33.bmp)
Tiranë, 21 nëntor 2013 (MIA) - Mbrëmë në një aksident tragjik në aksin rrugor Tiranë - Elbasan, humbi jetën deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi.
Babai i dy fëmijëve, Olldashi ka pasur një karrierë të sukseshme politike e profesionale, teksa ka mbuluar poste të rëndësishme ministrore në vitet 2005-2013 dhe ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në tre legjislatura.
Prej Shtatorit 1987 deri në Qershor 1991, z. Olldashi ka ndjekur Shkollën e Mesme të Përgjithshme "Naim Frashëri", në Durrës. Në periudhën Tetor 1991 - Qershor 1995, Sokol Olldashi ka ndjekur studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. (Diplomuar jurist), ndërsa në vitin 2004 ka ndjekur Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar).
Veprimtarinë politike Sokol Olldashi e ka nisur si anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990. Gjithashtu Olldashi ka qenë anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së.
Në periudhën Maj 2002 - Shtator 2007, ka qënë zgjedhur Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Në periudhën Maj 2005 - Maj 2009 ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës. Olldashi ka qenë anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002. Në periudhën Qershor 2001 - Maj 2005, Sokol Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumëemërore). Më pas në vitet 2005 - 2007 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës. Në vitet 2009 - 2013, z. Olldashi ka qenë deputet i Qarkut Fier. Që nga viti 2013 Olldashi ishte deputet i Qarkut Fier.
Ndërkohë në vitet 2005 - 2007, Sokol Olldashi ka qenë Ministër i Brendshëm, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2013 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Transportit.
Karrierën profesionale në media, Olldashi e nisi në nëntor 1999 kur ka qenë Kryeredaktor në televizionin ATN1 deri në Qershor të viti 2001. Më pas Olldashi ka qenë zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën "Albania" në periudhën Tetor 1995 - Nëntor 1999. Gjatë periudhës Tetor 1994 - Janar 1996, Olldashi ka punuar si reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).