Kievi nuk dëshiron takim "Gjeneva-2" derisa nuk zbatohet marrëveshja e takimit "Gjeneva-1" Kiev, 13 maj 2014 (MIA) - Kievi nuk e sheh të nevojshme mbajtjen e takimit të ri për krizën ukrainase apo "Gjeneva-2", derisa nuk zbatohet marrëveshja e arritur midis BE-së, SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës më 17 prill në takimin në Gjenevë, deklaroi sot zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Evgenij Perebejnos.
Siç njofton ITAR-TASS, deklarata e Perebejnosit pasoi pasi paradite kryeministri ukrainas, Arsenij Jacenjul deklaroi se Kievi angazhohet në takimin e ri eventual për tejkalimin e krizës ukrainase për të marrë pjesë vetëm përfaqësues të BE-së, SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Qëndrimi i këtillë i Kievit është në kundërshtim me kërkesën e Rusisë, e cila propozon në takimin e ri për tejkalimin e krizës të marrin pjesë edhe përfaqësues të "rajoneve ukrainase".
Marrëveshja e Gjenevës parasheh çarmatimin e formacioneve të armatosura ilegale, lirimin e të gjitha ndërtesave të pushtuara nga ana e protestuesve, amnistimin e tyre dhe fillimin e dialogut mbarëukrainas për pajtim nacional.
Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme ruse bëri thirrje sa më shpejtë të fillojë zbatimi i planit të OSBE-së për dalje nga kriza në Ukrainë.
Sipas Moskës, nëse zbatohet plani i OSBE-së, i cili siç theksohet në kumtesë, parasheh edhe lirimin e të burgosurve politik dhe ndalimin e "frikësimit të popullsisë me përdorimin e forcës", atëherë edhe"liderët e vetëmbrojtjes në Donbas dhe Lugansk do të përgjigjen në mënyrë përkatëse".
|