Presidenti Topi nis takimet për zgjidhjen e krizës politikeTiranë, 8 shkurt (MIA) - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka nisur pak çaste më parë në Presidencë takimet në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e dialogut politik mes maxhorancës dhe opozitës, me qëllim gjetjen e një kompromisi që do të çonte në zgjidhjen e krizës politike në vend, e krijuar nga bojkotimi i Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste.
Sipas burimeve zyrtare nga Presidenca, kreu i shtetit ka zhvilluar takimin e parë me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobbio, vendi i të cilit mban dhe Presidencën e radhës së BE-së dhe me Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan.
Pas këtij takimi, kreu i shtetit pritet të ketë një takim me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers, në vazhdën e përpjekjeve për bashkëpunim me ndërkombëtarët në arritjen e një marrëveshje mes palëve.
Dalja nga kjo situatë u rekomandua dhe nga rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KE-së për Shqipërinë, e miratuar në seancën e 28 janarit. Në këtë dokument KiE i kërkoi qeverisë shqiptare dhe opozitës të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në thellimin e reformave në vend.
|