Filloi mësimi në shkolla, një pjesë e tyre në grevë

Shkup, 20 janar 2015 (MIA) - Greva e paralajmëruar e punonjësve të arsimit e organizuar nga Sindikata për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK) sot nuk u realizua në shumicën e komunave, ndërsa në një pjesë të komunave nuk u zhvillua procesi edukativo-arsimor.

Në Mavrovë-Rostushë, Qendër të Zhupës, Ohër, Debarcë, Koçan, Vinicë dhe Nagoriçan të Vjetër mësimi zhvillohet pa probleme, ndërsa arsimtarët në Kumanovë, Gostivar dhe Strumicë iu bashkuan grevës.

Mësimi në të gjitha shkollat komunale fillore dhe të mesme në Ohër dhe Debarcë zhvillohet rregullisht dhe pa anulime.

Mësimi filloi edhe në pesë shkollat fillore dhe dy të mesmet në Koçan.

"Nga dalja në terren mund të konstatojmë se mësimi ka filluar në terminin e rregullt. Arsimtarët dhe nxënësit janë në shkolla. Probleme nuk ka. Greva e paralajmëruar nuk është mbështetur në arsimin në Koçan", deklaroi Golubinka Gorgieva, udhëheqëse e Sektorit për veprimtari shoqërore në Komunën e Koçanit.

Edhe në komunën e Vinicës mësimi filloi pa probleme në dy shkollat fillore si dhe në shkollën e mesme.

Në Shtip arsimtarët nuk e mbështetën grevën e SASHK-ut. Në pesë shkollat fillore dhe në pesë shkollat e mesme filloi gjysmëvjetori i dytë. Siç njoftoi drejtoresha e SHFK "Vanço Përke" grevë po mban vetëm kryetari i zyrës rajonale në Shtip.

"Vetëm ai është involvuar në grevën e përgjithshme, ndërsa për një pjesë të orëve të tij kemi siguruar zëvendësim", theksoi Niçeva.

Në Shkollën e mesme elektronike-makinerike "Kole Nehtenin", sot gjashtë arsimtarë kanë dashur të fillojnë grevën, por pasi e kanë parë se grevën nuk po e mbështesin arsimtarët e tjerë edhe ata kanë hequr dorë nga qëllimi.

Në Dibër, gjysmëvjetori i dytë filloi me grevë të pjesshme. Në gjimnaz, sipas drejtorit Qeram Leshi, ka grevë të plotë, ndërsa në nëntëvjeçaren më të madhe "Penestia" greva është e pjesshme. Drejtori i shkollës, Ramdan Ymeri deklaroi se gjysma e arsimtarëve mbajnë grevë, ndërsa gjysma jo, por theksoi se procesi edukativo-arsimor po mbahet.

Në nëntëvjeçaren "Sait Najdeni" arsimtarët po mbajnë grevë si dhe po zhvillohet edhe mësimi. Nga organizata sindikaliste në këtë shkollë thonë se arsimtarët e mbështesin grevën, ndërsa drejtoria e shkollës njoftoi se mësimi është mbajtur në klasat e para.

Në Shkollën "Riste Ristevski" në Kosovrast thonë se një pjesë e arsimtarëve mbajnë grevë, ndërsa një pjesë jo. Drejtori Shania Ajroski deklaroi se për shkak asaj se dikush mban grevë dhe dikush jo, ka probleme me procesin mësimor.

Sipas kryetarit të SASHK-ut, Jakim Nedellkov, i cili sot e vizitoi organizatën sindikaliste në shkollën e mesme profesionale "Pero Nakov" në Kumanovë, fillimi i grevës është i suksesshëm. Mbajnë grevë organizatat sindikaliste në nivel nacional, por akuzoi se po kryhen edhe obstruksione.

"Dëshiroj të potencoj se pjesa më e madhe shtetit, gjegjësisht Shkupi, Kumanova dhe qytetet e tjera në vend janë duke e respektuar vendimin e SASHK-ut dhe po zhvillohen greva në kopshtet për fëmijë, shkollat fillore dhe të mesme, kulturë, në shtëpitë e nxënësve dhe të studentëve", tha Nedellkov.

Në kopshte, siç njoftuam, po mbahet grevë në një hapësirë të caktuar, ndërsa fëmijët janë në përkujdesje nga ana e të punësuarve të cilët punojnë me kontratë për një kohë të caktuar dhe vullnetarët.

"Greva do të zgjasë aq sa ka nevojë, derisa ministritë resore nuk u përgjigjen kërkesave", paralajmëroi Ndellekov, duke shtuar se nga 2 janari i këtij viti nuk kanë pasur thirrje për takim nga ministritë kompetente.

Ai paralajmëroi se SASHK do të ndërmarrë aktivitete për ngritjen e procedurave gjyqësore kundër atyre të cilët do të përpiqen që ta pengojnë organizimin dhe veprimin e sindikatës.

Theksoi se vetëm Këshilli i SASHK-ut  mund ta ndryshojë vendimin për grevë, nëse pranon zgjidhje të pranueshme nga minsitritë resore.

Kryetari i këshillit rajonal të SASHK-ut në Kumanovë, Seljadin Destani njoftoi se në shkollat e Kumanovës sot nuk ka mësim.

Në Likovë, autoritetet komunale thonë se greva po zhvillohet në pesë nga gjashtë shkollat fillore. Mësimi po zhvillohet në shkollën fillore "Dituria" dhe në gjimnaz pasi që të punësuarit nuk janë anëtarë të SASHK-ut", deklaroi Xhevdet Rahmani, kompetent për arsimin në komunën e Likovës.

Greva e paralajmëruar sot filloi edhe në shumicën e shkollave në Gostivar. Bankat shkollore janë të zbrazëta, ndërsa shumë prej arsimtarëve të pranishëm dhe kuadrit tjetër të cilët janë në vendet e punësi, nuk po zhvillojnë mësim.

Sipas njohurive të para të përfaqësuesve të SASHK-ut, pjesa më e madhe e kuadrit mësimor e ka mbështetur dhe i është përgjigjur thirrjes për grevë të përgjithshme. Nga vetëqeverisja lokale paraprakisht me kumtesë njoftuan se mësimi në gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë sipas asaj që është paraparë dhe se një gjë e tillë është dakorduar me drejtoritë shkollore të shkollave fillore dhe të mesme në komunën e Gostivarit.

Grevë po mbajnë edhe arsimtarët dhe profesorët nga Strumica. Ata ishin të pranishëm në shkolla por nuk kanë zhvilluar mësim. Sipas kryetarit të SASHK-ut për rajonin e Strumicës dhe të Radovishit, Nikolla Xhorlev, po bëhen presione mbi arsimtarët e Vasilevës dhe Bosilovës.



lexo shkretoj
  IDIVIDI Sherbime
Shiko Live TV
TV program
Multibox
Video
Chat
Foto
MaxARENA
WebMail
E-cards
Forum
Games
Tel. Lista
Lajmerime
Fjalor
IDIVIDI Fjalorë 
Powered by MagnumPRO
Download
Horoskopi

Dashi Demi Binjakët Gaforrja Luani Virgjeresha Peshorja Akrepi Shigjetari Bricjapi Ujori Peshqit

webmail