Konferencë shkencore: "70-vjetori i Kongresit II (IV) të NDSH-së në Shkup"

Shkup, 1 qershor 2016 (MIA)  -  Pikërisht në 70 vjetorin e mbajtjes së Kongresit II (IV) të NDSH-së, në Shkup u mbajt konferencë shkencore, ku u paraqitën me kumtesa studiues nga Kosova dhe Maqedonia.

Konferenca ishte fryt i bashkëpunimit mes Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Institutit të Historisë "Ali Hadri" në Prishtinë, dhe u mbajt në sallën e ITSHKSH-së në Shkup.

Në hyrje të konferencës, fjalë përshëndetëse patën drejtori i ITSHKSH – Shkup, Skender Asani, drejtori i IH – Prishtinë  Sabit Syla, të cilët theksuan rëndësinë e mbajtjes së kësaj konference, pikërisht në Shkup, këtu ku ishte njëra ndër çerdhet kryesore të organizatës NDSH. Njëkohësisht shprehën gatishmërinë, që edhe më tutje të kontribuojnë në planin shkencor, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike për të kaluarën tonë. 

"Atë që e filloi NDSH-ja, në kohërat më të vështira, me një orientim të qartë properëndimor, është obligim i gjeneratës sonë që ta vazhdojmë atë mision kombëtar, theksoi Asani.

Më pas u paraqitën studiuesit me temat e tyre. E para referoi studiuesja nga Prishtina, Sabile Keçmezi-Basha, në temën "Formimi dhe veprimtaria e NDSH-së (1945-1947)"; Studiuesi nga Shkupi Qerim Lita referoi në temën: "Organizimi dhe mbajtja e Kongresit II (IV) të NDSH-së në Shkup"; Skender Asani foli për "Komitetin e NDSH-së për qytetin e Shkupit dhe veprimtarinë e Ibrahim Haki-Kelmendit"; Sabit Syla dhe Izet Miftari në kumtesën e tyre u përqëndruan në "Rezistencën kundër vendosjes së pushtetit komunist në rajonin e Shalës së Bajgores (1944 – 1947)". Më tej, studiuesi  Haki Kasumi referoi për "Veprimtarinë atdhetare të Gjon Serreqit", kurse Daut Bislimi për "Veprimtarinë dhe ndikimin e Halim Oranës në Kongresin e II-të të NDSH-së"; Ibrahim Gashi poashtu nga Prishtina kishte për temë "NDSH-në në rajonin e Drenicës"; Izber Hoti për "Organizatën Nr. 2. dhe Ajet Gërgurin"; Naim Halimi u përqendrua në "Historiografinë shqiptare dhe të huaj për dhe rreth NDSH-së";  Nuridin Ahmeti foli për "Kontributin e krerëve fetarë nga Kosova në Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare"; Sevdail Demiri për "Arrestimet dhe gjykimet e anëtarëve të Komitetit të NDSH-së së Kumanovës në vitin 1946/47", dhe Ismet Krosi u paraqit me "Dëshmi të reja për aktivitetin e anëtarëve të Komitetit të NDSH-së për qarkun e Tetovës".

Gjatë konferencës u zhvillua edhe një debat mjaft konstruktiv, i cili do të ketë impakt në përmirësimin dhe avancimin e mëtejshëm të kumtesave shkencore, të cilat do të botohen në një nga numrat e ardhshëm të revistës "Scupi" në Shkup. Mjaft me interes ishte pjesëmarrja e familjeve të përfaqësuesve të lartë të NDSH-së, si të Azem Maranës, Gjon Sereçit, Ajet Gërgurit, Ibrahim Haki Kelmendit, Sulë Hotlës, Qemal Skenderit, Jetish Vishit, etj. Kurse, aktivistja Ermira Mehmeti i dorëzoi arkivit të ITSHKSH-së, dosjen personale të të atit të saj, Amir Mehmeti, i dënuar dhe i persekutuar politik nga regjimi komunist jugosllav. Ky u vlerësua si një akt shumë pozitiv, të cilin si shembull duhet ndjekur edhe familje të veprimtarëve të tjerë që kanë marrë dosjet e tyre.

Pasdite në oborrin e Sh.F. "Liria" në Komunën Çair të Shkupit, në çerdhen e NDSH-së, shpaloset një pllakë përkujtimore në nderim të delegatëve të Kongresit II (IV) të NDSH-së: Azem Marana, Qemal Skënderi, Hasan Bilalli, Hysni Rudi, Jonuz Balla, Osman Cami, Halim Orana, Haki Taibi dhe Faik Këpuctari-Prishtina.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail