Nata e Kadrit, natën ndërmjet së martës dhe së mërkurësShkup, 13 gusht 2012 (MIA) - Bashkësia Fetare Islame ka informuar të gjithë besimtarët e fesë Islame se sipas Kalendarit Islam, Nata e madhe e Kadrit-“ Lejletul Kadër” është mes natës së 26/27 Ramazan 1433 gjegjësisht 14/15.08.2012 (e martë/ mërkurë).
“Kjo është natë e bekuar e vitit në të cilën filloi zbritja e Kuranit, më e dobishme se një mijë muaj, ku me lejen e Zotit (atë natë) zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje, andaj të njëjtën duhet kaluar në ibadet, lutje dhe dhikër. Shpallja e librit të qartë Kuranit famëlartë, është për të udhëzuar njerëzimin në rrugën e drejt, nga ai moment kanë filluar ndryshimet shoqërore, ngritja e vetëdijes intelektuale dhe kultivimit të vlerave civilizuese”, thuhet në njoftimin e BFI-së..
Ndërsa kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ka uruar me këtë rast të gjithë besimtarët myslimanë duke bërë lutje që të pranohen të ibadetet dhe lutjet që do të bëhen gjatë kësaj nate.
“Lusim All-llahun e Plotfuqishëm që ibadetet dhe lutjet e bëra gjatë kësaj nate, Ai t’i pranon prej nesh. Me rastin e kësaj nate të bekuar, BFI i përgëzon të gjithë besimtarët në vend dhe diasporë me dëshirë që këtë natë ta kalojnë në mirëqenie,paqe dhe me plotë përkushtim ndaj All-llahut xh.sh”, ka shkruar në urimin e tij, kreu i BFI-së. Sulejman ef. Rexhepi.
|