Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u mbajt seminar dyditor për Procesin e BolonjësTetovë, 5 shkurt (MIA) - Në Universitetin Shtetëror të Tetovës më 2 dhe 3 shkurt u zhvillua seminari dyditor për procesin e Bolonjës në Evropë, implementimin e këtij procesi në Maqedoni dhe në rastin konkret, në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Ky seminar është një projekt i përbashkët i Universitetit të Rjekës nga Kroacia (Dr. Boris Dudaš, Katedra për gjuhë gjermane), USHT-së (Dekani i Fakultetit Filologjik, doc. dr. Izer Maksuti) dhe Programi i lektorëve i Robert Bosch Stiftung (Institut nga Gjermania).
Në këtë aktivitet, udhëheqëse ishte Maike Lindner, lektore në Brest/Bjellorusi, në bashkëpunim me lektorët; Romea Kliewer (Rjekë) dhe lektorin në USHT, Michael Sallat.
Pjesëmarrës në këtë seminar dyditor ishin dekanët e fakulteteve të ndryshme dhe koordinatorët e fakulteteve për procesin e Bolonjës. Si temë kryesore e seminarit ishin sfidat dhe mundësitë, të cilat paraqiten gjatë implementimit të procesit të Bolonjës në Evropë dhe veçanërisht në Maqedoni.
Si temë tjetër ishte edhe zhvillimi i kurikulave të programeve studimore, sipas kërkesave të reja dhe implementimi i tyre në universitete. Këto tema u diskutuan nëpërmjet referateve teorike, gjithashtu, me ndihmën e një metode simuluese u trajnuan edhe me shembuj praktikë.
Përmes kësaj, pjesëmarrësit kishin mundësi të kenë një vështrim të përgjithshëm për kërkesat e procesit të Bolonjës, mundeshin t’i pasurojnë njohuritë e tyre duke parashtruar pyetje konkrete dhe shansin që të njoftohen me reformat e këtij procesi.
Me siguri që ky seminar i shpiu pjesëmarrësit në transparencën e procesit të Bolonjës.
|