Në Sfillare përurohet shkolla e riparuar fillore "Bajran Shabani"Shkup, 7 gusht 2014 (MIA) - Nxënësit e shkollës fillore "Bajram Shabani" në fshatin Sfillare të Shkupit këtë shtator do të zhvillojnë mësimin në ambiente plotësisht të reja. Rikonstruimi me vlerë mbi 100 mijë euro do t’u ofrojë nxënësve të gjitha kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor.
Në përurimin e punimeve të sotme, i pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i cili e vlerësoi investimin si të dobishëm, duke u bërë thirrje investitorëve të kontribuojnë në përmirësimin e arsimit.
"Investim më kapital dhe punë më të dobishme se kjo që bën Muharremi nuk ka. Sepse fëmijët janë kategoria më e pamundur, sepse ata nuk kanë kuletat e tyre që të ndërtojnë dhe bëjnë kushte për hapësirat ku jetojnë. Këto kushte duhet t’i ndërtojë shoqëria, duke filluar nga shteti, njerëzit”, tha Ahmeti.
Pronari i kompanisë "Alma M" Muharem Murtezani theksoi se planifikon rikonstruimin dhe ndërtimin edhe të disa shkollave të tjera. Në fazën e parë janë përfshirë katër shkolla, në Sfillare, Gllumovë dhe Gjorçe Petrov.
"Sivjet ne ndërtuam disa shkolla, të gjitha shkollat janë në Dërven. E pamë të nevojshme të investojmë vetëm në katër për shkak të financave pasi dëmet në shkolla ishin të mëdha. Investimi ende nuk është përmbyllur, ende por është diku mbi 100 mijë euro”, tha Murtezani.
Në shkollën fillore ‘Bajram Shabani’ në Sfillare procesin mësimore e ndjekin rreth 500 nxënës.
|