Në rrethinën e Dibrës kartela elektronike shëndetësore kanë marrë 80 për qind e të siguruarveDibër, 16 shkurt 2017 (MIA) - Shërbimi rajonal i Fondit për Sigurim Shëndetësor në Dibër, i cili me aktivitetin e tij e mbulon edhe komunën Qendra Zhupë, informon se kartela shëndetësore elektronike kanë marrë 80 për qind e numrit të përgjithshëm të të siguruarve. "Në evidencën e Fondit për Sigurim Shëndetësor, ndodhen 19 mijë të siguruar nga të dy komunat Dibër dhe Qendra Zhupë. Nga numri i përgjithshëm 80 për qind ose mbi 15 mijë janë siguruar me kartela shëndetësore dhe ata pa pengesë i shfrytëzojnë. Përqindja tjetër u takon atyre të cilët ende nuk i kanë marrë, ose 10 për qind, ndërsa përqindje të njëjtë të të siguruarve nuk kanë dorëzuar kërkesë t'u përgatitet kartelë shëndetësore elektronike", deklaroi Julieta Marku, udhëheqëse e Shërbimit rajonal të Fondit për Shëndetësi në Dibër. Sipas Markut, marrja e kartelave shëndetësore elektronike bëhet në sportelet në shërbimin rajonal, që nënkupton se i siguruari çdo ditë punë mundet që të njëjtën edhe ta marrë ose të marrë informatë se nëse edhe kartela e anëtarëve të familjes së tij është përpunuar. "Ajo që duhet të theksohet është gjithsesi edhe ndryshimi i cili vlen nga fillimi i shkurtit të vitit të kaluar prej kur të gjithë fëmijët deri në moshën 3-vjeçare, nuk kanë nevojë për kartelë të posaçme shëndetësore elektronike, për shkak se fëmija të drejtat e sigurimit shëndetësor i realizon përmes njërit nga prindërit", thekson Marku. Ajo përkujton se afati i vlefshmërisë së kartelës është pesë vite, me ç'rast e njëjta duhet të zëvendësohet me kartelë të re.
|