
Uashington, 2 qershor 2020 (MIA) – Avokati i familjes së afroamerikanit të vrarë Xhorxh Fllojd, Ben Kramp, deklaroi se ka mjaftueshëm dëshmi që të vërtetohet se polici i akuzuar Derek Shovin ka vepruar me paramendim.
Shovin është i akuzuar për vrasjen e shkallës së tretë, por Krampi thotë se bëhet fjalë për vrasje të shkallës së parë, bën të ditur Bi-Bi-Si.
“Nuk e kemi të qartë se si ai veprim nuk është cilësuar si vrasje e shkallës së parë”, deklaroi Krampi për Si-Bi-Es, ndërsa transmetoi “Zëri i Amerikës”.
Ai theksoi se polici e kishte mbajtur gjurin në qafën e Fllojdit gati nëntë minuta, që është shkak për vdekjen e tij dhe pastaj për serinë e protestave përgjatë SHBA-së.
“Vlerësojmë se ai ka pasur qëllim”, tha Krampi.
Xhorxh Fllojd, afroamerikani i paarmatosur, ndërroi jetë gjatë arrestimit të policisë kur Shovin, sipas denoncimit penal, e kishte mbajtur gjurin në qafën e tij tetë minuta e 46 sekonda.
Në denoncimin penal shtohet se patologu ka përfunduar se për vdekjen e Fllojdit kanë kontribuuar kombinimi i mbizotërimit fizik, lëndët e mundshme narkotike në organizëm dhe problemet shëndetësorë të cilat i kishte.
Dy mjekët, të cilët kishin bërë autopsinë ndaj trupit në Xhorxh Fllojd, megjithatë, dje bënë të ditur se ai kishte ndërruar jetë nga ngulfatja dhe se bëhet fjalë për vrasje. fc/