Shkup, 19 prill 2018 (MIA) - Ministri i obliguar për Diasporën, Edmond Ademi prej sot deri më 21 prill do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Suedisë, ku në Geteborg do të marrë pjesë në Asamblenë Zgjedhore të Lidhjes së Maqedonisë në Suedi, një nga shoqatat më të mëdha të maqedonasve në këtë vend.
Siç kumtuan nga kabineti i tij, do të takohet edhe me shoqatën e maqedonasve "Koço Racin" në qytetin Boros, si dhe me shoqata të tjera me origjinë nga Maqedonia, të cilët veprojnë në Suedi.
Është paraparë Ademi të takohet me kryetaren e Këshillit Bashkiak të Geteborgut, Lena Malm.
"Në fokusin e takimeve me diasporën dhe përfaqësuesit lokalë të Suedisë, gjithashtu do të diskutohet edhe për qasjen e re të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në drejtim të diasporës dhe lidhjen e tyre institucionale me vendin e origjinës, si dhe shkëmbimin e përvojave në lidhje me investimet e huaja dhe forcimin e segmentit ekonomik për lidhjen me Maqedoninë", thuhet në kumtesë.
Ndër të tjera, ministri Ademi bashkëbiseduesit do t'i informojë për gjendjen politike në vend, aktivitetet e anëtarësimit në NATO dhe integrimin në BE, si dhe shkëmbimin e mendimeve mbi bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera aktuale.