masturbimi) është një ves i turpshëm dhe një akt që e refuzon natyra e pastër njerëzore. Shumë prej dijetarëve e kanë gjykuar si haram masturbimin me dorë. Padyshim që kjo ndalesë buron nga origjina e pastër humane, e cila i kërkon njeriut që këtë energji ta orientojë dhe përdorë në mënyrën e duhur. Ky gjykim, buron dhe nga logjika drejt të cilës të çon ajeti:“të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)” (Muminun, 5-7)

Padyshim që ajo që kuptohet nga ajeti, është se çfarëdo eksitimi dhe kënaqësie seksuale përtej marrëdhënieve bashkëshortore dhe me skllavet, është haram. Masturbimi është diçka përtej këtyre marrëdhënieve.

Ky është gjykimi i imam Malikut dhe shumicës së dijetarëve. Por imam Ahmedi ibnu Hanbel e konsideron spermën si diçka të tepërt në organizëm, prandaj lejohet të nxirret dhe të derdhet ashtu si rrjedhja e gjakut. Megjithatë, fakihët hanbeli e kanë kushtëzuar këtë lejim me dy gjëra:

E para, të bëhet në rast se besimtari i frikësohet imoralitetit (marrëdhënieve jashtëmartesore).

E dyta, kur e ka të pamundur për t’u martuar.

Doktor Jusuf Kardavi, ndan të njëjtin mendim me sheh Muhamed Gazzali, sheh Husnejn Mahluf, doktor Seid Ramdan Buti, dr. Abdul Aziz Khajat, Ali Tantavi etj… të cilët mendojnë se në rastin e masturbimit, gjykimi më i drejtë është ai i imam Ahmedit. Ai e lejon masturbimin në rastin kur ndizet dhe shpërthen epshi seksual dhe besimtari frikësohet nga harami. Ka të rinj të cilët kanë emigruar ose kanë vajtur për studime në vende larg vendlindjes së tyre, në Evropë, Amerikë etj… vend ku faktorët epshndjellës janë shumë të fuqishëm. Në raste të tilla, nuk prish punë që të rinjtë myslimanë të praktikojnë këtë mjet (jo të natyrshëm) për të kontrolluar epshin e tyre, por me kusht që të mos e teprojë dhe mos i bëhet ves.

Këta dijetarë i këshillojnë të rinjtë e ekspozuar ndaj joshjeve dhe tundimeve seksuale, që t’u drejtohen qendrave islame, të integrohen në aktivitetet dhe shoqërinë e tyre, të shtojnë agjërimin ditët e hëna dhe të enjte etj… (fundi i fjalës së dr Abdul Halim Avis)

Masturbimi pas martese

Ndodh tek disa njerëz, që vesi i masturbimit të vazhdojë edhe pas martese. Kjo gjë u ndodh zakonisht në tre raste:

1 – Kur ndodhen larg bashkëshorteve fizikisht, për arsye udhëtimi, menstruacioneve, lehonisë apo sëmundjes. Me tu hequr pengesat e kontaktit fizik, këta persona e ndërpresin masturbimin dhe vazhdojnë jetën e tyre seksuale në kuadrin bashkëshortor.

2 – Kur njëri nga bashkëshortët, preferon masturbimin nga marrëdhëniet normale seksuale bashkëshortore. Kjo vjen si pasojë e vartësisë së krijuar nga masturbimi, apo dështimi i marrëdhënieve seksuale normale me partnerin, që plotësojnë nevojat e tij. Kjo mund t’u ndodhë dhe personave ego maniakë, personave të vetëmbyllur, ose për shkak të ftohjes së marrëdhënieve në çift.

