Agjentët izraelitë në mënyrë të detajuar janë duke e kontrolluar stadiumin në ElbasanTiranë, 5 shtator 2018 (MIA) - Agjentët e strukturave izraelite të sigurisë tashmë dhjetë ditë me radhë janë në Elbasan dhe në mënyrë të detajuar e kontrollojnë çdo pjesë të stadiumit në Elbasan, si dhe çdo person gjatë hyrjes dhe daljes në stadium, para ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael që do të luhet të premten. "Të përditshme janë mbledhjet me subjektet kryesore të sigurisë, me agjentë të sigurisë, agjentë sekret, përfaqësues të policisë së shtetit dhe të policisë private", publikoi televizioni Top-Çanel. Ndeshja Shqipëri-Izrael, që do të luhet të premten në orën 20:45 është ndeshja e parë e futbollit që do të luhet pa praninë e policisë shqiptare në stadium. Rreth 1500 forca policie gjithsesi do të jenë në gatishmëri dhe do të sistemohen jashtë stadiumit nga ku do të bëhen edhe kontrollet fizike, ndërkohë që mes tyre janë edhe forcat speciale apo agjencitë e ndryshme të inteligjencës të cilat prej gati dy muajsh qëndrojnë në Elbasan. "Rreth 300 forca të policisë private, apo stjuard siç njihen ndryshe do të jenë në ndeshje, gjithçka në varësi të biletave të shitura, që deri në këto momente janë rreth 2000 të tilla të shitura, por që numri dhe interesi si gjithmonë rritet sa më shumë afrohet dita dhe ora e ndeshjes. Gjithçka sa i përket biletave do të jetë e identifikuar pasi ato shiten me kartë identifikimi, një kërkesë e rreptë këtë herë pasi kërkohen të identifikohen të gjithë personat që do të jenë në stadium të ndeshjes, sidomos pjesa e tribunës pas pankinës së skuadrës mike", citon televizioni. Zona rreth stadiumit do të bllokohet 24 orë përpara dhe do të mbahet në atë gjendje deri në përfundimin e ndeshjes, ndërkohë që askush nuk do të ketë mundësi të afrohet tek stadiumi pa qenë i pajisur me biletë, ajo do të kontrollohet nga kordonët e policisë që do te vendosen larg stadiumit. Ndeshja Shqipëri-Izrael e vitit 2016 pati dyshime të mëdha për planifikimin e një sulmi terrorist, për të cilin u arrestuan 4 persona në Shkodër. Ishin këto informacione që ndryshuan edhe itenerarin e ndeshjes. Nga "Loro Boriçi" u vendos të luhet në "Elbasan Arena" për këto arsye sigurie dhe ishin pikërisht këto masa që sollën një kaos, nga tifozeria që u largua pas mënyrës së sjelljes së policisë në atë ndeshje dhe deri tek skuadra. Pikërisht për shkak të asaj edhe kjo garë, e cila luhet në suaza të Ligës së Kombeve konsiderohet me rrezik të lartë, për shkak të së cilës ndërmerren të gjitha masat e sigurisë. "Ndaj lojës erdhi edhe paralajmërimi i Departamentit të Shtetit Amerikan i cili paralajmëron qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri të bëjnë kujdes në qëndrimet e tyre pranë stadiumit në Elbasan para gjatë edhe pas ndeshjes, konstaton televizioni Top çanel.
|