"Politiko": BE-ja sërish e interesuar për Ballkanin, vetëm në mënyrë selektueseBruksel, 11 dhjetor 2017 (MIA) - Bashkimi Evropian dëshiron të tregojë se kujdeset për Ballkanin, por atë dashuri nuk e ndjejnë të gjithë njësoj, bëri të ditur portali nga Brukseli "Politiko". Në tekstin me titull "Brukseli sërish në Ballkan, por në mënyrë selektuese" theksohet se në muajt e fundit BE-ja sërish zbulon interes për Ballkanin, e shqetësuar nga tentimet e Rusisë që të ndikojë ndaj rajonit dhe keqësimit të marrëdhënieve midis disa shteteve të rajonit. "Liderët e BE-së filluan të dërgojnë sinjale se rruga ndaj Brukselit ende është e hapur", bëri të ditur "Politiko". Portali përkujton se edhe kryetari i KE-së, Zhan Klod Junker dhe presidenti francez Emanuel Makron theksuan se BE-ja duhet të jetë e hapur për anëtarët e Ballkanit Perëndimor. "Politiko" thekson edhe se Junker dhe kryetari i PE-së, Antonio Tajanai do ta vizitojnë rajonin në fillim të vitit të ardhshëm. "Bullgaria dëshiron që eurointegrimet e shteteve të Ballkanit të jenë prioritet për kryesimin e tyre me BE-në në gjysmën e parë të vitit 2018. Brukseli, ndërkaq, nuk parasheh që të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të inkuadrohen në BE në të njëjtën kohë", shton "Politiko". KE-ja i emëroi Serbinë dhe Malin e Zi si favorite për anëtarësim në BE deri në vitin 2025, nëse jo edhe para kësaj. Fokusi i atyre dy shteteve shkaktoi ankth, konfuzion dhe zemërim midis tjerëve në rajon, thekson Politiko. KE-ja thekson se ndarja e Serbisë dhe e Malit të Zi e reflekton faktin se vetëm ato dy shtetet kanë filluar negociata për anëtarësim. Komisari për zgjerim, Johanes Han tha se ata stimulojnë konkurrencë të shëndoshë midis kandidatëve potencialë në zbatimin e reformave të nevojshme. Sipas tij, Komisioni është i gatshëm të rekomandojë fillim të negociatave me Shqipërinë dhe eventualisht edhe me Maqedoninë në gjysmën e parë të vitit 2018, por, siç shtoi, kjo do të ndodhë vetëm nëse anëtarët e BE-së mbështesin një propozim të tillë.
|