Disa bashkëshortë pohojnë se ndjejnë kënaqësi më të madhe gjatë masturbimit sesa gjatë marrëdhënieve seksuale të rregullta me gratë. Kjo, sepse në raste të tilla masturbimi shoqërohet me fantazi të pakufizuar seksuale, foto dhe skenare nga më eksitusit gjatë masturbimit. Disa prej tyre, mund të kenë dhe orientime homoseksuale, por që preferojnë masturbimin e shoqëruar me imagjinatë të atij orientimi, në vend të marrëdhënieve seksuale me seksin e kundërt.

3 – Kur e praktikon njëri bashkëshort me ndihmën e tjetrit. Ky është tregues i prirjeve egomaniake dhe lidhjeve me imagjinatën e fëmijërisë dhe të adoleshencës, në vend të marrëdhënieve më të pjekura. Kjo mund të konsiderohet si diçka e pranueshme, nëse kryhet në mënyrë të ndërsjellët, si një nga format e eksitimit mes dy bashkëshortëve.

4 – Kur masturbimi lidhet me sjellje të sëmura si shfaqja e organeve gjenitale para njerëzve, gjë e cila shoqërohet me një farë kënaqësie; përgjimi vjedhurazi i dikujt gjatë ndërrimit të veshjes ose sheh dy bashkëshortë gjatë marrëdhënieve seksuale mes tyre; mund të jetë një person i sëmurë (skizofren ose maniak) dhe masturbon në prani të njerëzve pa iu skuqur faqja, madje mund të masturbojë në prani të familjarëve të tij.

Vijueshmëria e masturbimit edhe pas martese në mënyrë të rregullt, mund të shkaktojë komplikacione dhe probleme, pasi çon dëm energjitë seksuale jo me partnerin, gjë e cila shkakton ftohje mes bashkëshortëve. Kur partneri e zbulon këtë fakt, e konsideron si injorim dhe neglizhencë, cenim të personalitetit dhe agresivitet. Kjo, përveç opinionit të vetë masturbuesit që krijon për veten, për këtë akt të papjekur.

Të imagjinuarit e masturbimit, pasojat dhe treguesit

Imagjinatat e mëparshme të shoqëruara me masturbim, janë të rëndësishme pasi përcaktojnë preferencat seksuale të individit. Prandaj, ne si specialistë interesohemi duke pyetur, pasi ato zbulojnë prirjet dhe orientimet nëse janë në drejtimin normal, apo kanë marrë drejtim dytësor të gabuar dhe të çuditshëm.

Detajet e këtyre fantazive kufizohen dhe shtrihen sipas nivelit kulturor të personit dhe aftësive të tij për të prodhuar imazhe mendore të cilat ia shtojnë kënaqësinë dhe që ndonjëherë e bëjnë të ejakulojë edhe pa ledhatim të organit, apo me ledhatimin më të vogël. Ky lloj masturbimi, njihet me emrin vetëmasturbimi. Disa lloj imagjinatash, mund të mbështesin orientimet seksuale, normale qofshin apo të devijuara. Kjo, sepse përsëritja e ndjenjës së kënaqësisë nga orgazma, me prezencën e një imagjinate të caktuar, e përforcon këtë imagjinatë dhe e shndërron në një çështje erotike drejt të cilës orientohet energjia seksuale.

Kjo metodë mund të përdoret në korrigjimin e disa orientimeve seksuale jonormale. Fantazitë lidhen me kuptimet kulturore të dashurisë dhe seksit, të cilat në disa raste mund të jenë të sforcuara, pasi përdoren imazhe dhe fjalë të cilat nuk mund të përdoren në kontekstin normal të një personi. Por me gjithë sforcimin dhe banalitetin, mund të vërë në lëvizje ndjeshmërinë e personit dhe dëshirat e tij. Por mund të pasqyrojë edhe nivelin e ulët të jetës, e cila është më e lirë, më erotike, më primitive dhe më e zhytur në epshe, larg çdo norme civilizuese dhe qytetëruese.

