UT e shënoi 23 vjetorin e themelimit

Tetovë, 6 dhjetor 2017 (MIA) - Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia e Universitetit, në krye me rektorin Vullnet Ameti, bashkë me senatorët, dekanët, profesorët dhe studentët, bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip Abdylselam Emini dhe te varri i Rektorit të parë dhe historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Ngjarja kryesore e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit u përmbyll me një akademi solemne që u mbajt në amfiteatrin e Rektoratit. Në këtë akademi, përveç udhëheqësisë së universitetit, të pranishëm ishin edhe një numër i madh i personaliteteve publike si: rektorë e dekanë të universiteteve nga vendi dhe rajoni, akademikë, politikanë, deputetë, udhëheqës të bashkësive fetare, përfaqësues të biznesit dhe medies.
Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti. Ai tha se Universiteti i Tetovës filloi me punë sot e 23 vjet më parë, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diskriminimit që i bëhej popullit shqiptar të trevave tona dhe për të trasuar një të ardhme më të mirë për të gjitha etnitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.
"Shikuar në këtë prizëm, universiteti është platforma jonë e përbashkët, pikë gërshetimi e historisë sonë, e traditave tona, vizionit dhe idealit tonë të përbashkët. Këtu si askund tjetër mbruhet imazhi për vetveten dhe reflektimi përtej vetvetes. Universiteti i Tetovës sot vërtet feston ditëlindjen e 23-të, por është shumë më i vjetër se kaq, sepse ai lindi nga ëndrra shekullore për arsimim në gjuhën amtare, prandaj edhe mozaikun e tij, përveç shpirtit të kohës, e plotëson edhe shpirti i të shkuarës, gjaku, djersa, mundi, sakrifica dhe përvuajtja e gjyshërve, stërgjyshërve dhe katragjyshërve tanë. Ai është trualli ynë i përbashkët, ku ne për çdo vit mbjellim fidanë të rinj dhe përkujdesemi me përkushtimin më të madh për ta dhe bashkërisht i japim jetë mbarë shoqërisë, nuk lejojmë që errësira të zërë vend para dritës, pështjellimi përpara arsyes dhe injoranca përpara dijes, duke e pasuruar atë me përvoja, njohuri dhe mjete ushqyese të reja. Për shumë kohë, ky truall i përbashkët ka qenë dhe ende vazhdon të jetë vizion pushtimi nga të katër anët, megjithatë Universiteti i Tetovës do të mbetet toka jonë e shenjtë, vendi ku u ngjiz homogjenizimi kombëtar dhe filloi të jehojë gjuha jonë e ëmbël shqipe. Kthim pas nuk ka dhe më fuqishëm se kurrë ne do ta vazhdojmë rrugën drejt dijes dhe progresit, drejt të ardhmes së fëmijëve tanë, drejt qytetërimit dhe emancipimit. Nëse ne tani, në retrospektivë shikojmë pas në çdo vit akademik, përpara syve na shfaqet një universitet përplot dinamikë, i cili shkallë-shkallë po merr konturat e një institucioni prijës në vend dhe rajon dhe bëhet anëtar i devotshëm i rrjetëzimit evropian dhe botëror universitar. Vetë trajektorja e kohës e dëshmon këtë më së miri, e cila njeh vetëm ngritjen përpjetë dhe asgjë tjetër. Jo vetëm konsolidimi infrastrukturor e dëshmon këtë, me objektin, mësonjëtoret moderne, laboratorët shkencorë, fushat dhe salla e sportit, por, para së gjithash, puna fisnike e Universitetit dëshmohet edhe me themelimin e revistave shkencore për çdo fakultet veç e veç, të cilat tashmë kanë filluar të botohen edhe në gjuhën angleze dhe të indeksohen ndërkombëtarisht, me lëvizshmërinë e studentëve, stafit akademik dhe administrativ nëpër universitetet më prestigjioze evropiane, me pjesëmarrjen në programet e Komisionit Evropian, me thithjen e projekteve të shumta evropiane, akreditimin e profesorëve tanë në udhëheqës shkencorë në nivelin master dhe studimet e doktoraturës", tha rektori Ameti.
