Mblidhet delegacioni shqiptar në KE-së për të rakorduar qëndrimet rreth raportit të Dik Martit

Tiranë, 11 janar 2011 (MIA) - Delegacioni i parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës u mblodh sot paradite për të diskutuar qëndrimet që do të mbajë në Asamblenë e radhës së Këshillit të Evropës më 24 janar, për kundërshtimin e akuzave në raportin e Dik Martit për trafikim organesh nga drejtues të lartë të shtetit të Kosovës.

Në takimin, që zgjati rreth një orë, përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës shprehën qëndrimin e tyre kundër raportit të komisionerit Marti, i cili sipas deputetëve, është i pabazë dhe ka për qëllim të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Pas takimit, në një prononcim të shkurtër për mediat, anëtari i delegacionit në KE, deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, tha se ky ishte një takim pune për të rakorduar qëndrimet e dy forcave politike në një të vetme.

"Ishte thjesht një takim pune lidhur me qëndrimin që do të mbahet në Strasburg. Do të ketë takime të tilla gjatë gjithë periudhës për të përgatitur qëndrimin tonë zyrtar dhe të gjithë Kuvendit të Shqipërisë. Synojmë që të kemi një qëndrim të përbashkët dhe takimi ishte për të rakorduar qëndrimet e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së", tha deputeti Ahmetaj. mb/hr/13:55




###

Shumica e kroatëve kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Londër, 11 janar 2011 (MIA) - Shumica e kroatëve janë kundër anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, ndërsa në këtë ish Republikë jugosllave në mënyrë të shpejtë po përhapet euroskepticizmi, edhe pse vendi duhet deri në fund të këtij viti t'i përfundojë negociatat për hyrje në BE dhe të nënshkruajë marrëveshje me Brukselin për inkuadrim, njofton Bi-Bi-Si, duke iu referuar mendimit publik.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Londra,  vetëm 38% e kroatëve kanë deklaruar se do të votonin në referendum për anëtarësimin në BE, ndërsa se vetëm 26% mendojnë se inkuadrimi i vendit në BE është ide e mirë.

Qeveria në Zagreb pohon se hulumtimet të cilat ajo i ka bërë tregojnë prirje më të madhe të njerëzve në Kroaci për anëtarësim në BE. Disa funksionarë të lartë sqarojnë për Bi-Bi-Si-në se rritja e përshpejtuar e euroskepticizmit i referohet zvaritjes së gjithë procesit të qasjes dhe të datave të shumta të paralajmëruara dhe të parespektuara për anëtarësimin e plotfuqishëm.

Opinioni në Kroaci beson se vendit të tyre i imponohen kushte më të ashpra, pas përvojës së keqe të BE-së me pranimin "e shpejtuar" të Bullgarisë dhe të Rumanisë, në janar të vitit 2007, por gjithnjë e më pak beson se anëtarësimi në BE është ilaç për të gjitha problemet ekonomike dhe sociale me të cilat po ballafaqohet vendi. Njerëzit e dinë se çka ndodhi me Greqinë dhe Irlandën, e dinë edhe për protestat e ashpra në Francë, dhe prandaj më nuk presin, si më parë, se hyrja në BE do t'i bëjë më të pasur dhe më të lumtur.

Sipas Bi-Bi-Si-së, në Zagreb ekziston edhe pakënaqësia nga ajo që BE-ja, gjoja se, ju imponon koncept transkombëtar për rregullimin e Kroacisë, që për shumicën në këtë vend të Ballkanit Perëndimor është i papranueshëm.

Nëse Kroacia arrin t'i përfundojë negociatat e veta deri në fund të këtij viti, pritet në BE të hyjë si vendi-anëtar i 28-të, deri në fund të vitit 2012, apo në fillim të vitit 2013. shk/hr/13:38

###

"Vodafon" do ta ndërtoë rrjetin e ri celular 3G në Shqipëri

Tiranë, 11 janar 2011 (MIA) - Për 18 muaj në Shqipëri  do të funksiojë teknologjia e re celulare 3G, pasi që Qeveria në Tiranë  i dha dritë të gjelbërt kompanisë "Vodafon" që ta fillojë ndërtimin e rrjetit telekomunikues.

"Vodafon" Shqipëria fitoi licencë për ndërtimin e rrjetit të telefonisë celulare nga gjenerata e tretë 3G, pasi që fitoi në tenderin, shpallur në fillim të muajit dhjetor 2010.

Oferta e kompanisë është në vlerë prej 31,4 milion euro dhe kjo mbizotëronte mbi propozimin e kompanisë me interesa turke Eagle Mobile. ms/hr/12:46



###

Katër kandidatë për çmimin "Azem Shkreli"

Prishtinë, 11 janar 2011 (MIA) - Albanologu e kryeakademiku Besim Bokshi, akademiku Sabri Hamiti dhe shkrimtari e kritiku Musa Ramadani e Bedri Hysaj, janë konkurrentë për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore "Azem Shkreli".

Ndërkaq në konkursin e hapur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, për çmimet vjetore për letërsi që përfshijnë çmimin për librin më të mirë në prozë, librin më të mirë me poezi, librin më të mirë në kritikë letrare (eseistikë) dhe librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, kanë konkurruar 23 autorë.

Sami Piraj, drejtor i Departamentit për Kulturë në Ministrinë e Kulturës, ka dhënë më shumë detaje për konkursin tradicional, i cili ka qenë i hapur deri në ditën e fundit të dhjetorit. Piraj fillimisht është ndalur te institucionet që kanë nominuar kandidatët e çmimit për vepër jetësore.

"Për çmimin për vepër jetësore Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka kandiduar Besim Bokshin, ndërsa Dega e letërsisë e Fakultetit Filologjik ka kandiduar Sabri Hamitin. Revista 'Jeta e re' ka nominuar Musa Ramadanin, ndërsa gjimnazi 'Skënderbeu' në Kaçanik ka kandiduar Bedri Hysaj", ka shpjeguar Piraj, tek ka shtuar se për në kuadër të konkursit për çmimet vjetore për letërsi kanë arritur gjithsej 23 tituj.

Ai ka identifikuar disa nga autorët që janë në garë për çmimet që ndan institucioni më i lartë i kulturës.

"Janë emra që kanë kredibilitet në shkrime duke nisur nga Rexhep Qosja, Sali Bashota, Ag Apolloni, Gani Muhaxhiri, Ndue Ukaj, Mehmet Kraja, Ali Aliu, Agim Vinca. Ata kanë konkurruar me vepra të shkruara dhe vepra të përkthyera", ka thënë ai.

Piraj është shprehur i kënaqur me interesimin e shkrimtarëve për t’u bërë pjesë e konkursit tradicional të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe ka paralajmëruar formimin e komisionit që do të bëjë vlerësimin.
"Është një numër i kënaqshëm dhe kryesisht është një opus i krijuesve të vitit 2010", ka thënë Piraj.

Sa i përket komisionit, ka shtuar ai, ai është në procedurë të themelimit dhe shpresojmë se nga mesi i shkurtit, në prag të pavarësisë, do të përfundohen të gjitha procedurat dhe do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Vitin e kaluar laureati i çmimit për vepër jetësore, "Azem Shkreli", Rexhep Hoxha, ka refuzuar çmimin, me arsyetimin se jepet nga "një qeveri servile ndaj të huajve dhe mashtruesve ndaj të vetëve".

Çmimi letrar për librin më të mirë i është ndarë Gëzim Aliut për romanin "Në klubin e të shëmtuarve", ai për librin më të mirë për poezi, Ag Apollonit, për veprën "Zomb". Po e njëjta juri çmimin letrar për librin më të mirë për kritikë, eseistikë ia ka ndarë Ibrahim Berishës, për veprën "Konvergjenca intelektuale", përderisa çmimi letrar për librin më të mirë për vepër të përkthyer i është ndarë Bekim Bejtës, për përkthimin nga frëngjishtja të veprës "Raga – afrim i kontinentit të padukshëm". shk/hr/12:05

###

Doli numri i tretë i revistës "Jeta e re"

Prishtinë, 11 janar 2011 (MIA) - Rreth gjashtëqind faqe, në të cilat pasqyrohen krijimet letrare të më shumë se katërdhjetë autorëve, janë përmbledhur në numrin më të ri të revistës "Jeta e re". Në numrin e fundit, kjo revistë letrare i ka kushtuar një vend të veçantë nobelistit Mario Vargas Llosa, duke botuar një tregim, një intervistë dhe fjalimin e tij kur ka pranuar çmimin "Nobel" për letërsi.

"Jeta e re" përmban shkrime letrare të gjinive të ndryshme, duke përfshirë prozën, poezinë, dramën dhe esenë. Në njoftimin e dërguar nga redaksia e revistës letrare, identifikohen disa nga titujt që përbëjnë numrin e ri. "Në prozë veçojmë novelën 'Xhemilja' të Cingiz Ajtmatovit, 'Legjenda e vetmisë' e Ridvan Dibrës, 'Djallin e kam fqiun e parë' e Gëzim Aliut. Ndërsa në poezi prezantohet një përkthim brilant i poezive të Bodlerit nga Primo Shllaku, pastaj poezi nga Rod McKuen, Maya Angelou, Tomas Trnstromer, Muhamed Kërveshi, Agron Tufa, Uk Lushi, Ana Frangu etj", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një prezantim përkujtimor në rubrikën e poezisë i është bërë poetit Din Mehmeti, i cili ndërroi jetë në fund të vitit 2010. "Zoo Story" e Eduard Albett dhe "Drama për mua, Mirjam dhe Sandrin" e Haqif Mulliqit janë dramat që zënë vend në këtë numër të "Jetës së re", përderisa përfshihen edhe esetë e autorëve Vejne Buth, Siengfried Kracauer, Robert Elsie, Agron Y. Gashi, Bajram Kosumi, Ibrahim Berisha, Donika Dabishevci, Mahmud Hysa, Adil Olluri, Albanë Mehmetaj etj. shk/hr/11:43

Vazhdojnë protestat e të punësuarve në transportin e qytetit në Athinë

Athinë, 11 janar 2011 (MIA) - Probleme transportuese do të ketë sot dhe nesër në Athinë për shkak të protestave të të punësuarve në transportin e qytetit kundër planeve të Qeverisë për reforma ekonomike.

Shoferët e autobusëve do të ndërpresin sot katër orë punën, ndërsa do të mbajnë grevë gjithë ditën. Metroja nuk do të punojë katër orë. Pritet që protestat të vazhdojnë në transportin publik edhe në javën e ardhshme.

Punonjësit mbajnë grevë tashmë disa javë për shkak të masave qeveritare për zvogëlimin e rrogave dhe ristrukturimin e sektorit.

Avokatët gjithashtu paralajmëruan se do të protestojnë deri në verë për shkak të problemeve për liberalizimin e të ashtuquajturave profesione të mbyllura. mb/8:26



###

Pesë ushtarë turq humbën jetën në fatkeqësi ajrore

Stamboll, 11 janar 2011 (MIA) - Pesë ushtarë turq humbën jetën pasi një helikopter u rrëzua gjatë stërvitjeve ushtarake.

Helikopteri është rrëzuar mbrëmë në Polatël, 80 km në perëndim të Ankarasë. Nuk janë kumtuar shkaqet e fatkeqësisë, por sipas mediave turke në këtë rajon ka pasur mjegull të dendur. shk/mb/7:32


###

Lunaçek: Këto zgjedhje nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare

Prishtinë, 10 janar 2011 (MIA) - Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka deklaruar se ecuria e procesit zgjedhor ka rrezikuar të ardhmen evropiane të Kosovës, pasi sipas saj, në këto zgjedhje nuk janë arritur standardet e kërkuara demokratike.

"Në atë që kemi parë dhe dëgjuar ne, do të mund të dëmtonte jo vetëm rezultatin, por do të thonim se këto zgjedhje nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ka një kritikë të fuqishme, si nga vëzhguesit vendor, ashtu dhe të tjerët se këto zjgedhje nuk janë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nuk janë në përputhje me diçka që është në rregull dhe e pranueshme", tha Lunaçek.

