Ahmeti: Një ditë ideja për president konsensual do të përshëndetet

Shkup, 15 prill 2014 (MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim, mbrëmë para banorëve të Sarajit dhe rrethinës, prezantoi  platformën e vet me moton "Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë".

Kryetari i Partisë dhe njëherësh kryesues Liste në Njësinë nr. 6, Ali Ahmeti, tha se shoqëria në Maqedoni, po avancon dhe reflekton në drejtim të mbarë.

"Qytetarët shqiptarë gjatë zgjedhjeve të së dielës demonstruan ndërgjegjësim politik me mospjesëmarrjen e tyre", tha Ahmeti, i cili gjatë tërë kohës ka bërë thirrje që shqiptarët të mos dalin në këto zgjedhje.

Ahmeti tha se mospjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale është në fakt përkrahje e idesë kombëtare të kandidatit konsensual, që parashtroi BDI-ja.

"13 prilli për shqiptarët ishte një plebishit dhe vendim i rëndësishëm i shqiptarëve. Më 27 prill kemi votim për kandidatë për deputetë dhe lista për president. As njërin e as tjetrin, sepse shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre politikë", deklaroi Ahmeti në këtë tubim.

Ai më tej shtoi se kjo  është si ortek dhe nuk ka forcë që ta ndalë.

"Në mos sot, nesër do të bëhet, pasi as ne nuk kemi të drejtë të shkelim mbi plebishitin e shqiptarëve. Ata janë për një president konsensual dhe e dëshmuan këtë edhe dje", u shpreh lideri i BDI-së.

Sipas tij, nuk ka projekt që vendoset në tavolinë dhe që nuk ka zgjidhje, duhet vetëm ta ndash mendjen - a do të kryejmë punë apo do të bëjmë hajgare.

Lideri i BDI-së, tha më pas se, "nuk heqim dorë nga ideja e presidentit konsensual pasi asgjë e keqe nuk do t’i ndodhte shtetit nëse një institucion i caktuar drejtohet nga shqiptarët".

Ai deklaroi se ideja për një president të pajtueshëm për palët që kanë legjitimitet është ide mbipartiake, është ide që mendohet që shqiptarët të bëhen edhe më të rëndësishëm si element konstituiv dhe shtetformues në hapësirat e veta ku kanë jetuar dhe jetojnë edhe me shekuj të tërë.

"Nuk është ide siç mund dikush ta quajë ‘bryma e mëngjesit’, që me të rënë dielli ta heqë. Ajo ide është menduar mirë dhe është hedhur në kohë të duhur që shqiptarët të ndjejnë edhe më shumë përgjegjësinë, të ndjejnë edhe më shumë se ky vend është edhe i tyre, është i të parëve të tyre që aq shumë e kanë e dashur", theksoi Ahmeti.

Sipas tij, ideja nuk ka qëllim të frikësojë e shantazhojë maqedonasit, porse kërkon të forcojë lidhjen mes dy komuniteteve më të mëdha.

Në fjalën e tij, Ali Ahmeti deklaroi se asgjë e keqe nuk e gjen këtë vend që institucionet e shtetit të drejtohen edhe nga shqiptarët, por përkundrazi.

"Sot punohet, sot shtrohen platforma, sot shtrohet filozofia se ku do të jemi dekadën e dytë pas Marrëveshjes së Ohrit, si do të lëvizin çështjet dhe cilat janë me prioritet".

Sipas Ahmetit, sigurisht prioritet për ne për 10 vitet që lëmë pas ishte Marrëveshjes së Ohrit dhe implementimi i saj, avancimi i vlerave kombëtare duke filluar që nga arsimi, shëndetësia dhe trajtimi me kujdes i gjithë atyre investitorëve vendas apo ndërkombëtarë.

Ai nënvizoi se të gjitha të arriturat në të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë mbajnë shenjën e BDI-së dhe se, partia do të vazhdojë të këmbëngulë që Maqedonia të anëtarësohet me patjetër në NATO dhe në BE, sepse "për vendin tonë nuk ka alternativë tjetër më të sigurt".