Lloje masturbimi

1 – Masturbimi eksplorues. Zakonisht ndodh tek fëmijët dhe adoleshentët, si një lloj pasioni për të eksploruar. Ai mund të ndërpritet pas një farë kohe, por edhe mund të marrë forma të tjera. Sipas informacioneve tona, pasi hulumtuam dhe kërkuam mjaftueshëm, nuk kemi gjetur ndonjë hadith të saktë rreth masturbimit. Të gjithë hadithet që citohen për këtë temë, ose janë të pasaktë ose të sajuar, siç ishte hadithi “Masturbuesi me dorë është i mallkuar”.

2 – Masturbimi eksitues. Në këtë rast, personi masturbon me qëllim që të ndjejë sa më shumë kënaqësi. Aq më tepër kur mësojmë se organet gjenitale janë të pajisura me një sasi të stërmadhe nervash ndijor, të cilët sigurojnë kënaqësinë maksimale.

3 – Masturbimi shkarkues. Personi masturbon kur ndjen presionin e papërballueshëm të epshit seksual, duke i shkaktuar tension. Menjëherë pas masturbimit, ai ndjen se ngarkesa e depozituar më parë sapo u shkarkua, kështu ndihet i qetë për disa orë ose ditë, derisa ngarkesa dhe energjia seksuale të kërkojë të shkarkohet sërish.

4 – Masturbimi i detyruar. Në këtë rast, personi ndihet shumë i tensionuar për shkak të presionit të madh që ushtrojnë dëshirat seksuale mbi të. Presioni dhe dëshira për të masturbuar është aq e madhe saqë nuk përballohet dot. Edhe pse ky person orvatet t’i rezistojë, në fund dorëzohet dhe masturbon që të relaksohet për një farë kohe. Tensioni i kthehet sërish pas një periudhe relativisht të shkurtër, sërish orvatet ta përballojë, sërish dështon … Diçka e tillë mund t’i përsëritet disa herë në ditë e shoqëruar me ndjenjën e fajit dhe gabimit pas çdo masturbimi. Personi që bie pre e masturbimit të detyruar, nuk ngopet dhe nuk ndjen se i plotëson nevojat e tij në atë formë. Kjo, pasi orgazma ndodh në nivel organik dhe jo në nivel psikologjik. Është pikërisht orgazma që ndodh në nivel psikologjik, ajo që realizon ngopjen e plotë. Për të arritur këtë nivel orgazme, lipset partneri seksual i vërtetë, sidomos nëse kjo bëhet në një atmosferë paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi të ndërsjellët. Shuarja e epshit nuk është një cilësi fiziku, por në radhë të parë është cilësi shpirti.

Masturbimi i detyruar i shpeshtë, përngjan më shumë me narkomanët të cilët nuk ngopen me lëndët droguese. Ai gjithmonë mbetet nën ndikimin e nevojës për drogë. Është njëlloj me atë që pi ujë deti për të shuar etjen, por sa më shumë që pi aq më shumë i shtohet etja.

Masturbimi i detyruar mund të shndërrohet dhe në vetë ndëshkim, ku ndëshkimi mund të prezantohet në dy mënyra: Vetë akti i cili përfaqëson shterimin e energjisë dhe brejtja e ndërgjegjes që pason aktin.

5 – Masturbimi i personit të turpshëm dhe të vetëmbyllur, i atij që ikën prej aktualitetit. Njerëz të tillë, gjejnë pengesa dhe hasin shumë vështirësi në krijimin e marrëdhënieve shoqërore të shëndosha me të tjerët, sidomos me seksin e kundërt. Këta persona i dorëzohen botës së imagjinatës, të zhytur në qoshen dhe guaskën e tyre. Seksin tjetër, ai nuk e sheh veçse si një objekt seksual, prandaj vihet në siklet dhe ndihet konfuz kur përballet me të, ndihet sikur të gjithë fantazitë dhe imazhet do e demaskojnë dhe skandalizojnë. Për këtë, ai sikletoset, i skuqet fytyra, i mbahet goja dhe në rastin më të afërt shmanget dhe largohet.

Ky person, anon më shumë nga vetëkënaqësia, larg njerëzve të tjerë. Masturbimi i mjafton dhe e bën të ndihet i panevojshëm për partnerin e seksit tjetër, të cilit as që guxon t’i afrohet dhe të përballet me të.

6 – Masturbimi demoralizues. Personi në fjalë, e përdor masturbimin si mjet për të dalë nga demoralizimi. Personat që praktikojnë këtë lloj masturbimi, janë dy tipe: I pari, është tipi agresiv, që shfrytëzon masturbimin për të nxjerrë inatin dhe zemërimin. Ai sikur ndëshkon veten e tij dhe të tjerët, duke masturbuar dhe njëherazi shoqëron kënaqësinë me ndëshkimin. Meqë i nevojitet kohë e gjatë për të ndëshkuar veten dhe të tjerët, ai e përsërit masturbimin disa herë në ditë, derisa të ndihet i rraskapitur dhe i rrënuar si fizikisht ashtu dhe shpirtërisht.

I dyti është tipi depresiv, të cilit i mungon dashuria dhe kënaqësia. Me anë të masturbimit, ai orvatet të aktivizojë aftësinë e tij për t’u kënaqur, ose të imagjinojë një projekt apo histori dashurie. Edhe depresivi shoqërohet me ndjenjën e fajit. Ai e ndëshkon veten duke u zhytur thellë e më thellë në masturbim, si mjet për shterimin e fuqisë.

7 – Masturbimi maniak. Në këtë rast, maniaku të cilit i pëlqen vetja dhe është i dhënë pas saj. Për të, vetja e tij është mënyra më e mirë për t’u kënaqur. Për këtë, ai vetë kënaqet duke luajtur me organet e tij gjenitale. Kjo lojë mund të jetë në vend të marrëdhënieve me një partner të seksit të kundërt.

8 – Masturbimi skizofrenik. Një person me skizofreni, është i mbyllur me veten dhe i izoluar nga bota. Ai nuk ka aftësi dhe mundësi të ndërtojë marrëdhënie njerëzore normale. Për këtë, masturbimin e hasim me shumicë mes skizofrenëve, aq më tepër që shumica e tyre nuk martohen.

Masturbimi dhe asfiksimi

Një mënyrë tjetër e ushtrimit të masturbimit, është dhe ajo që njihet me emrin vetë eksitomi me asfiksi, ku personi masturbon ndërkohë që orvatet të mbysë veten me diçka të lidhur për qafe. Kjo bëhet me qëllim që orgazma të jetë në nivelin e saj më të lartë, duke pakësuar sasinë e oksigjenit që shkon në tru. Kështu, bllokohen qendrat e kontrollit që janë të instaluara në tru, gjë e cila u jep rastin qendrave të eksitimit dhe agresive të shpërthejnë, duke arritur maksimumin e kënaqësisë.

Për shkak të kësaj metode masturbimi, në Amerikë humbasin jetë 500 – 1000 njerëz çdo vit, edhe pse nuk synojnë vetëvrasjen. Shumica e atyre që masturbojnë në këtë formë, janë ato meshkuj të cilëve u pëlqen të vishen me rrobat e seksit tjetër, gjë e cila i eksiton. Shumica e tyre janë adoleshentë dhe kanë prirje mazokiste. Zakonisht vuajnë dhe nga çrregullime psikike, si skizofrenia dhe çrregullime të humorit.

Për shkak të përhapjes së gjerë të internetit, shumë të rinj në mbarë botën, përpiqen të imitojnë këtë lloj kënaqësie dhe aventure. Edhe në vende të botës arabe, janë shënuar raste të tilla, ku tentativa të tilla kanë përfunduar me vdekje. Rastet kur flitet për vetëvrasje në media nuk janë të pakta, por prapaskena e këtyre vetëvrasjeve asnjëherë nuk publikohet.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail