
Ankara, 12 gusht 2020 (MIA) – Stambolli, Ankaraja, Dijabakari, Shanliurfa dhe Konja janë pesë qytetet më të mëdha në Turqi me shkallën më të madhe të rritjes së infeksioneve me virus korona gjatë tri ditëve të kaluara, theksoi ministri turk i Shëndetësisë, Fahretin Koxha.
1183 raste të reja pozitive me virus korona janë regjistruar gjatë 24 orëve të kaluara me 61.716 teste të bëra. Numri i të infektuarve arriti në 243.180.
Sipas ministrit, ka 15 raste të vdekjes, me çka numri i përgjithshëm në Turqi arriti 5.873.
Autoritetet shëndetësore tregojnë për rënie prej 32 për qind në numrin e përgjithshëm të pacientëve të trajtuar në spitale. Megjithatë, po rritet trendi i të sëmurëve seriozë.
Pacientë më seriozisht të sëmurë ka në Stamboll, Ankara, Dijabakër, Shanliurfa dhe Konja.
Gjithsej 617 pacientë seriozisht të sëmurë që është numër i rritur prej 8,2 për qind në pneumoni, tha ministri turk i Shëndetësisë.
Ekspertët shëndetësorë parashohin se në ditët në vijim mund të ketë pik të infeksioneve si rezultat i masave të lehtësuara gjatë festës kur qytetarët i vërshuan pushimoret, duke i injoruar masat themelore kundër përhapjes së virusit korona.
Ende nuk është e qartë se kur do të fillojë viti i ri shkollor 2020-2021. Bëhet fjalë për 18 milionë nxënës dhe mbi tre milionë studentë, numra të cilat tregojnë se sa është serioz problemi.
Është planifikuar që të fillojë përgatitje 10 ditëshe preliminare e nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme më 17 gusht, me qëllim që të fillojë mësimi i rregullt më 31 gusht.
Megjithatë, duke pasur parasysh rritjen e rasteve pozitive në ditët e fundit, ekziston pasiguri për këto data. Ministri turk i Arsimit, Zia Selçuk, tha se ata kanë arritur në fazën e fundit të bisedimeve rreth kësaj çështje. Vendimi konkret do të publikohet pas mbledhjes së këshillit të specializuar shkencor për luftë kundër virusit korona, në të cilën do të bisedohet për disa modele, tha ministri i Arsimit. fc/