Në përmbyllje të fjalës së tij, rektori i UT-së, prof. dr.Vullnet Ameti, para të pranishmëve në këtë akademi u shpreh se për çdo përvjetor të Universitetit të Tetovës, shprehin mirënjohjen për figurat eminente nga fusha të ndryshme, sidomos e ndjejnë borxh t’i nderojnë personalitetet, që kanë dhënë një kontribut të çmuar
Në këtë akademi ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vendin tonë Fatos Reka i cili tha se UT-ja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të tërë të studentëve dhe më vonë të inxhinierëve, arsimtarëve e kështu me radhë.
Ndërsa në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, me fjalë përshëndetëse auditorit iu drejtua rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema. Ai tha se me themelimin e Universitetit të Tetovës gjendja politike, ekonomike, sociale, shoqërore e kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni ka ndryshuar dukshëm.
Pas fjalimeve përshëndetëse në këtë akademi, Universiteti i Tetovës e laureoi me titullin Doctor Honoris Causa filantropin dhe biznesmenin e mirënjohur shqiptar Lazim Destani.
Laureatit Lazim Destani ia ndau diplomën Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe bashkë me të ia dhuroi edhe Flamurin dhe Logon e madhe të Universitetit të Tetovës, si dhe portretin e Rektorit të parë dhe historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.

Pas marrjes së diplomës, Lazim Destani në fjalën përshëndetëse tha se është kënaqësi dhe privilegj që është në Universitetin e Tetovës për ta pranuar çmimin më të lartë shkencor që e jep ky universitet, titullin Doktor Nderi.
"Ju faleminderit për vlerësimin e lartë që po më bëni. Ky nderim nuk më takon vetëm mua, por të gjithë atyre që më mbështetën e që kemi punuar së bashku. Ata janë një varg i tërë njerëzish duke nisur nga prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët e mi, e deri te njerëzit që i kam pasur pranë vetes gjatë gjithë karrierës sime. Përpjekjet dhe sakrificat për ngritjen e Universitetit të Tetovës akoma i kemi të freskëta në kujtesën tonë. Janë të gjithë ata profesorë e studentë dhe mbarë populli ynë që me përkushtim të madh, bënë aq shumë që ne sot ta shohim Universitetin e Tetovës përkrah universiteteve më të mirë të rajonit. Andaj, nga kjo foltore, do të doja fillimisht t’ju drejtohem juve të dashur studentë. Unë optimizmin tim e mbështes te ju, te rinia jonë e shëndoshë shqiptare, që për dallim nga kohët e shkuara, i gëzoni kushtet për të bërë studime cilësore të standardit europian. Kini besim te vetja, sepse gjithsecili prej jush i ka dyert e hapura për të arritur majat e suksesit, ndërsa rruga që të çon atje është vetëbesimi, puna, përkushtimi, si dhe synimi për të pasur të ardhme të lumtur. Ju jeni e ardhmja e vendit. Rinia e shëndoshë, e arsimuar e me kulturë është garanca më e mirë për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe për të ardhmen e vendit. Dëshiroj gjithashtu t’i përcjell respektin dhe urimin tim stafit akademik të universitetit. Të nderuar profesorë, për ta pasur sot këtë universitet, ju kaluat kohë të vështira duke sakrifikuar shumë, ju i dhatë forcë Universitetit të Tetovës që t’u bëjë ballë sfidave të shumta", tha laureati Lazim Destani.
Kjo akademi u përmbyll me një program artistik, me interpretimin e disa këngëve nga profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit tonë, Selami Kolonja dhe Kastriot Tusha, të shoqëruar në piano nga Taulant Kolonja.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail