Mirush Kabashi me monodramën e dytë për bashkëatdhetarët në TorontoTiranë, 7 tetor 2010 (MIA) - Aktori i njohur Mirush Kabashi ka interpretuar për bashkëatdhetarët në Toronto të Kanadasë monodramën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", e autorit E. E. Schmitt.
Në skenën e Cityplay House Theatre, Mirush Kabashi është pritur me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm për mesazhin aktual të paqes, mirëkuptimit dhe tolerancës që përcjell kjo vepër, por sidomos për lojën mbresëlenëse.
I ftuar nga ish- regjisori i Televizionit Shqiptar, me banim në Toronto, Gjergj Rita, Mirush Kabashi interpretoi për herë të dytë për bashkëatdhetarët tanë në Toronto, brenda një harku kohor prej 7 vjetësh. Në vitin 2003 ai u shfaq me "Apologjinë e vërtetë të Sokratit" dhe në të dyja rastet ka pasur një komunikim të shkëlqyer me publikun, falë dhe nivelit të lartë intelektual të auditorit që kishte mbushur sallën.
Në fund të shfaqjes "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", për minuta të tëra publiku ka duartrokitur lojën e Mirush Kabashit, ndërsa shumë prej tyre bënë fotografi apo i morën një autograf artistit. Ruki Kondaj, kryetare e bashkësisë shqiptaro-kanadeze tha pas shfaqjes se "përmbajtja e pjesës dhe loja e mrekullueshme e Mirush Kabashit frymëzojnë për forcimin e frymës së respektit dhe mirëkuptimit në komunitetin tonë dhe më gjerë në atdheun tonë të dashur". Për ing. Mërgim Korça, i cili kishte udhëtuar nga Detroiti (SHBA) për të ndjekur shfaqjen, "mjeshtri i madh i skenës dhe ekranit, Mirush Kabashi, është në të vërtetë një ambasador plot autoritet i kulturës shqiptare në botë".
Vlerësime për aktorin Kabashi ka dhënë dhe Entela Naqo, një shqiptare që punon si specialiste e shkencave kompjuterike në Toronte. "Mirush Kabashi shkëlqeu me lojën dhe mjeshtrinë e tij. Veç të tjerash, ai demonstroi nivelin e lartë të artit tonë skenik", tha Naqo.
Ndërsa dr. Arben Harito do të shprehej se "ashtu si në Paris me 'Sokratin', para disa muajsh, edhe këtu në Toronto me "Zotin Ibrahim", Mirush Kabashi provoi se për momentin është një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës shqiptare të aktrimit".
Florida Demnushaj, 23 vjeç, studente në Toronto, tregon se e përjetoi me emocione të pashlyeshme monodramën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit". "Loja e mrekullueshme e mjeshtrit Kabashi solli midis nesh aromën e bukur të gjuhës dhe atdheut tonë, Shqipërisë".
Vetë aktori Mirush Kabashi, pas shfaqjes, u shpreh: " ... nuk është impenjimi im i veçantë, por niveli i lartë intelektual si dhe predispozocioni i thellë artistik i bashkëatdhetarëve të mi në Toronto që për të dytën herë më dhurojnë netë të paharruara në karierën time artistike". Një falenderim, aktori i njohur përcolli dhe familjen e Gjergj Ritës, që siç u shpreh ai "përveç organizimit dinjitoz, plotësuan të gjitha kërkesat artistike të shfaqjes".
|