"Sot jemi në një situatë shumë interesante për të cilën duhet guxim dhe përcaktim i fortë. Ne na duhen marrëdhënie të mira me fqinjët, marrëdhënie të mira ndëretnike, pasi ato do të thonë një e ardhme më e mirë për shtetin. Të ndarë nuk mund të lëvizin projektet dhe as proceset", vijoi Ahmeti, ndërsa kërkoi guxim nga partitë politike në zgjidhjen e disa çështjeve.

"Duhet guxim për dhënien kah zgjidhjes së problemeve të cilat paraqiten si pengesë drejt ecjes përpara në proceset euroatlantike. Sigurisht që NATO është në dobi të vendit dhe të rajonit por edhe në dobi të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në vend, apo raporteve shqiptaro-maqedonase. Shqiptarët janë 99 për qind të përkushtuar për NATO dhe BE, pasi ata duan më shumë paqe dhe stabilitet", ritheksoi ai.

Në vijim, bartësja e Listës në Njësinë nr. 1, Ermira Mehmeti tha se 13 prilli dëshmoi se shqiptarët janë ata që vendosin se kush, sa vota, do të marrë. Ajo komentoi edhe pretendimet e opozitës shqiptare për qindra mijëra votat në zgjedhjet presidenciale.

"350 mijë vota? Hajde de! Po ku bëhen 350 mijë vota pa ju, vëllezër e motra?! Ne jemi ata që do të vendosim se a do të bëhen 1, 1 mijë apo 1 milion vota shqiptarësh në Maqedoni", tha Mehmeti.

Sipas tij, shqiptarët në ditën e zgjedhjeve ishin madhështorë dhe dëshmuan se dinë të rreshtohen, pas synimit të përbashkët që ardhmërinë ta bëjnë më të bukur.

"Ne nuk u gëzuam se kutitë e profesor Ilaz Halimit mbetën bosh, por u gëzuam se ju nga Kumanova e deri në Strugë dëshmuat se ne shqiptarët jemi këtu. Vota juaj për BDI-në është për më shumë ndikim të faktorit politik shqiptar"”, tha ajo.

"Kërkojmë votën tuaj me qëllim sigurimin e më shumë vendeve të punës, shëndetësi më të mirë dhe ngjashëm. BDI ka guximin që të tjerët nuk e kanë dhe këtë e kemi konfirmuar, pasi ne dimë t’u kundërpërgjigjemi presioneve që mund të shfaqen", u shpreh Mehmeti.

Ajo tha se, BDI nuk i ndan shqiptarët siç bëjnë të tjerët dhe se, ajo kërkon bashkimin pavarësisht përcaktimit politik.

"Ne e mbrojmë veten dhe ndihmojmë shqiptarët të mbrohen nga keqbërësit politikë që dëshirojnë të na mbajnë mes antagonizmave. Ermira Mehmeti nuk kërkon votën tuaj për veten e saj dhe për ta përdorur kundër rivalëve politikë shqiptarë. Ju keni të drejtë që bashkë me BDI-në të menaxhojmë atë votë për interesin tuaj dhe për të mirën tuaj. BDI dhe unë po ju ofrojmë një marrëveshje që të tjerët nuk dinë ta bëjnë, po ju ofrojmë që të ecim bashkë drejt sfidave të reja", u shpreh kandidatja për deputete.

Ajo bëri thirrje që me 27 prill të përkrahet BDI me qëllim që "projektet e nisura të përfundojnë dhe kjo ne të marrim edhe më fuqi gjatë qeverisjes së ardhshme".

"Projekti i BDI-së për ardhmërinë është shumë kërkues, ka shumë energji dhe nuk lejon të merremi me kuazipolitikanë. Prandaj votojeni BDI-në, votoni për ardhmërinë tuaj, për ardhmërinë e fëmijëve tuaj. Kërkoj 4 deputetë në Njësinë Zgjedhore numër 1, pasi të bashkuar besoj se mund të fitojmë më shumë se aq", u shpreh Mehmeti.

Mehmeti tha se shqiptarët meritojnë përfaqësues të denjë në qeveri dhe i kujtoi ata se, është pikërisht BDI subjekti politik që mbron interesat e tyre.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail