Rëndësia e Kongresit të Manastirit dhe Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Shkup, 17 nëntor 2017
Pa dyshim që 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është njëra nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Është momenti kyç i cili e orienton kombin tonë drejt kombeve të përparuar të botës perëndimore. Kjo datë është përkujtuar gjithmonë nga shqiptarët, në forma të ndryshme.
Më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, me qëllim krijimin e një alfabeti të njësuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarëshqiptare.
Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit.

Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.
Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

Rëndësia dhe trajtimi institucional i Kongresit të Manastirit në Maqedoni
Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe historiani Skender Asani thotë se kjo datë është momenti kyç i cili e orienton kombin tonë drejt kombeve të përparuar të botës perëndimore.
"Kjo datë është përkujtuar gjithmonë nga shqiptarët, në forma të ndryshme. Mirëpo, viteve të fundit ka marrë trajtim institucional, dhe në këtë mënyrë edhe është duke u trajtuar. Objekti ku është mbajtur Kongresi i Manastirit është shpallur muze nacional, kurse 22 Nëntori është ditë feste (jo pune) për të gjithë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, gjë që nuk është as në Shqipëri e as në Kosovë. Në këtë aspekt, e shoh të nevojshme ndërhyrjen më serioze të dy shteteve shqiptare, edhe në aspekt të trajtimit më serioz të Muzeut të Alfabetit, për shkak se ai është simboli përbashkues për të gjithë shqiptarët kudo që janë", thotë Asani.
Lidhur me atë se pse Alfabeti i gjuhës shqipe u themelua në Manastir, historiani Asani thotë se ky qytet asokohe ka qenë qytet shumë i zhvilluar në të gjitha aspektet, dhe njihej si vend i zhvillimit të kulturës dhe diplomacisë, dhe e kishte marrë epitetin "Qyteti i konsujve".
"Veç kësaj, asokohe në Manastir vepronin shumë atdhetarë të shquar shqiptarë, ndërsa vetë ky qytet kishte një pozitë të favorshme gjeostrategjike, duke u gjendur në zemër të trojeve shqiptare. Ndërsa, një ndihmesë të fuqishme këtij organizimi i dha edhe familja Qiriazi dhe Misioni Protestant Amerikan në këtë qytet", deklaroi Asani.
Drejtori i ITSHKSH-së Skënder Asanin për MIA-n thotë se pas pavarësisë të Maqedonisë ka pasur përpjekje të vazhdueshme për gjendjet e një zgjidhjeje për fatin e këtij monumenti të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare.
"Por, fatkeqësisht punët nuk kanë ecur ashtu siç është dëshiruar. Ka pasur rezistencë të vazhdueshme nga qarqe të ndryshme që ky monument mos ta ketë vlerën e duhur. Prandaj, ende nuk kemi një zgjidhje definitive të pronësisë së Shtëpisë së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, edhe pse i njëjti gëzon statusin e institucionit nacional. Prandaj, më lejoni që edhe me këtë rast të bëjë thirrje që sa më shpejtë të zgjidhet problemi, dhe komplet objekti të jetë në shërbim të plotë të këtij muzeu, i cili ende ka shumë nevoja për t’u rregulluar dhe investuar në të nga ana e shtetit", shtoi Asani.

Sipas Asanit institucionet në Maqedoni dhe ato në Shqipëri nuk tregojnë interesin e duhur lidhur me Shtëpinë e Alfabetit të jetë ashtu siç meriton, ai më tej shtoi se problemi më i madh që shihet nga pamja e parë posa gjendesh para shtëpisë muze të Kongresit të Manastirit, është një dyqan - shitës pllakash, i cili me vite të tëra nuk tërhiqet nga aty.
"Nëse në mënyrë institucionale, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Manastirit nuk kanë mundur ta largojnë atë dyqan nga aty, atëherë shtrohet pyetja se pse nuk ka reaguar deri më tani as shteti i Shqipërisë e as ai i Kosovës?! Sa mund të kushtonte sikur të bliheshin ato lokale, 100 mijë, 200 euro?! Çfarë vlere monetare janë ato për një shtet, kundrejt vlerës monumentale që e ka ai objekt?! Por, fatkeqësisht, interesimi i politikës tonë nuk ka qenë në drejtim të zgjidhjes së përhershme të këtij problemi", shtoi ai.
Lidhur me atë se nëse përfaqësuesit politik duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe të pranojnë realitetin historik për Manastirin, se pavarësisht realitetit aktual, që ky qytet mbetet epiqendra e historisë shqiptare, drejtori Asani deklaroi se në përgjithësi, politika shqiptare ka bërë shumë pak për Manastirin dhe shqiptarët e atjeshëm.
"Gjëja më e vogël që deri më tani duhej ta bënte Republika e Shqipërisë, do të ishte hapja e një konsullate shqiptare në Manastir. Nëse për asgjë tjetër nuk do të kryente punë, do të mjaftonte që simbolikisht të jetë prezent aty shteti shqiptar, për të treguar se ka interes kombëtar trajtimi meritor i një qyteti i cili Shqipërisë ia dha shkronjat e bukura shqipe", shtoi ai.
Në Manastir, theksoi drejtori Asani, sot jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët duhet ta kenë trajtimin e merituar institucional, jo vetëm se të Maqedonisë, por edhe të Shqipërisë dhe të Kosovës. Shqiptarët e Manastirit kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë neve, ngase atje nuk ka qenë lehtë të frymosh si shqiptar.
Lidhur me atë nëse me zyrtarizimin e gjuhës shqipe, do të mund të ngrihet në nivel më të lartë kremtimi i kësaj date, Asani beson që me zyrtarizimin e gjuhës shqipe, edhe kjo festë do të ngrihet në peshë, ngase shumë gjëra lidhen me të në mënyrë të drejtpërdrejtë.
"Me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve, sigurisht se do të përfitojnë dhe shqiptarët e Manastirit, të cilët tani do të ndihen të barabartë dhe të padiskriminuar në aspekt të gjuhës", u shpreh ai.
Shpresoj, tha ai, që vitin e ardhshëm, kur edhe shënohet 110 vjetori i Kongresit të Manastirit, të zgjidhen të gjithë kontestet rreth objektit të Muzeut.
"Shpresoj se ndërkohë në muze do të përfundojë edhe procesi i renovimit e restaurimit, do të pajiset me teknologjinë e duhur të kohës, do të shtojë numrin e të punësuarve, dhe do të marrë formën e një objekti të vërtetë institucional dhe me interes të madh kulturor. Vitin e ardhshëm, jo vetëm se Maqedonia, por edhe Shqipëria dhe Kosova do të duhet të bëjnë një agjendë në të gjitha shkollat shqipe dhe universitetet, që ta vizitojnë Muzeun e Alfabetit, dhe gjeneratat e reja për së afërmi ta ndjejnë peshën e madhe të këtij monumenti të kulturës mbarëkombëtare", deklaroi historiani Skender Asani.


Manifestimet lidhur me kremtimin e Ditës së Alfabetit
Themelimi i ITSHKSH-së në Shkup, tha drejtori, lidhet pikërisht me Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
"Praktikisht, ne sivjet shënojmë një vit jubilar, 10-vjetorin e themelimit të Institutit. Për të shënuar këtë festë, jemi pjesë e disa organizimeve të rëndësishme që bëhen nën patronazhin e zëvendëskryeministrit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik Hazbi Lika", njoftoi drejtori Skender Asani.
Më 20 nëntor, shtoi ai, në Institut do të bëhet promovimi i pullës postare me figurën e Faik Konicës dhe hapja e ekspozitës së përhershme me figura të tjera kombëtare. "Në këtë ngjarje do të marrin pjesë zëvendëskryeministri Lika, drejtori i Postës Faadis Rexhepi dhe akademiku Luan Starova", informoi Asani.
"Ngjarja më e rëndësishme për ne do të jetë në Manastir më 21 nëntor, kur edhe me institutet shkencore të Tiranës dhe Prishtinës, organizojmë një tribunë shkencore kushtuar Kongresit të Manastirit, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta", tha Asani.
Më 22 nëntor në do të organizohet pritje për veteranët e gjuhës shqipe, dhe në mbrëmje do të mbahet një gala koncert i organizuar për këtë festë të veçantë kombëtare.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail