Seancë konstitutive e Parlamentit të Kosovës më së voni të mërkurën Prishtinë, 15 korrik 2017 (MIA) - Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet javën e ardhshme, me shumë mundësi të mërkurën, konfirmojnë zyrtarë të koalicionit fitimtar PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën) Ata thonë se tashmë i kanë siguruar votat e nevojshme të deputetëve dhe presin që edhe Qeveria të votohet në të njëjtën ditë. Në anën tjetër, deputetë të LDK-së dhe të AKR-së thonë se nuk do ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër, shkruan gazeta Zëri. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet javën që vjen, më së largu ditën e mërkurë. Kështu bëjnë të ditur përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN). Një gjë e tillë, sipas tyre, është diskutuar edhe në takimin që presidenti Hashim Thaçi pati me të nominuarin për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme. Në këtë takim me presidentin, përpos Haradinajt, morën pjesë edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, shkruan Zëri.
|