Ajo shtoi se nuk sheh ndonjë arsye për të vazhduar me përsëritjen e zgjedhjeve, pasi kjo u përket të tjerëve të vendosin dhe jo atyre.

"Mirëpo nëse procesi ka pasur probleme dhe parregullsi të cilat vazhdojnë atëherë kjo nuk mund të riparohet pa pasur reformat të fuqishme të cilat do t'i mundësonin këtij vendi një siguri më të madhe që të ketë zgjedhje të organizuara në përputhje me standardet ndërkombëtare. Duhet të ketë një reformë të re zgjedhore, mirëpo unë mendoj se ekziston edhe mundësia e anulimit të votave kur ka parregullsi në votim", tha ajo, në konferencë për media. bsh/18:46

###

Komisioni qendror zgjedhor i Kosovës publikoi rezultatet preliminare

Prishtinë, 10 janar 2011 (MIA) - Pa i përfshirë rezultatet e mëhershme të Mitrovicës, Komsioni qendror zgjedhor i Kosovës  i publikoi rezultatet preliminare për partitë politike në nivel vendi pas procesit të rivotimit që u zhvillua dje.

Në këtë rezulatet janë përfshirë edhe të dhënat nga rinumërimi i 40 për qind të votave të përgjithshme që janë bërë pas 12 dhjetorit.

Rezultatet tregojnë se Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar një rënie prej 1,5 për qind krahasuar me rezultatet preliminare të 12 dhjetorit. Nga 33.5 për qind sa kishte në nivel vendi tani PDK ka 32 për qind të votave të përgjithshme. LDK që me 12 dhjetor kishte 23.6 për qind, tani ka 24. 7 për qind.

Vetëvendosje nga 12.2 për qind tani ka 12. 6 për qind, AAK nga 10.8 për qind pas rivotimit të djeshëm ka 11.2 për qind, ndërsa AKR nga 7.1 për qindka 7.3 për qind të votave. FER-i ka mbetur në nivel të njejtë me 2.2 për qind.

I vetmi subjekt që ka pësuar rënje pas rivotimit të djeshëm është LDD-ja. Kjo parti me 12 dhjetor kishte 3.3 për qindndërsa tani ka 2.2 për qind.

Sa i përket rezultateve për kandidatët për deputet ato pritet të publikohen kur të përfundoj i tërë procesi zgjedhor. bsh/17:55

###

Peticion kundër Martit në Shqipëri

Tiranë, 10 janar 2011 (MIA) - Pas Tiranës, firmosja e peticionit kundër raportit të raportuesit të Komisionit Europian, Dik Marti ka mbërritur në Fier.

Me ndihmën e Partisë Drejtësi dhe Unitet në këtë qytet mijëra qytetarë kanë firmosur në mbështetje të kryeministrit, Hashim Thaçi.

Ditën e dielë në disa pika kryesore të qytetit, banorët e Fierit kanë firmosur këtë peticion që do të paraqitet në Këshillin e Europës nga kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, i cili është edhe anëtar i delegacionit shqiptar në KE.

Nëpërmjet firmosjes së këtij peticioni, qytetarët fierakë shprehin mbështetjen e tye për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi kundër shpifjeve që ofrohen në raportin e Dik Martit.

Peticioni do të paraqitet në datën 24 maj. sn/bsh/17:29

###

Petrit Vasili rekomandoi respektim të rreptë të strategjisë së vitit të kaluar kundër gripit të ri

Tiranë, 10 janar 2011 (MIA) - Direktivat e OBSH se në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt do të ketë fluks të prekurish nga gripi sezonal, si dhe virusi A (H1N1), ka vënë në lëvizje Ministrinë shqiptare e Shëndetësisë për të marrë masat përkatëse.

Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Petrit Vasili u ka kërkuar të gjithë mjekëve pediatër dhe atyre të familjes që të jenë më të kujdesshëm në këtë situatë.

Madje, në të gjitha poliklinikat e Tiranës do të kriojhet mundësia që pacienti të marrë serum pa pasur nevojë të shkojë në spital.

"Ftoj mjekët e familjes që të marrin kontaktin me kontigjentët që ata mbulojnë, kryesisht me fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Në të gjitha qendrat shëndetësore do të ofrohet përmes mjekëve pediatër mjekimi me serum", ka deklaruar Vasili.

Nga ana tjetër, të gjithë mjekët e familjes apo dhe ata pediatër duhet të marrin si të dyshuar me A (H1N1) cdo rast gripi edhe të zakonshëm, me qëllim që mostrat e tyre të analizohen pranë laboratorit të ngritur në ISHP.

Vasili u bën thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë simptomë të gripit, por të paraqiten menjëherë pranë mjekut të familjes. ff/bsh/17:18



###

Ministritë serbe duhet t'i dorëzojnë përgjigjet e Pyetësorit të BE-së

Bruksel, 10 janar 2011 (MIA) - Ministritë serbe sot, 47 ditë pas dorëzimit të Pyetësorit të Bashkimit Evropian, duhet t'i dorëzojnë përgjigjet e gjithsej 2.483 yetjeve të sistemuara në gjashtë anekse dhe 33 kapituj, të cilat nga fundi i nëntorit në Beograd i solli eurokomisari për zgjerim Shtefan Fyle.

Në bazë të këtyre përgjigjeve, të cilat më 31 janar në Bruksel duhet t'i dërgojë kryeministri serb Mirko Cvetkoviq, KE-ja duhet të krijojë mendim për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Numri i pyetjeve, të cilat duhet t'u përgjigjen autoritetet në Serbi në esencë është dyfish më i madh se 2.483, për shkak se në Pyetësorin ndodhen një numër i madh i nënpyetjeve.

KE-ja nga Serbia para se gjithash pret që përgjigjet të jenë të qarta, koncize dhe precize, njoftoi Tanjug.

"Përgjigjet e Serbisë ndaj këtyre pyetjeve do të na japin pasqyrë në gatishmërinë e vendit për fillim të negociatave parainkuadruese", deklaroi Fyle para dorëzimit të pyetësorit autoriteteve serbe. Pyetësorin e dorëzoi më 24 nëntor. Pyetësori përmban pyetje, të cilat u dedikohen absolutisht çdo segmenti të shoqërisë në shtet, i cili dëshiron të bëhet anëtare e Unionit.

Funksionarët evropianë, midis të cilëve edhe Fyle në vlerësimet e deritanishme si datë kur KE-ja do të japë mendim e theksuan gjysmën e dytë të këtij viti.ff/hr/15:20



###

Princi Nikolla paralajmëroi akuzë kundër Malit të Zi

Podgoricë, 10 janar 2011 (MIA) - Princi malazez Nikolla Petroviq Njegosh paralajmëroi se nëse për ligjin për familjen mbretërore dhe kthimin e pronës nuk arrihet zgjidhje e pranueshme për pushtetin dhe familjen, të drejtat do t'i kërkojë para gjykatave malazeze dhe ndërkombëtare.

"Jam i habitur se as unë as avokati im nuk jemi drejtpërdrejtë të përfshirë në problemin e ligjit, që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon mbi statusin e dinastisë Petroviq", tha princi Nikolla. 

Ai pothuaj gjashtë vjet kërkon që dinastia malazeze moralisht të rehabilitohet dhe të gjendet marrëveshje korrekte për kthimin e pronës së konfiskuar, por përveç premtimeve dhe zgjidhjeve të përkohshme të Qeverisë, nuk është arritur kurrëfarë rezultati.

"Askush nuk mund të pretendojë se dinastia malazeze legalisht është e dëbuar dhe se legalisht i janë marrë të drejtat dhe prona. Nëse Mali i Zi zyrtar nuk i propozon dinastisë së tij zgjidhje të pranueshme dhe të ndershme, atëherë çka më mbetet? Nëse detyrohem, do t'i kërkoj të drejtat me rrugë gjyqësore, si në Mal të Zi, ashtu edhe para organeve gjyqësore evropiane", tha princi Nikolla.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail