BDI shpalosi platformën "Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë...

Zhelinë, 16 prill 2014 (MIA) - Platforma e BDI-së me moton  "Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë" u shpalos mbrëmë para banorëve të Komunës së Zhelinës.

Kryetari i Partisë dhe njëherësh kryesues Liste në Njësinë nr. 6, Ali Ahmeti theksoi se, ndihet krenar që oferta e BDI-së u kuptua dhe u vlerësua drejt nga shqiptarët.

Ahmeti tha gjithashtu se, ai dhe ekipi i tij janë të sigurtë që gjatë 4 viteve të ardhshme në qeveri do të realizojnë konceptin për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, sepse, siç u shpreh, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër.

Ai ritheksoi se ky është një mandat kur duhet të shkrihen akujt mes dy komuniteteve më të mëdha dhe se këtë guxim duhet ta marrë elita politike maqedonase, ngaqë "BDI-së ky guxim asnjëherë nuk i ka munguar".

“Evropa ka filluar si një ëndërr, vazhdoi si një ortek dhe sot për ne është një ideal, dhe ky ideal është i njerëzve që duan të jetojnë të lirë, në demokraci të mirëfilltë. Ne nuk jemi kundër askujt, ne me transparencën më të madhe paraqesim idetë tona të cilat nuk dalin dhe burojnë nga njerëz të papërgatitur apo prej skenarëve të nëntokës. Ne komunikojmë, dhe idetë i kristalizojmë dhe ia paraqesim palës tjetër. Ne nuk defilojmë pas shpinës për idenë e presidentit konsensual. Ne nuk dëshpërohemi dhe nuk ngrehim flamurin e bardhë. Ne do të ecim përpara deri në realizimin e idesë sonë, ide kjo që u përqafua nga pjesa dërmuese e shqiptarëve", tha  Ahmeti në tubim.

Ai u shpreh se, megjithatë, është i përgjegjshëm dhe i mirëkupton elitat politike që nuk kanë pjekurinë e BDI-së, për të dhënë ide progresive.

"Ne jemi në këtë shtet, por duhet pranuar se jetojmë në dy shoqëri të ndara. Neve si BDI kjo ndarje na pengon. Ne duam që ky vend të jetë i gjithëve dhe me këtë duam që të gjithë të mbajnë përgjegjësi për proceset. A besojmë ne që një ditë do të realizohet kjo ide? Po, të jeni të sigurtë pasi ajo është ide që të avancon dhe jo që të kthen pas. Dialogu dhe komunikimi është shtylla e demokracisë për të funksionuar një shtet i mirëfilltë. Ne jemi të dialogut dhe të kompromisit e të pajtimit. Nuk e di pse frikësohen nga ne", theksoi lideri i i partisë.

Kreu i BDI-së pohoi se, vota për BDI-në do t’u sigurojë shqiptarëve ndikim më të madh dhe më të fuqishëm në qeverinë e ardhshme.

"Pse duhet të votohet BDI-ja? Ka edhe parti të tjera në garë, por rrallëkush na arrin ne. Ne kemi triumfuar në filozofi, në koncepte dhe opsione pasi kanë qenë filozofi dhe jo hile dhe djallëzi. Duhet përkrahur BDI-ja pasi ka treguar guxim kur është dashur të tregohet. Kur është dashur diplomacia ka demonstruar diplomacinë. Ne ndodhemi në një situatë shumë të rëndësishme, përpara momenteve për vendime të mëdha, të gjitha proceset për afrimin të vlerave të afrimit drejt strukturave euro-atlantike me vendosmëri më të madhe kanë përparuar. Këto vlera duhet të finalizohen, materializohen... Ne nuk mund të qëndrojmë më si vrima e zezë e Balkanit, ne duhet të rreshtohemi pranë NATO-së dhe BE-së. Ne duhet të vendosim raporte të mira me të gjithë fqinjët. Ne duam që vendi ynë të ecë përpara, në paqe, stabilitet dhe siguri", tha  Ahmeti.

Ai ritheksoi rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura që ka Maqedonia brenda dhe jashtë, ndërsa siguroi të pranishmit se nuk do të zhgënjehen me deputetët e ardhshëm të BDI-së.

"Ka ardhur koha tani që ne të punojmë edhe për cilësi, pasi ajo krijon dhe materializon shumë ide. Pikërisht këto janë problemet që ne përkushtohemi, për një arsim më cilësor, për një shëndetësi të mirë, për spitale, për universitete dhe hapësira shkollore konform standardeve evropiane. Nuk mund të ecim përpara, duhet pajtuar me të gjitha vendet fqinje, duhet pasur raporte të mira me të gjithë pasi kështu mund të arrihen vlerat që ka Evropa. Luftërat e përgjakshme mes Gjermanisë dhe Francës u tejkaluan dhe neve na duhen këto vlera. Nuk ka alternativa të tjera përveç NATO-së dhe BE-së, pasi aty është ardhmëria jonë", theksoi kreu i BDI-së në Zhelinë.

Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Abdylaqim Ademi tha në fjalën e tij se, BDI do të përfaqësojë të gjithë shqiptarët dhe do të angazhohet që të gjitha kërkesat e tyre të mos anashkalohen.

Ai vlerësoi se ideja e BDI-së për presidentin konsensual u përqafua nga të gjithë shqiptarët, ndërsa rikujtoi se, më 27 prill, ata nuk duhet të votojnë gjithashtu asnjë kandidat për president, por se "duhet të dalin në votime për të rrethuar numrin 4, numri rendor nën të cilin janë rreshtuar kuadrot më të mirë shqiptarë".

"Jemi një fushatë specifike që nuk ka ndodhur që nga pavarësia e Maqedonisë. Jemi në dy fushata paralele, zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Zgjedhjet presidenciale kishin një rëndësi të madhe për faktin që ne nuk dolëm me kandidat për president, por që dolëm me idenë e presidentit konsensual i cili do të ishte president i të gjithëve në Maqedoni. Kjo ide nuk u pranua, por ideja e BDI-së më 13 prill u përqafua nga 99% e shqiptarëve të Maqedonisë", theksoi Ademi.

Ai bëri me dije se, do të kërkojë nga të gjitha shtabet komunale t’u sqarojnë qytetareve se, duhet votuar vetëm deputetët e ardhshëm të BDI-së dhe jo për president shteti.

Ademi shtoi më pas se, BDI ndodhet në fushatë për të promovuar njëkohësisht platformën dhe kandidatët për deputet.

"Fushata jonë do të vazhdojë të jetë pozitive dhe promovuese. Ne do të krijojmë kushte që çdo qytetar të dalë i lirë dhe të votojë pasi kjo është vlerë që ka krijuar BDI. Më 27 prill, ju duhet të dilni të votoni dhe të rrethoni numrin 4, është numri jonë por më tepër i juaji. Lista e BDI-së është listë me kuadro të dëshmuar si në aspektin kombëtar por edhe atë profesional. Prandaj ne kërkojmë votën tuaj që kuadrot më të mirë të kombit të përfaqësojnë vullnetin tuaj. Vota juaj do të bëjë BDI-në edhe më të fortë dhe në këtë mënyrë ne shumë më lehtë do të plotësojmë aspiratat e shqiptarëve të Maqedonisë. Ne nuk dëshirojmë të na përsëritet viti 2011, kur u përça vota shqiptare dhe me këtë u rrit numri i deputetëve maqedonas", u shpreh Ademi.

Ai vijoi fjalën duke thënë se, shqiptarët vetëm përmes votës së dhënë BDI-së  do të mund të marrin hisen e tyre që u takon, ndërsa shpalli se, të gjitha të arriturat e dekadës së fundit në të mirë të shqiptarëve mbajnë shenjën e BDI-së.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail