
Paris, 25 janar 2023 (MIA) – Dihet se disa lloje të kancerit ndryshojnë erën e urinës, por gjetjet e reja sugjerojnë se milingonat mund ta zbulojnë këtë ndryshim. Prandaj, shkencëtarët theksojnë se këto insekte mund të përdoren si një mënyrë me kosto efektive për të identifikuar kancerin tek pacientët.
– Milingonat mund të përdoren si biodetektorë për të dalluar individët e shëndetshëm nga ata me tumore. Ato janë të lehta për t'u trajnuar, mësojnë shpejt, janë shumë efikase dhe nuk kushtojnë shtrenjtë për t'u mbajtur... U habitëm se sa efikase dhe të besueshme janë milingonat në këtë drejtim, thotë etologia Patricia d'Ettor nga Universiteti i Sorbonës në Paris.
Gjatë hulumtimit, shkencëtarët ekspozuan 70 milingona (formica fusca) ndaj mostrave të urinës nga minjtë e shëndetshëm dhe ata me tumore. Kështu, milingonat ishin në gjendje të dallonin erën e urinës së minjve të shëndetshëm nga ajo e atyre me kancer.
Në fazën tjetër të kërkimit shkencor, do të hetohet nëse milingonat mund të bëjnë të njëjtën gjë me urinën e njeriut. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se edhe qentë, nëse trajnohen, mund të zbulojnë kancerin në urinë. Ekzistojnë gjithashtu pajisje elektronike që mund të zbulojnë lloje të caktuara të kancerit – si kanceri i fshikëzës, gjirit ose prostatës – nga mostrat e urinës.
Hulumtimi, i titulluar “Milingonat si biodetektorë të erës në tumore” është publikuar në revistën “Royal Society B: Biological Sciences”.