Fjalim i rektorit të USHT-së Agron Reka me rastin e vizitës së kryeministrit shqiptar, Sali Berisha

Tetovë, 9 nëntor 2011

I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha

Të dashur miq, 

Sot, kam nder dhe kënaqësi të veçantë, në emër të të gjithë studentëve, kuadrit mësimor-shkencor dhe personelit administrativ-teknik të Universitetit tonë, të jemi nikoqir i njeriut të urtë, të suksesshëm, guximtar, nismëtar dhe bartës i proceseve demokratike, të njeriut-madhështia e të cilit janë të arriturat e panumërta, njeriut që arsimin dhe shkencën i ka të afërta, njeriut që dituritë dhe përvojat e tij i vendosi në shërbim të popullit, tani si Kryetar i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Për këtë, më lejoni që së pari t’i shprehi falënderim të veçantë dhe të pamasë, për nderimin e madh që i bën Universitetit Shtetëror të Tetovës. 

Këtu, në praninë e politikanit të dëshmuar dhe vizionarit të jashtëzakonshëm, mund të ndajmë fakte të njohura dhe postulate që flasin për domethënien dhe rolin e arsimit në ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë. Të gjithë do të pajtohemi për vlerat anët pozitive që i bart arsimi, sigurinë që individi të kyçet me sukses dhe të kontribuojë për funksionimin e jetës politike-shoqërore, për mundësitë e arritjes së nivelit të barazisë me njerëzit e suksesshëm, për zhvillimin e solidaritetit dhe forcimit të kulturës dhe gjuhës së vet. Sot dhe këtu, mund të dëshmojmë se këto qëllime me efikasitet dhe në mënyrë më efektive arrihen gjatë arsimimit në gjuhën amtare.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, këtë vit e shënon 17-vjetorin e ekzistimit të vet, dhe kjo është koha kur mund të mburremi me krenari për rezultatet e arritura në veprimtarinë edukative dhe mësimore-shkencore të 11 fakulteteve  dhe një instituti, të programeve studimore që prodhojnë profile bashkëkohore. Kjo është koha kur me kënaqësi mund të themi se denjësisht marrim pjesë në konkurrencën e tregut vendor dhe regjional.  Fokusimi, përkushtimi i veçantë dhe investimi në kualitet janë një ndër qëllimet tona strategjike. Arsimimi në gjuhën shqipe, jo vetëm për rininë në Republikën e Maqedonisë, por edhe nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, si dhe zhvillimi i mësimit në më shumë gjuhë, ndihmojnë në përfshirjen e studentëve me përkatësi të ndryshme etnike dhe njëherësh paraqesin përparësi për ne. 

Me zvogëlimin e participimit për studentët dhe me hapjen e studimeve të disperzuara  në Kumanovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe në Dibër, mundësuam dhe nxitëm interesim të shtuar tek të rinjtë për të fituar arsim të lartë. Realizimi i suksesshëm i proceseve edukative– arsimore, sipas parimeve të Deklaratës së Bolonjës  dhe Sistemit evropian të transferit të kredive janë dëshmi të angazhimeve të përbashkëta që studenti ynë të ketë diplomë të njëjtë në aspektin kualitativ me diplomat evropiane, diplomë e cila do t’i hapë mundësi të shumta për integrimin e tij të suksesshëm në procesin shoqëror-ekonomik, në të cilin do të arrijë rezultate të rëndësishme.

Si përkrahës të procesit për mësim gjatë tërë jetës, por edhe programeve për arsimin e të moshuarve, vendosim një tullë më tepër në kalanë e cila pasqyron individin bashkëkohor, ekzistenca dhe qëndrimi i fuqishëm i të cilit në funksionimin shoqëror-ekonomik do të sigurohet vetëm nëpërmjet investimit në dije.

Është me rëndësi për t’u përmendur edhe fakti se Universiteti Shtetëror i Tetovës ka vendosur bashkëpunim me më shumë qendra universitare nga Republika e Shqipërisë, me të cilat ka nënshkruar Marrëveshje dhe Protokolle të posaçme për punë të përbashkët, duke lëvizur në drejtim të realizimit të një prej segmenteve më të rëndësishme të sistemit evropian të transferit të kredive, e ky është mobiliteti i studentëve dhe kuadrit mësimor-shkencor.

Në universitetin tonë studiojnë një numër i konsiderueshëm i studentëve nga Republika e Kosovës dhe nga Republika e Shqipërisë, shumë ekspertë të njohur ligjërojnë këtu, por edhe një pjesë e madhe e kuadrit tonë kryejnë specializime të ndryshme, pikërisht në universitetet në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, që paraqet vetëm edhe një fakt të pamohueshëm, se transferimi dhe kërkimi i dijes nuk njeh kufij dhe pengesa.

Të pandalshme janë përpjekjet e Kryeministrit të nderuar, Dr. Sali Berisha për arsimimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, për çka gëzon respekt të madh në mesin tonë.

Në fund, më mbetet të falënderoj dhe të dëshiroj sa më shumë takime të këtilla, në emër të dijes, e veçanërisht në prani të emrave kaq të mëdhenj dhe të rëndësishëm, por pse jo, edhe personalitete historike, siç është dr. Sali Berisha.

Ju faleminderit për vëmendjen!

MIA këto tekste i publikon në formën e tyre integrale dhe origjinale dhe nuk është përgjegjëse për përmbajtjen e tyre, as për gabimet e mundshme drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail