Intensifikohet procesi për gjetjen e zgjidhjes për kontestin për emrinShkup, 20 mars 2018 (MIA) - Ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë dhe të Republikës së Maqedonisë më 30 mars në Vjenë do të kenë takim të përbashkët me ndërmjetësin e KB-së, Methju Nimic në përpjekje që të përafrohen qëndrimet për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për kontestin për emrin. Takimin e konfirmuan edhe prej Kombeve të Bashkuara. Në ndërkohë, ministri grek të enjten duhet të vijë në Maqedoni, kur edhe do të fillojë të shqyrtohet përmbajtja e dy projekt-marrëveshjeve, që Maqedonia ia dërgoi Greqisë dhe atë që Greqia ia dërgoi Maqedonisë. Që të dyja përmbajnë propozim-zgjidhje për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e këtij kontesti, në të cilat siç tha ministri i Punëve të Jashtme ka dallime. "Projekt-marrëveshja greke është lëndë e analizës në këtë periudhë. Gjithmonë kur komunikojmë përmes mediave puna komplikohet. Është e ndershme të them se ka dallime dhe shpresojmë se nëse mendojmë së bashku drejt një qëllimi do të arrijmë ato dallime t'i tejkalojmë", porositi ai. Kryeministri Zoran Zaev sot konfirmoi se projekt-marrëveshja greke ka arritur në Shkup, siç është dërguar edhe projekt-marrëveshja e Maqedonisë në Athinë. Kjo sipas tij, duhet të jetë vegël e cila mund të ndihmojë, e jo ta pengojë procesin e përgatitjes së negociatave që do të vazhdojnë në Vjenë më 30 mars. Publikimi i informacionit se edhe Maqedonia i ka dërguar projekt-marrëveshje Greqisë pasoi pasi Koxijas në Bruksel, pas Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, deklaroi se teksti i cili i përmban propozimet dhe agjendën greke për bashkëpunimin e ardhshëm i është dërguar këtyre ditëve Shkupit. "Më lejoni t'ju jap diçka ekskluzive. Kemi përpiluar tekst me propozimet tona në mënyrë të plotë në lidhje me çështjet e hapura të cilat i kemi me IRJM, ashtu edhe për agjendën e ardhshme bashkëpunuese e cila do të sjellë përfitime për të dyja palët. Këtë tekst e kemi dërguar para disa ditësh në Shkup", tha shefi i diplomacisë greke në deklaratën për televizionin shtetëror ERT. Nikos Koxias, sipas paralajmërimeve, por pa asnjë konfirmim zyrtar, pritet të enjten dhe të premten të jetë në Shkup. "Vizita është e rëndësishme pasi Koxijas vjen në aeroportin tonë që do të thotë masë besimi dhe hap drejt miqësisë që e krijojmë. Do të ketë edhe një sërë takimet midis ministrave të Punëve të Jashtme dhe grupeve të punës", tha kryeministri i Maqedonisë, Zaev në lidhje me vizitën. Sipas tij, takimet e këtilla dypalëshe mund të jenë vetëm ndihmë në procesin negociues që po zhvillohet nën patronazhin e KB-së, në funksion të gjetjes së zgjidhjes, e jo shtyrje. Pasi shefi i diplomacisë greke zbuloi se projekt-marrëveshja është dërguar në Shkup, mediat greke, midis të cilëve edhe "Katimerini" dhe "Ta nea" i publikuan pesë emrat që janë përfshirë në propozimin grek. Në fakt bëhet fjalë për të njëjtat ide nga ndërmjetësuesi Methju Nimic, gjegjësisht emrat: Republika Veriore e Maqedonisë, Republika e Re e Maqedonisë, Republika e Epërme e Maqedonisë, Republika e Vardarit e Maqedonisë, Republika e Maqedonisë (Shkup).
|